VOA: Zoti Reeker në fillim të muajit maj, gjatë një dëshmie para Komisionit Amerikan të Helsinikit ju theksuat se “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se që zgjedhjet të jenë në përputhje me standartet ndërkombëtare duhet të respektohet pavarësia e institucioneve; debati politik duhet të jetë konstruktiv dhe i civilizuar; dhe populli shqiptar duhet të ketë besim si në procesin zgjedhor, edhe në rezultatin e zgjedhjeve”. A mendoni se sot, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga zgjedhjet, Shqipëria ka shans që këtë herë t’i përmbushë standartet ndërkombëtare?
Philip Reeker: Dua të theksoj se Uashingtoni dhe Brukseli, miq të Shqipërisë, po i ndjekim me shumë vëmendje zgjedhjet, procesin deri në ditën e votimeve, mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe reagimin për rezultatin e zgjedhjeve. Është shumë e rëndësishme për popullin e Shqipërisë, që këto zgjedhje të kryhen në një formë të tillë, që është e përshtatshme për një vend anëtar të NATO-s. Ne jemi krenarë që Shqipërinë e kemi partnere në NATO. Ata duhet të marrin masa, që populli shqiptar t’i besojë procesit elektoral dhe që zgjedhjet të plotësojnë standardet ndërkombëtare dhe ato evropiane. Kjo do të krijonte bazën për fazën e ardhshme të integrimit të plotë të Shqipërisë në komunitetin euro-atlantik.
VOA: Duket se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i administrojë zgjedhjet me 4 anëtarë. Si do të ndikojë kjo për zhvillimin e zgjedhjeve? A mendoni se zgjedhjet do të rrezikohen?
Philip Reeker: Një nga gjërat për të cilat kam folur dhe jam shprehur qartazi më parë përpara Kongresit, është se për të plotësuar standartet ndërkombëtare, institucionet duhet të shihen si të pavarura dhe plotësisht funksionuese. Moskonstituimi i plotë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve paraqet sfida për administrimin me efektivitet të zgjedhjeve, veçanërisht përsa i përket certifikimit të zgjedhjeve dhe trajtimit të apelimeve. Ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë e kemi theksuar se kjo është një çështje e rëndësishme, të cilës i duhet kushtuar vëmendje. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se populli shqiptar, shtetasit me të drejtë vote, kanë më pak besim tek procesi, si rezultat i vazhdimit të vështirësive me statusin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por megjithëse KQZ-ja nuk është e plotë, partitë politike, kandidatët, si qeveria edhe opozita kanë vendosur t’i zhvillojnë zgjedhjet dhe ato kanë përgjegjësinë t’i zhvillojnë këto zgjedhje në përputhje me statusin e Shqipërisë si një aleate e NATO-s, në mënyrë që gjithë populli shqiptar të ndihet krenar për to.
VOA: A ekziston shqetësim në Uashington se rezultati i zgjedhjeve nuk do të pranohet nga ndonjëra prej palëve?
Philip Reeker: Le të kujtojmë se në Shqipëri ka mjete ligjore për të apeluar rezultatin e zgjedhjeve përmes sistemit të gjykatave. Si e zhvillojnë fushatën partitë politike, si i zhvillon zgjedhjet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si numërohen votat, si zgjidhen mospajtimet, si reagon publiku dhe partitë politike ndaj rezultatit të zgjedhjeve, të gjitha këto do të dërgojnë një mesazh shumë të qartë rreth të ardhmes së Shqipërisë. Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë se të gjitha këto aspekte do të kenë rol shumë të madh në përcaktimin e ritmeve dhe hapave të ardhshëm të statusit të Shqipërisë si vend kandidat dhe do të ishte me pasoja reale nëse do të kishte mosmarrëveshje të gjata dhe të papajtueshme rreth rezultatit. Do të kishte një ndikim për shembull, në vlerësimin që vendet e tjera do t’i bëjnë Shqipërisë përsa u përket kërkesave për viza, do të kishte ndikim se si investitorët e huaj do ta shikojnë Shqipërinë, do të ngrihen pikëpyetje për stabilitetin, për pavarësinë dhe për forcën e institucioneve demokratike. Pra të gjitha këto do të kenë ndikim të madh për të ardhmen e Shqipërisë, për të cilën të gjithë votuesit në Shqipëri janë të interesuar. Ne presim udhëheqje, kandidatë dhe institucione të përgjegjshme që këto zgjedhje t’i zhvillojnë në mënyrë të rregullt dhe më pas, pasi votimi të mbarojë, t’i zhvillojnë fazat e tjera po me rregullsi.
U takon të gjitha palëve të përfshira, që të respektojnë rezultatin përfundimtar. Është sinjal i rëndësishëm, që Shqipëria të veprojë në përputhje me statusin e saj si vend anëtar i NATO-s duke zhvilluar zgjedhje të rregullta, që të njihen si të tilla. Në rajon kemi parë zgjedhje të zhvilluara mirë, si në Mal të Zi, në Maqedoni, në Serbi, që kanë plotësuar standardet e zgjedhjeve të lira e të drejta sipas përcaktimit të OSBE/ODIHR-it. Unë kam besim se edhe në Shqipëri kjo mund të ndodhë, por ajo kërkon përpjekje serioze nga të gjitha palët, nga qeveria, opozita, të gjithë kandidatët, institucionet dhe të gjithë banorët, për të kërkuar që këto zgjedhje të jenë të mira për Shqipërinë dhe për të ardhmen e Shqipërisë.
VOA: Meqë KQZ-ja nuk do të jetë në gjendje ta certifikojë rezultatin e zgjedhjeve, a është e pranueshme që rezultati të certifikohet nga Kolegji Zgjedhor?
Philip Reeker: Ligjet e Shqipërisë, kushtetuta e Shqipërisë, parashikojnë procedura ligjore për këto raste. Siç e theksuam, duke mos e plotësuar KQZ-në, do të ketë vështirësi për administrimin e suksesshëm të zgjedhjeve. Këtë e kemi theksuar shpesh herë. Por megjithë managësitë e KQZ-së, si qeveria edhe opozita kanë vendosur të shkojnë në zgjedhje. Mendoj se numërimi i votave do të jetë një element kritik, një pjesë e rëndësishme e procesit, është një nga elementët që nuk gëzon nivelin më të lartë të besimit të publikut, bazuar në historikun e manipulimeve elektorale në të kaluarën, prandaj u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të kenë përfaqësuesit e tyre në aparatin lokal elektoral dhe në grupet e numërimit të votave, që të jenë pjesë e këtij procesi dhe të respektojnë deri në fund, në gërmë dhe në frymë, ligjet. Duke ndjekur ligjet, duke respektuar institucionet dhe pavarësinë e tyre, atëhere edhe elektorati, popullsia, banorët do të kenë besim tek procesi. Përpjekjet për të vonuar ose manipuluar procesin do ta gërryenin më tej besimin e publikut tek zgjedhjet në Shqipëri dhe tek partitë si përfaqësuese të ligjshme të interesave të qytetarëve. Qytetarët e Shqipërisë dhe unë kam folur me shumë prej tyre, presin që zgjedhjet të shënojnë përparim, ata duan të jenë krenarë nga zgjedhjet, të jenë krenarë nga ato që kanë arritur, të thellojnë më tej integrimin euro-atlantik, të tërheqin më shumë investime të huaja dhe të kenë atë qëndrueshmëri dhe begati që meritojnë.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)