Ecuria negative e Real Madrid mund të bëjë që shumë shpejt të pritet koka e trajnerit Lopetegi. Sipas prestigjiozes “Corriera Della Sport” disa persona të afërt të presidentit Fiorentino Perez kanë kontaktuar Antonio Conte-n.
Ish-trajneri i Juventusit, pavarësisht shkarkimit nga Chelsea është ende nën kontratë me londinezët, por heqja dorë nga dëmshpërblimi mund ta sheshojë këtë problem. Italiani ka qenë edhe më herët në radarët e Real Madrid, por tifozët e “galaktikëve” nuk e dëshironin Conte-n për shkak të filozofisë së lojës.
Gjithçka mes palëve mund të konkretizohet pas datës 28 tetor, dita kur luhet “El Clasico” me Barcelonën që është edhe mundësia e fundit e Lopetegit për të bindur Perez.
Ndërkohë pak ditë para derbit të Madoninës mes Interit dhe Milanit ka folur sulmuesi i “djallit” Gonzalo Higuain. Argjentinasi fillimisht është shprehur se skuadrës së drejtuar nga Gatusso i mungon diçka për të luftuar për kampionatin, por Kupës dhe “Europa Ligës” mund t’I shkojnë deri në fund.
Sa i takon krahasimit me sulmuesin dhe kapitenin e Interit Mauro Icardi, “El Pipita” deklaron:
“Pse ta kemë zili? Me kokë është shumë I saktë, brenda zonës është vrasës, por kapitenët si ai nuk më pëlqejnë. Gjithsesi në fushë nuk do të jemi vetëm unë dhe ai, por 11 kundër 11. E rëndësishme është që Milani jo vetëm kundër Interit, por ndaj të gjithë kundërshtarëve të hyjë në fushë me menatilitetin për të fituar.”