TIRANE, 22 Janar/ATSH/- Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ratifikoi të enjten marrëveshjen e programit, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Qendrës së Konfederatës Zviceriane, për grantin e asistencës financiare për Programin e Infrastrukturës Bashkiake II/IV" .
Objektivi i përgjithshëm i programit është sigurimi i shërbimit të qëndrueshëm dhe financiarisht të përballueshëm të furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të përdorura për rreth 400 000 qytetarë të cilët jetojnë në qytetet e Beratit, Kuçovës, Gjirokastrës, Kamzës, Lushnjës, Delvinës, Librazhdit, si dhe përmirësimi i treguesve të performancës për shoqëritë e ujësjellës - kanalizimeve të këtyre bashkive.
Marrëveshja e programit, parashikon përfitimin e grantit, kontributi zviceran, prej 11.6 milionë eurosh, dhe është nënshkruar më 7 nëntor 2014. Kjo marrëveshje u përgjigjet prioriteteve dhe qëllimeve të vëna për zhvillimin ekonomik të vendit./a.gjonaj/ /a.g/