Tetorin e këtij viti pritet të numërohet çdo metër tokë që mbillet, çfarë kultivohet, sipërfaqja e fermave bujqësore, makineritë që përdoren e deri tek të punësuarit në këtë sektor, por edhe për regjistrimin e çdo krerë bagëtie, ferme blegtorale apo çdo koshere blete.

Drejtoresha e INSTAT Lantona Sado tha në Komisionin e Ekonomisë se censi i bujqësisë do të zhvillohet në tetor 2026, dhe se janë në pitje që Ministria e Bujqësisë të depozitojë në Kuvend  projektligjin e hartuar nga INSTAT për këtë qëllim.

“Kemi një sfidë këtë vit që lidhet me CENSIN e bujqësisë që do të shërbejë për hartimin e politikave socio-ekonomike të vendit. Ndërkohë që presim miratimin e projektligjin që është në duart e Ministrisë së Bujqësisë ne po vijojmë me udhëzimet në këtë drejtim. Kemi ngritur njësinë e censit, për tu bërë gati për cens-in. Parashikohet që CENS të bëhet në tetor të këtij viti, që do të përfshijë prodhimin e bimëve, blegtorinë, përdorimin e tokës dhe inputet”, tha Sado.

Por kjo deklaratë e drejtoreshës së INSTAT, nuk është mirëpritur nga deputeti i PS-së Erion Braçe, i cili e shikon si konflikt interesi që projektligji për censin në bujqësi ti lihet Ministrisë së Bujqësisë.

“Nëse do të bëni një cens siç e do ministra e bujqësisë mos i harxhoni lekët kot. Do të dalin më shumë lopë se para 10 vjetësh, do të dalin dele më shumë, dhe do të prodhojmë më shumë sesa vjen nga importi. Ministria e Bujqësisë ka një interes shumë të lartë që prodhimi bujqësor e blegtoral të jetë shumë i lartë. Ne duam një cens që të na thotë të vërtetën dhe jo të konfirmojmë deklaratat e Ministrisë së Bujqësisë. Se u bë një numërim nga INSTAT para 3 vitesh me drejtoritë e veterinarisë e të tjera me radhë dhe po ju them se sekret fare, vajta i gjeta të mbledhur atje ku ju thuhej mos dëgjoni Erion Braçen, por ju shkruajeni kështu”, tha Braçe.

“E kemi dorëzuar të hartuar projektligjin, tek Ministria e Bujqësisë, sepse nuk kemi tagër ta propozojmë ne si projektligj”, u përgjigj Sado.

Censi pritet të kushtojë 8.9 milionë euro dhe brenda 4 javësh INSTAT synon të regjistrojë tokën bujqësore që mbillet, fermat bujqësore e deri tek tufat e bagëtive. Ky regjistrim i bujqësisë dhe blegtorisë është shtyrë disa herë që prej vitit 2022 për arsye të ndryshme.

Fotografimi i fundit që i është bërë sektorit bujqësor dhe blegtoral ka qenë në vitin 2012.

Brenda 12 viteve sipërfaqja e tokës së mbjellë është tkurrur me 18.7 mijë hektarë, pasi në fund të 2024-ës totali i tokës bujqësore së mbjellë sipas INSTAT ishte 677 mijë hektarë. Po kështu edhe blegtoria, tufat e bagëtive janë rrudhur me 960 mijë krerë në total. Nëse në 2012 në Shqipëri numëroheshin më shumë se 2.9 milionë krerë lopë, dele e dhi, në fund të vitit 2024 në total ishin 2 milionë krerë. Ndërsa biznesi i ‘ëmbël’ i mjaltit është shtuar, nga 239 mijë koshere në vitin 2012, në 587 mijë koshere vjet.