Reagimet/ Berisha drejt arrestimit! PD mungoi në Kuvend: Mbështesim SPAK, s’bëhemi pjesë e skenarit Rama-Rithemelimi! Bardhi e Meta: Antikushtetuese

Në votimin për arrestimin e Sali Berishës, Lulzim Basha dhe 10 deputetët e tij munguan në seancë, ndonëse përfaqësuesi i PD në Këshillin e Imunitetit Enkelejd Alibeaj kishte paraqitur raportin e tij.

Në fakt deputetët e PD kishin deklaruar se do të votonin pro kërkesës së SPAK, por në deklaratën për shtyp, PD thotë se refuzoi të ishte pjesë e kësaj seance kaosi, pasi nuk bëhet pjesë e skenarëve të përgatitur nga Rama e Berisha.

“Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha. Deputetët e PD nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitura nga Edi Rama dhe Sali Berisha për t’i përdorur si argument për t’i ikur drejtësisë”, thuhet në deklaratën e PD.

Nga ana tjetër, antikushtetues e quajti vendimin e Kuvendit ndaj Sali Berishës, ndërsa nuk u bashkua në protestën e ish-kryeministrit.

“Vendimi antikushtetues i Kuvendit ndaj Sali Berishës, miratuar vetëm me votat e Edi Ramës pa arsyetim dhe prova, është akt i mirëfilltë politik. Shpërfillja e Kushtetutës dhe ligjit në rastin konkret, është standardi më i keq i vendosur në një shoqëri demokratike”, shkroi Bardhi.

Në protestë mungoi edhe aleati Ilir Meta, i cili në një konferencë për mediat, dhënien e autorizimit për arrestimin e Berishës e konsideroi si një vendim të mazhorancës për të eliminuar opozitën. 

“Votimi i sotëm shënon përshkallëzim të përpjekjeve për asgjësimin opozitës vendim antikushteues që kërkon të ktheje kohën e partisë shtet. Është pjesë e një programi për eliminimin e opozitës dhe instalimin e një opozite fasadë që i bën fresk dhe shërbime këtij regjimi”, tha Meta.

Mospjesëmarrjen e tij në protestat e Berishës, Meta nuk e sqaroi ndërsa tha se kjo nuk është çështja më e rëndësishme.

Vendimi i Kuvendit për të autorizuar arrestimin e Sali Berishës është transmetuar gjerësisht edhe në mediat e rëndësishme ndërkombëtare. Reuters, Uashington Post, Ansa, Protothema, Associated Press. Zëri i Amerikës dhe të tjera e cilësojnë votimin në Parlament si shumë të rëndësishëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:30
Aleati i tij drejt arrestimit, a është i frikësuar Ilir Meta? Ja si përgjigjet kreu i PL

 

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për gazetarët, është pyetur a është vetë i frikësuar, pasi aleati i tij i ngushtë, ish kryeministri Sali Berisha po shkon drejt arrestimit. 

“Nuk kam asnjë shqetësim. Edhe vetë zoti Berisha ka qenë i hapur të bashkëpunojë me drejtësinë, ai ka kontenstuar rrugën që është ndjekur në mbrojtje të parimeve kushtetuese, jo si privilegj, por si mbrojtje që i jep vetë Kuvendi.

Të gjithë e dimë se janë aplikuar standarde të dyfishta, zoti Berisha nuk është deputet i zakonshëm, është lider i forcës kryesore opozitare.

Sa më takon mua, nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë shqetësim. Miti i të paprekshmëve, mendoj se kjo është një përrallë.”, theksoi ai.

Ora 14:10
Meta akuza ndaj SPAK: Po vepron me regji! Porositë i merr nga Rama në kongreset e PS

 

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta hodhi akuza ndaj SPAK, duke deklaruar se po vepron sipas direktivave të dhëna nga kryeministri Edi Rama, i cili sipas tij, në Kongresin e fundit të PS qartësisht po jepte udhëzime për Prokurorinë e Posaçme.

Sipas Metës, edhe hetimet mes rradhëve të socialistëve janë të planifikuara nga Rama për të dhënë idenë se po ndëshkohen të dyja palët.

“Porositë janë dhënë dhe jepen nga kongreset e Partisë. Porositë janë publike dhe të qarta. Përpjekja për të krijuar iluzion sikur po goditen të dyja palët, është një regji e Edi Ramës. Sepse edhe në kohën e komunizmit goditeshin ministra, por kjo nuk bënte gjë tjetër veçse i shërbente regjimit. Edhe sakrifikimet e personave të caktuar, nuk janë gjë tjetër veçse një regji për të vazhduar të gjitha aferat. Përfituesi kryesor në gjithë këtë histori është Edi Rama”- u shpreh Meta.

