TIRANË – Zhvillimi i një referendumi për tre ligjet që kanë mbetur të pavotuara në Kuvend nuk paska qënë thjeshtë një fiksim i Berishës por një bindje e plotë e tij.

Kështu, ditën e djeshme, komisioni i ligjeve ka marrë në dorë për shqyrtim dhe ka miratuar vetëm me votat e maxhorances kërkesën e 66 deputetëve për nisjen e procedurave për organizimin e një referendumi për miratimin e 3 ligjeve që Komisioni Europian që sipas kërkestarëve i ka vendosur si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.

Në një mbledhje ku mungonte opozita, e cila lajmëroi se nuk kishte dijeni pasi ishin të obliguar për seancën parlamentare të ditës së djeshme, miratimi i kërkesës për referendum ka zgjatur vetëm pak minuta pasi maxhoranca e sheh votën popullore si zgjidhje për politikën e bllokimit të integrimit të vendit që sipas saj ka ndjekur opozita.

Mes 66 firmëtareve të projekt vendimit që do të votohet në seancën parlamentare të ditës së hënë, bie në sy firma e kryeministrit Sali Berisha, kryetares së Kuvendit Topalli, ministra, aleatë të PD si ajo e ministrit të Shëndetësisë dhe deputet i LSI Vangjel Tavo por dhe firma e deputetit te pavarur, ish-deputetit socialist Kastriot Islami.

“Pavarësisht se do të kalojë në seancën e Kuvendit, nuk do të zhvillohet asnjë referendum gjatë viti 2013”, -tha deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, pak orë pasi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri të ditur se kërkesa e PD-së për referendum popullor për miratimin e tre ligjeve që nuk i voton opozita, ka mbërritur në Kuvend dhe do të hyjë në seancë plenare.

Sipas Xhafajt, “kërkesa për referendum është e panevojshme, për një arsye të thjeshtë: nuk mund të bëhet konform ligjit. Ajo kërkesë është vetëm një hipokrizi, një tallje e Berishës me qytetarët, me ligjin dhe rregullat”.


Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)