Kryeministri Edi Rama komentoi dhe reagimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë ku kërkohej hetimi i situatës së krijuar në Zvërnec, pasi një shtetas grek mbeti i lënduar, i cili u cilësua në reagim si pjesë e minoritetit grek në Shqipëri. Rama tha se dhuna e ushtruar në protestën në Zvërnec, ishte dhunë nga një grup rojesh private dhe jo akt dhune shtetërore “siç ka ndodhur me shqiptarët në burgjet apo rrugët e Greqisë”.

“Për herë të parë dje dëgjova që paska popullsi homogjene greke. Këtë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë, ndoshta ngaqë jam injorant. U mahnita nga deklarata e Ministrisë së Jashtme të Greqisë. Ishte një akt dhune, por jo akt dhune shtetërore, siç ka ndodhur me shqiptarët në burgjet e Greqisë. Siç ka ndodhur më parë edhe me shqiptarë në rrugët e Greqisë.

Që të jetë një akt dhune nga një grup rojesh private dhe të ngrihet shteti në këmbë për të nënvizuar etninë e protestuesit, kjo është diçka që, sipas meje, nuk i shërben marrëdhënieve tona, të cilat janë përsëri në ditët e tyre më të mira.

Këtë e futa këtu sepse dua të them që pretendimet janë legjitime, por ato zgjidhen në gjykata. Sepse titujt e pronësisë janë baza e çdo veprimtarie dhe jo pretendimet. Siç ndodhi edhe në Rrjoll, ku toka ishte blerë nga pronarët që kishin letrat përkatëse. Disa të tjerë ishin pretendues. Nuk mund të zhvillohet vendi nëse mbetet pezull mes titujve të pronësisë dhe pretendimeve, pas gjithë katrahurës që kemi trashëguar”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

‘Zvërneci’, Rama: Investim 4 mld euro nga Katari, Pishë-Poro zonë e mbrojtur kategoria 5, por lejon zhvillimin! Toka iu ble pronarëve, policia t’i arrestonte në vend ata që morën zvarrë qytetarin