Reagimi, drejtuesi i gazetës IDEA
Kikia i përgjigjet Malajt

E nderuar zonja Malaj
Në respekt të lexuesve, të profesionit tim, stafit të kësaj gazetë të re që po rritet për tu bërë një fëmijë korrekt në familjen kaotike të medias shqiptare, por edhe të gazetarëve të tjerë, të cilëve ju i drejtoheni përmes kësaj letre, unë doja të shtoja disa rreshta në fund të letrës tuaj të gjatë.
Së pari, dua të them se ajo është e mbushur me shumë mllef, shumë më shumë nga sa pretendoni ju se kanë qenë të mbushura lajmet-shkrime që "derdhin mllef kundër jush". Do të mjaftonte që ju të sqaronit pozicionin tuaj dhe kaq, por edhe duke shënuar në letër se informacioni i publikuar nuk u shpik as në ëndërr, as nga urrejtja jonë ndaj jush, as nga paaftësia e gazetarëve, as nga dëshira jonë për të përbaltur një zyrtar të ndershëm, as nga fobia jonë ndaj qeverisë etj etj. Thjeshtë, znj Malaj, gazetarët e panë CV-në tuaj në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe iu referuan. Ashtu siç iu referuan edhe disa deputetëve që, po ashtu si ju, kanë publikuar CV-të e tyre në faqën e Kuvendit dhe kanë shënuar se janë regjistruar në shkollën Kristal në vitin 2005 ose 2006 dhe janë diplomuar si juristë në vitin 2007. Në nuk shpifëm, ta zëmë, duke thënë se ju keni qenë në burg e dënuar për trafik droge dhe as se po përgatiteni të hidhni në erë tunelin e Kalimashit.
Në gjithë sa ju shkruani zonja Malaj, ka një të vërtetë, që ju nuk jeni tani e punësuar në Kristal. Dhe ne këtë po e theksojmë, pavarësisht origjinës së gabimit, ju nuk jeni më e punësuar tek Kristal. Por, në gjithë sa shkruani, nuk është fare e vërtetë që ju jeni sulmuar sepse po merreni me politikë. Kjo edhe për një arsye shumë të madhe. Çfarëdo posti që mund të mbani ju në çfarëdo lloj partie, ju do të njiheni vetëm si Nora Malaj, pasi "partia" juaj e profesionit dhe integritetit është shumë më e madhe se partia ku aderoni apo mund të aderoni nesër. Në këtë kuadër, janë krejtësisht të pavend dhe shumë të tepërta të tërë epitetet që jeni lodhur, ose jo, të gjeni për t'ua mveshur gazetarëve.
Ne do të vazhdojmë të shkruajmë për skandalin ku është zhytur shkolla ku ju keni punuar(jo për fajin tuaj), por edhe institucioni ku ju vazhdoni të punoni(kjo edhe për fajin tuaj).
Ne disponojmë dëshmi që do ti publikojmë, të cilat tregojnë sesi në atë shkollë, ku ju keni qenë një nga drejtuesit, studentët janë regjistruar edhe direkt në vitin e dytë apo të tretë, duke paguar paratë në dorë.
Ne disponojmë dëshmi se Ministria e Arsimit ka qenë në dijeni të maskaradës që luhej në atë shkollë dhe nuk ka ndërhyrë, madje ka bashkëpunuar duke ia shtrirë filialet e saj në çdo qytet, madje edhe atje ku ka vetëm një shkollë të mesme të bashkuar.
Ne po e shikojmë të gjithë publikisht, që edhe pse skandali ka marrë dhenë dhe diplomat e një universiteti shqiptar të licencuar nga qeveria shqiptare, janë bërë gazi i botës, janë bërë një copë letër paçavure me të cilën po tallen tërë mediat e huaja, ministria ku ju mbani një post të rëndësishëm, nuk ka marrë ende asnjë masë.
Ju mund të mos keni përgjegjësi për çfarë ka ndodhur në Kristal pasi ju ikët. Por ju duhet të mbani një pjesë të përgjegjësisë për heshtjen e Ministrisë së Arsimit. Ajo shkollë është sot një vend krimi dhe është e patolerueshme që ende nuk ka dalë asnjë zë nga ai institucion, lidhur me këtë skandal.
Zonja Malaj, në duhet të dimë se sa doganierë, inspektorë tatimesh, drejtorë, policë, nëpunës, infermierë etj, janë sot në zyrat e shtetit pasi kanë blerë po ashtu si Renzo Bossi një diplomë tek Kristal?
Në vërtet shkruajtëm që, nëse ju vazhdoni të jeni e punësuar në Kristal, duhet të jepnit dorëheqjen. Por, meqë ju i kishit ndërprerë marrëdhëniet e punës me këtë shkollë, keni tani një arsye edhe më të madhe për ta dhënë dorëheqjen, ju dhe së pari eprori juaj. Një ministër transportesh në Korenë e Jugut, pak vite më parë, dha dorëheqjen sepse u shemb një urë e ndërtuar në vitin 1950. Sepse ishte detyra e tij ta kontrollonte nëse ishte apo jo e fortë ura. Ndërsa juve u është shembur institucioni më i madh i arsimit privat dhe tërë bota po gajaset me në dhe arsimin tonë.
Padyshim që ju mund të thoni se do të pritën rezultatet zyrtare të hetimit. Por ato nuk do të dalin kurrë, të jeni e sigurtë. Kjo, pasi juve e keni dhënë dorëheqjen si pedagoge nga Kristali, ndërsa shumë prokurorë dhe gjykatës e kanë ende emrin në borderotë e tij.
E nderuar Zonja Malaj
Ju mund të jeni krejtësisht e pafajshme dhe mund të mos jeni në dijeni të shumë gjërave. Por qenia juaj në atë post, të jeni e sigurtë, ju bën më shumë pis nga se ju mendoni se ju kemi bërë ne, në mënyrë të qëllishme dhe për arsye politike, sipas jush.
Zonja Malaj
Unë do të jem shumë i lumtur që ju të bëheni pjesë e debateve në gazetën tonë për cilësinë e arsimit në Shqipëri. Por tani shoqëria jonë ka nevojë të ndriçohet ajo që ka ndodhur tek Kristali. Ajo ka nevojë që të shndërrohet kjo në një precedent nga ku të prodhojmë ilaçin e tërë kristaleve që "shndrijnë" në çdo lagje të Tiranës dhe në çdo qytet të Shqipërisë.
Megjithatë le të flasim, le të shkruajmë sa më shumë për arsimin dhe plagët e tij.
Pasojat e një qeverie të korruptuar ne mund ti vuajmë për disa vjet, ndërsa pasojat e një arsimi të korruptuar do ti vuajë për disa dekada.
Me konsideratë
Mentor Kikia

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Britania i hapi rrugë dërgimit të emigrantëve në Ruanda, avokati: Do çohen edhe shqiptarët, vendim i paligjshëm