Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori ishte i ftuar këtë të hënë në ‘Studio Live’ në moderimin e Ermal Qorit. Gjatë kësaj interviste Qori foli rreth takimit që pati me Ambasadorin e Bashkimit Europian Silvio Gonzato më 9 prill dhe vendoret e 2027-ës.
“Pata një ftesë nga zoti Gonzato dhe tema ishte për ndryshimet e mundshme në kodin zgjedhor dhe sistemin politik në Shqipëri. Për ne ka shumë rëndësi ligji i financimit të partive. PS dhe PD janë ulur në një tryezë dhe po rrahin ujin në hava. Neve përveçse na mungon një ligj i financimit për partitë na mungon edhe një propozim serioz që vetëm ne si lëvizje e kemi shtruar më herët.
Ne propozojmë që të kemi rregulla më të forta dhe penalitete për financimin e paligjshëm. Kemi një varg propozimesh që shpresojmë mos të bien në vesh të shurdhër. Unë shkoj në me kënaqëi të madhe dhe diskutoj në mënyrë serioze, por qëndroj me këmbë në tokë. Nuk i dua t’i përdor takimet me përfqësues ndërkombëtar për politikë. Nëse pala tjetër e publikon takimin është e drejta e tyre”, tha Qori.
Ndër të tjera Qori theksoi se ‘Lëvizja Bashkë’ është gjithmonë në komunikim me qytetarët jo vetëm kur janë në fushatë zgjedhore.
“Ne në fushatë jemi gjithmonë, fushata është politikë e përditshme. Kemi nisur para disa mujash një fushatë, që nuk është elektorale ‘Platforma për të dalë nga kriza’, për të çuar në Kuvend një sërë propozimesh për ligje të reja. Ne po mbledhim edhe firma qytetëarësh, sepse kemi nevojë edhe për mendimet e qytetarëve. Raporti ynë me shoqërinë është dinamik, kemi komunikim të përditshëm. Në 30 ditët para zgjedhjeve i ke të gjithë në rrugë. Për ne politika është punë e përditshme”, theksoi Qori.
Sa i përket humbjes së Orbanit, Qori theksoi se kjo gjë tregon se një udhëheqës autoritar mund të rrëzohet pavarësisht sa vite mund të ketë ai politikan në krye.
“Ky është një ndryshim pozitiv për Hungarinë. Orban ishte një drejtues shovinist, një njeri autoritar. Rënia e tij është një lajm i mirë, pasi tregon që një udhëheqës autoritar mund të rrëzohet. Kjo që gjë mund të ndodhi edhe në Shqipëri, megjithëse ne kemi mjaft ndryshim në krahasim me Hungarinë”, nënvizoi ai.
Në fund të intervistës Qori tha do të jetë ai kandidati i zgjedhur nga ‘Lëvizja Bashkë’ për vendoret e 2027-ës. Teksa u pyet në lidhje me kandidimin e Erion Braçes, ai nënvizoi se kushdo që të kandidojë nga PS do të marrë përgjegjësitë e Ramës.
“Nuk na duhet bashkimi me asnjë subjekt politik. Unë jam i gatshëm të marrë çdo lloj detyre. Më kanë propozuar për të qenë kandidtat nga Lëvizja Bashkë. E kam bërë njëherë këtë përvojë në 2023-in. E përjetoj Tiranën si çdo qytetar tjetër. Jam i sigurt se do të jetoj mes qytetarëve të Tiranës. Kushdo që të kandidojë nga PS do të marrë përgjegjësitë e Ramës. Sikundër kushdo që të dalë nga kopshti i Berishës”, përfundoi Qori.
Komente











