100 mijë firma në total për shfuqizimin e ligjit të investimeve strategjike dhe ligjit të Paketës së Maleve, kërkon Adriatik Lapaj në Këshillin Tranzitor Kombëtar të “Shqipëria Bëhet.” Në këtë mbledhje, ai shprehu kërkesën për të mbledhur 50 mijë firma për secilin prej ligjeve që i cilëson si mjete për të vjedhur pronën e qytetarëve.
Ai theksoi se tanimë është koha për të vepruar, me qëllimin për ta çuar vendin drejt referendumit kombëtar.
“Me përgjegjësinë kombëtare të angazhimit tonë, kërkoj nga ju një besëlidhje të fuqishme për t’u angazhuar për shfuqizimin e këtyre dy ligjeve. Fjalët i merr era, është koha dhe duhen vepra. I propozoj këtij Këshilli të nisim procedurat ligjore për të kërkuar nga KQZ formularët për mbledhjen e 50 mijë firmave për secilin prej dy ligjeve për ta çuar vendin në referendum kombëtar për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe ligjit për Paketën e Maleve. Është koha të shfuqizojmë babëzinë e pushtetit të Edi Ramës. Është koha të ndalim vjedhjen me ligj të atdheut!”, tha Lapaj.
Lapaj tha se ky Këshill Kombëtar ku bëjnë pjesë ata që i quajti “qëndrestarë”, kanë objektiv për ta kthyer “Shqipëria Bëhet” në “forcën më të strukturuar në vend.”
“Ne e kemi vendosur që do t’ia dalim, do të jemi brezi që do t’i japë fund tranzicionit dhe do të sjellë shtetndërtimin demokratik. Ne jemi të qartë për çfarë duam dhe çfarë meriton çdo qytetar i vendit tonë”, u shpreh Lapaj.
Ai nënvizoi gjithashtu se arrestimet e hetimet që u zhvilluan përgjatë protestës 108-ditore të “Shqipëria Bëhet” përpara Kryeministrisë, janë deklaruar të paligjshme.
Komente










Vjedhin pronat sepse 3/4 e popullsise ka emigruar or teeeejjjjj
Përgjigju