Ora 13:52
Berisha drejt arrestimit, Meta: Vendimi antikushtetues, skenar i PS për eliminimin e opozitës

 

Ilir Meta në një deklaratë për mediat shprehet se dhënia e autorizimit për arrestimin e Sali Berishës është pjesë e programit të PS për eliminimin e opozitës. Meta tha se PS po vepron me dy standarde, ndërsa quajti antikushtetuese ndryshimet në rregulloren e Kuvendit që parashikon përjashtim deri në 2 muaj për deputetët që ndezin tymuese në kuvend.

" Dhe vetë Berisha ka qenë i hapur të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai ka kontestuar rrugën që është ndjekur, në mbrojtje të garancive që Kushtetuta i jep deputet, jo si privilegj por si mbrojtje që i jep Kuvendit.  Të gjithë e dimë që janë aplikuar standardet e dyfishta, në rastin e Berisha, që nuk është deputet i zakonshëm, është lider i forcës kryesore opozitare. 

Votimit i sotëm shënon përshkallëzim të përpjekjeve për asgjësimin opozitës vendim antikushteues që kërkon të ktheje kohën e partisë shtet. Është pjesë e një programi për eliminimin e opozitës dhe instalimin e një opozite fasadë që i bën fresk dhe shërbime këtij regjimi 

Pak ditë më parë u ndryshua në mënyrë të njëanshme rregullorja e kuvendit. Akt antikushtetues që synon asgjësimin e opozitarizmit, shkel një sërë të drejtash që i garanton deputetit kushtetuta dhe praktikisht e pezullon deputetin nga detyra. Ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore synojnë minimin e trans, llogaridhënien dhe parlamentarizmin", tha Meta.

Ora 11:22
PD nuk ishte në seancën ku u votua për arrestimin e Berishës: Mbështesim SPAK, s’marrim pjesë në skenarët e përgatitur nga Rama e Rithemelimi

1697550004_lulzimbasha.jpg

Partia Demokratike ka reaguar pasi Kuvendi i dha autorizimin SPAK për arrestimin e Sali Berishës. Në këtë seancë që u zhvillua mes kaosit dhe tymueseve, Lulzim Basha dhe deputetët e tij nuk ishin të pranishëm, ndonëse Enkelejd Alibeaj kishte hartuar raportin pro arrestimit të Sali Berishës.

Në fakt deputetët e PD kishin deklaruar se do të votonin pro kërkesës së SPAK, por në deklaratën për shtyp, PD thotë se refuzoi të ishte pjesë e kësaj seance kaosi, pasi nuk bëhet pjesë e skenarëve të përgatitur nga Rama e Berisha.

PD thekson se mbështesin SPAK dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË

Deputetët e PD mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia. Ky është standard i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD dhe deputetët e saj. Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha. Deputetët e PD nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitura nga Edi Rama dhe Sali Berisha për t’i përdorur si argument për t’i ikur drejtësisë. Ata bënë gjithçka për të bllokuar dhe defunksionalizuar drejtësinë por nuk ia dolën.

Shfaqja e shëmtuar që dyshja Rama Berisha u ofron çdo të enjte shqiptarëve, mungesa e debatit dhe bllokimi i jetës parlamentare janë akte që i shërbejnë një qeverie të dështuar dhe një segmenti opozitar që së bashku përpiqen ti fshihen drejtësisë. PD është e vendosur në mbështetjen ndaj SPAK dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjithë ata qeveritarë apo ish qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe përvetësuar pasuritë e tyre. Çdo lloj aleance e dukshme e kullave, apo e padukshme për t’i bërë bisht drejtësisë nuk do mund ta mbajë peng PD dhe misionin e saj për ti dhënë shqiptarëve normalitetin, sigurinë dhe mirëqenien që meritojnë.

Ora 10:53
Kuvendi votoi pro arrestimit të Berishës, reagon Bardhi: Vendim antikushtetues! U miratua vetëm me votat e Edi Ramës

1703165261_bardhi.jpg

Vendim antikushtetues e ka quajtur deputeti Gazment Bardhi vendimin e Kuvendit për ti hapur rrugë arrestimit të Sali Berishës. 

