E ritheksojmë këtë, pasi nëse herët e parë e korigjuam vetë nenin, duke vendosur nenin 150 të Kushtetutës së Shqipërisë që përcakton referendumin popullor, përsëritja për herë të dytë dhe të tretë dhe nga vetë kryeministri Berisha na bën të mendojmë se është një gafë e Berishës apo mosnjohje e Kushtetutës, por nuk përjashtohet dhe fakti që Berisha mund të mos e ketë seriozisht idenë e referendumit përderisa i referohet disa herë një neni që ka të bëjë me taksat dhe pa lidhje me referendumin popullor.
"Neni 155 i Kushtetutës së vendit njeh tre mundësi. Ky nen autorizon Këshillin e Ministrave, si institucion me të drejtën për të kërkuar mbajtjen e referendumit; autorizon 50 mijë qytetarë, autorizon 1/5 e parlamentit. Midis tyre, këshillime të shumta nga deputetë e juristë sugjeruan që të jenë deputetët ta ndërmarrin nismën, pasi për dhjetë vite me radhë, ishin ata promotorë të këtij procesi dhe, meqenëse hasën në një mur absurd, të kenë vendosmërinë t'i drejtohen popullit", tha Berisha para gazetarëve ende pa filluar pyetjet prej tyre. Por nëse përmendjen në deklaratën fillestare të nenit 155 të Kushtetutës e menduan si lapsus të kryeministrit, ai nuk ka munguar që dhe në përgjigjen që dha për gazetarët për referendumin, sërish ti referohej nenit 155, duke bërë në harkun kohor të disa minutave të njejtin gabim.
"Referendumi është forma direkte e demokracisë. Të lexojnë nenin 155 të Kushtetutës. Në të gjithë hierarkinë, ai është kryeneni: 50 mijë qytetarë, 1/5 e parlamentit e Këshilli i Ministrave kanë të drejtë t'i drejtohen sovranit për verdikt. Këtu ndal, nuk shkohet më tutje. Specifikohen disa problematika. Natyrisht, s'mund ta bëjnë këtë, kur bëhet fjalë për territor, me të cilën na kërcënoi zoti Rama, se do organizonte referendum për çështje territoriale", tha Berisha. Për të qenë korrektë me qytetarët, kryeministrin e veten, po japim të plotë nenin 155 të Kushtetutës. "Pjesa e dymbëdhjetë, financat publike/neni 155: 1.Sistemi buxhetor përbëhet nga buxheti i shtetit e nga buxhetet vendore. 2.Buxheti i shtetit krijohet nga të ardhurat e mbledhura prej taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare, si dhe nga të ardhura të tjera të ligjshme. Ai përfshin të gjitha shpenzimet e shtetit. 3.Organet vendore caktojnë e mbledhin taksa dhe detyrime të tjera siç përcaktohet me ligj. 4.Organet e pushtetit qëndror e atij vendor janë të detyruara t'i bëjnë publike të ardhurat dhe shpenzimet", është neni 155 i Kushtetutës që bën fjalë për financat publike, buxhetin dhe si përfitohet ai përmes taksave. Pikërisht referuar këtij neni, Berisha njoftoi se mazhoranca brenda dy javëve të para të shtatorit do të dorëzojë kërkesën për heqjen e imunitetit. Ai ftoi dhe deputetët e majtë të firmosin për heqjen e imunitetit. "Keni për ta parë prap se prap pas zgjedhjeve të 2013 që zotëria do kërkojë serish ndryshimin e ligjit, pasi do humbasë dhe unë do ia pranoj. Por, imuniteti është thelbësore, se i thua qytetarëve jam si ti", shtoi Berisha. Ka reaguar menjëherë kreu i PS, Edi Rama pas akuzave të Berishës se opozita kundërshton heqjen e imunitetit duke privuar vendin nga e drejta e marrjes së statusit të kandidatit për në BE. "S'është opozita ajo që e bllokon integrimin, po është qeveria që fajson në kor opozitën për të justifikuar dështimin e vet me integrimin. S'është imuniteti që pengon hyrjen tonë në BE, po qeverisja që s'përmbush dot detyrat e BE, institucionet e kapura dhe mungesa e shtetit ligjor", shkruan Rama në faqen e tij në Twitter. "Sa më shumë Saliu flet për imunitetin aq më shumë mendoj se duhet të jesh vërtet shumë budalla për të besuar se thotë të vërtetën", shtoi Rama.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)
