Rasti i Shkodrës, Balla: Rama gati amendamentet për ndryshimin e dekriminalizimit, shtrëngime më të forta

Ligji për dekriminalizimin do të ndryshojë. Kryetari i grupit parlamentar socialist në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla u shpreh se kryeministri Rama do të dorëzojë amendamentet në komisionin e reformës zgjedhore.

"Rasti i Shkodrës na bën të vetëdijshëm që kuadri ligjor nuk është i plotë dhe në këtë këndvështrim kryeministri do të depozitojë si amendamente shtrëngimet e domosdoshme dhe më të ashpra në lidhje me cdo kandidat. Le të jetë komisioni i reformës zgjedhore që ti shqyrtojë. 

Jemi besimplotë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meriton plotësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Fillimi i bisedimeve nuk është vetëm fitore e Qeverisë, por e aspiratës së shqiptarëve. Unë di të vlerësoj edhe rolin tuaj si deputetë të opozitës për të miratuar edhe ligjet e paketës së reformës në drejtësi.

Padyshim që reforma zgjedhore është kryefjala e këtij sesioni parlamentar, jo vetëm me ju, por edhe opozitës jashtë parlamentare, duke i garantuar PD-së një vend për përfaqësuesin e saj, duke i garantuar edhe veton. Përsëris edhe njëherë atë që kryeministri rishprehu që, ne mirëpresim që edhe PD të ushtrojë të drejtën e saj në këtë komision.

Sot kemi dakordësuar edhe zgjerimin e përfaqësimit të grupit më të ri të opozitës. E kemi kaluar këtë me konsensus. Me zi pres rritjen e përfaqësimit të partive politike në Kuvendin e Shqipërisë. Për reformat e rëndësishme ne duhet të jemi bashkë" tha ai.

Nisma vjen pas rastit të Shkodrës kur kryetari i bashkisë Valdrin Pjetri dha dorëheqjen, pasi u zbulua dënimi që kishte fshehur në Itali. Nevojën e ndryshimeve në ligjin e dekriminalizimit kryeministri e argumenton me faktin se partitë politike nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit.

Fjala e plotë e Taulant Ballës
Kryetari i Kuvendit bëri një përmbledhje ezauruese të sfidave që së bashku na presin në këto katër muaj të këtij sesioni të ri parlamentar. Detyra e të gjithëve ne është që, pikë së pari, të bashkohemi në objektivin madhor të Shqipërisë që pritet të konkludohet në Këshillit Europian në tetorin e këtij viti, ku të gjithë jemi besimplotë se Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut, e meritojnë tërësisht fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Fillimi i bisedimeve për anëtarësim nuk është një fitore vetëm e qeverisë apo shumicës, por pikë së pari është një moment i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët dhe aspiratën tonë historike për aspirim dhe integrim euro-atlantik. Unë si kryetar i shumicës në këtë Parlament, di të vlerësoj shumë mirë edhe rolin tuaj, të nderuar deptutetë të opozitës, në muajt e shkuar në përpjekjet e përbashkëta për të votuar edhe ligjet e fundit të paketës së Reformës në Drejtësi. Dua t'ju falenderoj edhe për konsensualitetin lidhur me ato që janë çështje madhore dhe dëshiroj, që në frymën e këtij bashkëpunimi, gjatë gjashtë muajve të fundit të vijojmë edhe për sfidat që na presin përpara.

Reforma Zgjedhore është kryefjala e këtij sesioni të ri parlamentar që fillojmë sot, jo vetëm me ju, por edhe me opozitën që ndodhet jashtë parlamentit, të cilës i kemi rezervuar në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore vendin e saj. I kemi garantuar Partisë Demokratike, si partia më e madhe në opozitë, një karrige për të cilën i kemi garantuar edhe veton në Komision. Unë ripërsëris edhe një herë publikisht atë që Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, rishprehu se ne mirëpresim që edhe Partia Demokratike të ushtrojë të drejtën e saj për t'u përfaqësuar në Komision. Puna për Reformën Zgjedhore do të zhvillohet në Komisionin e Posaçëm, ku sot kemi dakordësuar në Konferencën e Kryetarëve edhe zgjerimin e përfaqësimit të grupit më të ri parlamentar të opozitës.  Së dyti, dua të rishpreh domosdoshmërinë e vijimit të angazhimit të të gjiha forcave politike të angazhuara në Kuvend lidhur me çuarjen më tej të implementimit të plotë të Reformës në Drejtësi.

