Vetëm një në katër turistë që hyri në Shqipëri vitin e shkuar fjeti në një nga hotelet, bujtinat apo apartamentet me qira të vendit. Nga rreth 12.4 milionë vizitorë të huaj që erdhën vjet, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se pak më shumë se 3 milionë prej tyre u akomoduan për të paktën një natë në strukturat tona akomoduese, pra vetëm 25% e turistëve.
Kjo diferencë justifikohet nga tre arsye sipas operatorëve të tregut: Strukturat hoteliere nuk deklarojnë numrin real të pushuesve, pjesa më e madhe e të huajve që vijnë janë nga rajoni dhe nuk flenë në Shqipëri ose janë shqiptarë me pasaportë të huaj që akomodohen tek të afërmit e tyre, si dhe akomodimet në struktura informale, kryesisht në apartamente të regjistruara në AirBNB dhe jo në hotele.
Shifrat tregojnë se as referencat e caktuara nga qeveria vjet, se nga 1 maji deri në 30 shtator shfrytëzimi i kapaciteteve të hoteleve apo resorteve të mos ishte më pak se 65% ose ndryshe do të përballen me kontrolle tatimore, nuk dha rezultate. Shifrat e INSTAT tregojnë se edhe në kulmin e sezonit turistik, norma e shfrytëzimit të deklaruar të dhomave ishte 61.5%, ndërsa e shtretërve ishte në rreth 69% në gusht.
Praktikisht edhe ndryshimet ligjore, shoqëruar me thirrje të qeverisë për ndëshkime ndikuan pak në shtimin e deklarimeve nga strukturat akomoduese.
Komente











