TIRANE - Ministria e Integrimit Majlinda Bregu, do të informojë nesër Brukselin për vendimin e PD për të zgjidhur me referendum çështjen e tre ligjeve të integrimit. Pavarësisht kundërshtimit të komisionerit Stefan Fule, ajo tha se qeveria do të ecë para me këtë nismë, nëse opozita do të  vijojë të mbaj qendrim bllokues.

“Në rast se opozita nuk tërhiqet në bazë të gjitha parashikimeve ligjore, ne votojmë për t’i hapur rrugë të gjithë procedurave për të realizuar një referendum siç thotë ligji jo 6 muaj para zgjedhjeve dhe jo tre muaj pas zgjedhjeve“, tha Bregu.

Ajo iu përgjigj dhe asaj pjesë të deklaratës së komisionerit Fule, që referendumi nuk është gjithpërfshirës: “Nuk ka shqiptar sot  që të jetë kundër anëtarësimit në BE. Më shumë gjithpërfshirës se vota e shqiptarëve mua nuk më duket se është gjithpërfshirës vota e parlamentarëve“.

Bregu tha se qeveria ka gjithë angazhimin për të organizuar zgjedhje të lira dhe demokratike, por ajo  nuk mund të bind dot kryetarin e opozitës që të njohë rezultatin. Bregu tha se nga analizat matematikore e bëra deri më tani, rezulton që PD të jetë në avantazh ndaj PS, jo vetëm si forcë politike, por edhe si koalicion.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.03 2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)