Me 10 qershor zviceranët do të vendosin me referendum nëse rritja e popullësisë duhet ndalur tek Shifra 10 milionë apo të lejohet rritja e mëtejshme. Referendumi është iniciuar nga Partia Popullore, më e madhja në vend, e cila kërkon kërkon kufizime të menjëhershme nëse popullsia kalon 9.5 milionë.
Aktualisht, Zvicra ka rreth 9.1 milionë banorë. Sipas propozimit nga kjo parti e djathtë, nëse tejkalohet pragu 9.5 milionë, qeveria do të duhet të ndalojë hyrjen e të ardhurve të rinj, përfshirë azilkërkuesit dhe familjarët e rezidentëve të huaj.
Nëse shifra arrin 10 milionë, do të hyjnë në fuqi masa edhe më të ashpra. Dhe nëse numri nuk fillon të bjerë, qeveria do të detyrohet të tërhiqet nga marrëveshja për lëvizjen e lirë me Bashkimi Evropian, partneri kryesor tregtar i Zvicrës.
Të dy dhomat e parlamentit janë kundër nismës, ashtu si edhe komuniteti i biznesit dhe sektori financiar. Sipas tyre, dalja nga marrëveshja me BE-në do të godiste rëndë ekonominë.
Gjatë dekadës së fundit, popullsia e Zvicrës është rritur rreth pesë herë më shpejt se mesatarja e vendeve të BE-së përreth. Suksesi ekonomik ka tërhequr si punëtorë me kualifikim të ulët, ashtu edhe profesionistë të huaj me paga të larta.
Sipas shifrave zyrtare, rreth 27% e banorëve nuk janë shtetas zviceranë. SVP thotë se rritja e shpejtë ka shtuar presionin mbi qiratë, infrastrukturën dhe shërbimet publike.
Partia ka dalë e para në çdo zgjedhje që nga viti 1999 dhe prej vitesh ka bërë fushatë kundër emigracionit. Nisma të mëhershme të saj, si dëbimi automatik i emigrantëve të dënuar apo ndërprerja e lëvizjes së lirë me BE-në, nuk kanë kaluar në votime.
Sistemi i demokracisë direkte në Zvicër u jep qytetarëve të drejtën të propozojnë iniciativa që shkojnë në referendum nëse mbledhin 100 mijë nënshkrime brenda 18 muajve. Rreth 10% e këtyre nismave kanë kaluar deri tani.
Megjithatë, një sondazh i dhjetorit tregoi se 48% e votuesve e mbështesin kufirin prej 10 milionë banorësh, duke treguar se vendi mbetet i ndarë për çështjen e emigracionit.
Komente