Kujtoj këtu që Kuvendi ripërfshihet në rolin që luan, qoftë në përzgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të cilët janë vende të caktuara që përzgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë, qoftë për inspektorin e lartë të Drejtësisë apo Prokurorin e Përgjithshëm. Jemi në afatet fundore që këto institucione të marrin udhë dhe të fillojë puna menjëherë. Për sa i përket një çështje që ka marrë shumë vëmendje publike në këto ditë e në këto javë, e që lidhet me mangësitë e vërejtura në kuadrin ligjor të garantimit të integritetit të personave që zgjidhen apo emërohen. Rasti i Shkodrës është një rast i cili na bën të vetëdijshëm që kuadri ligjor ekzistues nuk është ende i plotë. Në këtë këndvështrim, Kryeministri, z. Edi Rama, më shumë në cilësinë e deputetit sesa atë të Kryeministrit, do të depozitojë në Komisionin e Reformës Zgjedhore si amendamente, shtrëngimet e domosdoshme dhe më të ashpra lidhur me pastërtinë e figurës së çdo kandidati. Le të jetë Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ai që të shqyrtojë të gjithë këto propozime, me qëllim që së bashku me ju të mund ta pasurojë këtë nisëm të vyer, në funksion të parandalimit të çdo personi me të shkuar problematike.

Së pesti, padyshim që ky është një sesion i ri parlamentar që fillon me një Rregullore të re të Kuvendit të Shqipërisë. Ndoshta një pjesë ende nuk janë njohur me një reformë të rëndësishme, që kemi bërë në jetën parlamentare në fund të sesionit të kaluar.Më në fund për ata që na kanë sjellë në këtë sallë, nuk do të jenë vetëm e premtja, e shtuna, apo e diela si kohë në dispozicion për t'ju përkushtuar zgjedhësve tanë, por ashtu si në parlamentet me demokraci të konsoliduar, ne do të kemi një javë, dedikuar punës me zgjedhësit. Një javë pune intensive, që kërkon deputetët në zonat e tyre zgjedhore. Dua ti kujtoj këtu deputetëve të opozitës, që në çdo qendër qarku, ka një zyrë të deputetëve të shumicës dhe një zyrë të deputetëve të opozitës. Deputetët duhet të jenë pikërisht në këto zyra për t'u takuar me zgjedhësit dhe në fillim të javës së re parlamentare, do të kemi një seancë të posaçme dedikuar njerëzve. Deputetët të sjellin në sallë pikërisht të gjitha problematikat e hasura gjatë kontakteve me njerëzit në prezencë të kabinetit të qeverisë.

Po ashtu është koha të rikthehemi tek domosdoshmëria e rritjes së kontrollit parlamentar qoftë nga shumica parlamentare, qoftë nga opozita. Ndryshimet e reja në Rregullore i kanë dhënë më shumë hapësirë deputetëve të opozitës për ta ushtruar këtë kontroll. Së fundmi, dua ti kujtoj të gjithë deputetëve në këtë seancë të parë të këtij sesioni të ri parlamentar, se ne kemi për detyrë të pa dallim krahësh politikë. Në fund të fundit këtu na kanë sjellë partitë, por ne jemi këtu për të përfaqësuar popullin shqiptar. Do të doja ta mbyll me atë që thashë në fillim, se për reformat e rëndësishme ne duhet të jemi bashkë. Përmendi këtu znj.Hajdari ndryshimin e sistemit zgjedhor. Znj. Hajdari, objektivi kryesor i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore është adresimi i plotë i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, nga raporti i vitit 2013 deri në ato të raportit të fundit, atë të zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Zgjedhjet e 30 Qershorit ishin një festë e demokracisë. Fitoi e drejta kushtetutuese e çdo shqiptari për të votuar dhe padyshim që humbën ata që u bënë bashkë për t'ja mohuar këtë të drejtë shqiptarëve. Është domosdoshmëri që të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR, pa asnjë dallim të formësohen në ndryshime në Kodin Zgjedhor. Ne duhet domosdoshmërisht që në zgjedhjet e qershorit 2021, ti garantojmë të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Madje shqiptarët që jetojnë jashtë territorit, të kenë padyshim edhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. E dyta, e kemi thënë dhe e kemi stërthënë se ka ikur koha që partitë politike të votohen dhe po ato vetë, të numërojnë votat që japin shqiptarët. Në këtë këndvështrim duhet të depolitizojmë të gjithë infrastrukturën e administrimit të proceseve zgjedhore. Për këtë hajdeni të punojmë.Ne kemi dhënë garancinë tonë për të hulumtuar dhe për diskutuar së bashku mundësitë e sistemeve zgjedhore. Detyrimet e Shqipërisë janë dhe lidhen tërësisht me rekomandimet e OSBE/ODIHR.


Lajmi kryesor:

Nis Kuvendi/ Balla: Rama propozon forcimin e dekriminalizimit! Hajdari: Për Pjetrin fajin e keni ju dhe jo ligji


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Avioni 'Embraer 190' duhej të përshkonte 500 kilometra nga Baku në Grozny: si përfundoi në anën tjetër të Detit Kaspik?

Avioni 'Embraer 190' duhej të përshkonte 500 kilometra nga Baku në Grozny: si përfundoi në anën tjetër të Detit Kaspik?