"Vendimi antikushtetues i Kuvendit ndaj Sali Berishës, miratuar vetëm me votat e Edi Ramës pa arsyetim dhe prova, është akt i mirëfilltë politik. Shpërfillja e Kushtetutës dhe ligjit në rastin konkret, është standarti më i keq i vendosur në një shoqëri demokratike.

Cilido duhet të jetë i barabartë përpara ligjit, por barazia duhet të ekzistojë edhe në të drejta. Një standart për bashkëpunëtorët e Edi Ramës dhe një tjetër standart tërësisht i ndryshëm për kundërshtarët e Edi Ramës, nuk është as barazi dhe as drejtësi"
 

Ora 10:52
Berisha drejt arrestimit, Gjekmarkaj: U shkel Kushtetuta e vendit, helm që mund të fundosë ëndrrat për një drejtësi të re

Deputeti Agron Gjerkmarkaj e konsideron shkelje të Kushtetutës miratimin me 75 vota pro të kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Reagimi i plotë i Gjekmarkajt

Ajo që ndodh me Sali Berishën nuk më lë indiferent. E percjell me keqardhje njerëzore, por edhe per atë që ai përfaqëson në historinë bashkëkohore të vendit tonë. Nuk kam ënderruar për asnje çast, si ndokush që gjithçka pameritueshem ka marrë nga ai dhe uron rrënimin e tij pertej çdo qendrimi politik që kam mbajtur e kam në koherencë me veten. Një gjë ra në sy gjatë kësaj ngjarjeje, e them këtë pa pretenduar monopolin e drejtësisë. Kushtetuta e vendit u shkel në nenin e saj nr. 73 dhe u krijua një precedent që la shije gjuetie mbi Sali Berishën, i cili përfaqëson pjesen më të madhe të opozitës.

Ai nuk është mbi ligjin, por as nën të nuk duhet të futet me aksion politik. Pritëm që në mbledhjen e këshillit të mandateve të paraqiteshin prova ndaj tij, por ato nuk i pamë. Dikur kjo mazhorancë kërkonte prova dhe u nxirrte sytë prokurorëve për Saimir Tahirin. Dy standardet janë një standard triumf i politikës mbi drejtësinë, helm ky, që mund të fundosë ëndrrat për një drejtësi të re.
Goditja ndaj tij nuk është e barabartë me asnjë goditje ish-ministri, nëse dikush kërkon të ndërtojë paralelizma.
Një vend pa opozitë apo me atë të nëpërkëmbur , të shtypur nga thundra gardistësh, është vend pa garanci dhe, si i tillë, pa demokraci, është regres. Një vend ku të votuar nga populli opozitar përdoren nga pushteti, është një vend në krizë të thellë etike, aq shumë të tillë sa propozohen bash nga këta, ligje që opozita të dënohet me burg nëse bën denoncime.

Nëse opozita nuk ia del e vetme, shoqëria duhet ta ndihmojë atë ose një ditë do të jetë ajo e vetmuar. Të zgërdhihesh sot me dobësitë e opozites është justifikim ndaj mungesës së forcës për ta parë realitetin në sy. Se çfarë ishte Shqipëria pa opozitë, e kemi të gjithë kujtimin, shenjat, gjurmët në sjellje, mendësi , në trupin e atdheut kudo.

Sekush është në të drejtën e vetë ta gjykojë opozitën, ta braktisë, t’i bashkohet po kaq njerëzore të kesh frikë dhe, në vend të përballjes, të zgjedhësh konfortimim, por secili, së paku para pasqyrës së ndërgjegjjes, t’ia pranojë vetes që tkurrja, ikja, frika nuk janë virtyte, nuk janë vlera. Ajo do të konsiderohet trashëgimia e nënshtrimit, e cila krijon cikle të gjata, ku të drejtat hiqen një nga një dhe mbetesh i vetem perballë policit pa avokat. Një thënie e filozofit spanjoll Migel de Unamuno vlen per të gjithë, ndonëse pro Frankos dhe lëvizjes së tij kundër Republikës, u drejtohet falangistëve me fjalët: “Ju mund të fitoni se keni forcë të shëmtuar brenda vetes me bollëk, por nuk do të bindni. Për të bindur, ju duhet diçka që ju mungon, arsyeja dhe e drejta në përpjekje”. Tre muaj pasi tha këtë në Universitetin e Salamankës, vdiq nën presionin e turmës. Pas vitit 1978 , pas 42 vjetësh, kjo frazë gjendet kudo në Spanjë, nëpër kartolina dhe suvenire. Krenohen që ai e tha , pendohen që reflektuan me vonesë.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja