Renditja e kandidatëve për KLGJ, sipas vlerësimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Ilir Panda 84.95 pikë, Mirela Bogdani 82.7 pikë, Erjon Muharremaj 79 pikë, Maksim Qoku 73.34 pikë, Brunela Kullolli 66.87 pikë dhe Dariel Sina 65 pikë. Ndërkaq, vlerësimi i kandidatëve për Këshillin e Lartë Gjyqësor, sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është Ilir Panda 88.27 pikë, Mirela Bogdani 80.7 pikë, Erjon Muharremaj 79 pikë dhe Maksim Qoku, 74.34 pikë.
Sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kandidatët Erjona Canaj, Brunela Kullolli dhe Dariel Sina nuk kualifikohet për në fazën finale për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Edhe për kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit kanë bërë vlerësime të ndryshme. Renditja e kandidatëve për KLP sipas vlerësimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit është Gent Ibrahimi 90.47 pikë, Mirela Bogdani 86.95 pikë, Sandër Beci 82 pikë, Dariel Sina 71.7 pikë, Erjona Canaj 68.2 pikë, Eneida Sema 66.95 pikë dhe Oriona Muçollari 56.2 pikë.
Ndërkaq, vlerësimi sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është Gent Ibrahimi 94.17 pikë, Mirela Bogdani 85.95 pikë, Sandër Beci 77 pikë, Eneida Sema 65.95 pikë dhe Oriona Muçollari 57.2 pikë. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vlerësuar se kandidatët Erjona Canaj dhe Dariel Sina nuk kualifikohen, pasi nuk përmbushin kriteret e parashikuar në ligj.
Raportet në Komisionin e Ligjeve
Dy raportet me kandidatët e kualifikuar do t’i përcillen Komisionit të Ligjeve. “Në përfundim të procesit të vlerësimit, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, bazuar në pikën 7 të nenit 35, si dhe në nenet 286 dhe 287 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, përfundoi hartimin e raportit të vlerësimit, listës së kandidatëve që plotësojnë kushtet kushtetuese dhe ligjore, dhe listës së kandidatëve të përjashtuar, për kandidatët që kanë aplikuar nga trupa e pedagogëve të institucioneve të arsimit të lartë dhe Shkollës së Magjistraturës për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Këto dokumente si dhe raportet e vlerësimit dhe kopje të listave të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, së bashku me dokumentacionin për secilin kandidat, do t’i përcillen brenda afatit ligjor, Komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Përbërja e Këshillit të Lartë Gjyqësor
Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga njëmbëdhjetë anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. Gjashtë prej anëtarëve të Këshillit janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor. Pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë, të Shkollës së Magjistraturës dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile. Anëtarët gjyqtarë zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve.
Anëtarët jogjyqtarë që zgjidhen nga radhët e avokatëve, trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe shoqërisë civile zgjidhen nga Kuvendi, bazuar në një proces vlerësimi paraprak të kushteve dhe kritereve ligjore, sipas rregullave të parashikuara në ligj. Përveç rasteve kur vërtetohen kushtet për ndërprerjen e parakohshme të mandatit, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor qëndron në detyrë për 5 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Anëtari gjyqtar, në përfundim të mandatit, kthehet në vendin e mëparshëm të punës.
Gjyqtarit të Gjykatës së Lartë ose i gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme i pezullohet mandati si gjyqtar gjatë kohës që ushtron funksionin si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Anëtari gjyqtar i Këshillit nuk mund të transferohet, të ngrihet në detyrë ose të delegohet gjatë 3 viteve pas përfundimit të mandatit.
Përbërja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Këshilli i Lartë i Prokurorisë është organ kolegjial, i përbërë nga njëmbëdhjetë anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. Gjashtë prej anëtarëve të Këshillit janë prokurorë nga të gjitha nivelet e prokurorisë. Pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë joprokurorë, të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të drejtësisë dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile. Anëtarët prokurorë zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve.
Anëtarët joprokurorë që zgjidhen nga radhët e avokatëve, trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe shoqërisë civile zgjidhen nga Kuvendi, bazuar në një proces vlerësimi paraprak të kushteve dhe kritereve ligjore, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj. Përveç rasteve kur vërtetohen kushtet për ndërprerjen e parakohshme të mandatit, anëtari i Këshillit të Lartë i Prokurorisë qëndron në detyrë për 5 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme. Anëtari i Këshillit gëzon pagën dhe përfitimet e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë. Anëtari prokuror i Këshillit nuk i nënshtrohet vlerësimit etik dhe profesional të veprimtarisë gjatë kohës së shërbimit si anëtar. Performanca gjatë kohës së shërbimit si anëtar i Këshillit merret në konsideratë në rast të transferimit ose promovimit, sipas ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Vlerësimi
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit kanë bërë vlerësime të ndryshme për kandidatët që kanë shprehur interesin për dy nga organet më të rëndësishme të drejtësisë së re.
Skualifikimi
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vlerësuar se kandidatët Erjona Canaj dhe Dariel Sina nuk kualifikohen, pasi nuk përmbushin kriteret e parashikuar në ligj.
Renditja e kandidatëve për KLGJ sipas vlerësimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit
Ilir Panda, 84.95 pikë
Mirela Bogdani, 82.7 pikë
Erjon Muharremaj, 79 pikë
Maksim Qoku, 73.34 pikë
Brunela Kullolli, 66.87 pikë
Dariel Sina, 65 pikë
Vlerësimi sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit
Ilir Panda, 88.27 pikë
Mirela Bogdani, 80.7 pikë
Erjon Muharremaj, 79 pikë
Maksim Qoku, 74.34 pikë
Erjona Canaj, nuk kualifikohet
Brunela Kullolli, nuk kualifikohet
Dariel Sina, nuk kualifikohet
Renditja e kandidatëve për KLP sipas vlerësimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit
Gent Ibrahimi, 90.47 pikë
Mirela Bogdani, 86.95 pikë
Sandër Beci, 82 pikë
Dariel Sina, 71.7 pikë
Erjona Canaj, 68.2 pikë
Eneida Sema, 66.95 pikë
Oriona Muçollari, 56.2 pikë
Vlerësimi sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit
Gent Ibrahimi, 94.17 pikë
Mirela Bogdani, 85.95 pikë
Sandër Beci, 77 pikë
Eneida Sema, 65.95 pikë
Oriona Muçollari, 57.2 pikë
Erjona Canaj, nuk kualifikohet
Dariel Sina, nuk kualifikohet
(Raporti i Kuvendit për kandidatët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë)
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com