Refleksionet e Fadil Paçramit: Kur Mehmet Shehu bërtiste me të madhe se romani ‘Dasma’ kishte nxirë realitetin, unë mora në mbrojtje Kadarenë

Refleksionet e Fadil Paçramit: Kur Mehmet Shehu bërtiste me të madhe se romani ‘Dasma’ kishte nxirë realitetin, unë mora në mbrojtje Kadarenë

Ismail Kadare

Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lire, do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.

NJË SHKRIM QE NUK U BOTUA…!

– Te kriza e mendimit. Nëse për një kohë të gjatë në periudhën e tiranisë u pengua, u ndrydh dhe u godit gjithandej mendimi i lirë – kam parasysh kryesisht lëmin e krijimtarisë, që m’pinë e shterpëzuan edhe mjetet e saj shprehëse, tani janë hapur rrugë të gjera për atë dhe kërkime e gjetje të guximshme, që mund e duhet të na japin vepra letrare e artistike cilësore.

Ankohemi për të shkuarën, e përshëndetim të sotmen, i gëzohemi të ardhmes, le t’i shfrytëzojmë atëhere këto mundësi, e këto kushte të reja të mendimit të lirë në demokraci, me punë intesive e këmbëngulje krijuese. Demokratizimi i vendit me hapjen rrugë mendimit të lirë dhe krijimtarisë pa korniza, diktate e stërkontrolle, krijojnë kushtet për vënien në lëvizje të mendimit krijues dhe pasurimin e ndjenjave.

– Edhe te kriza intelektuale. Kohëve të fundit flitet përherë e më shumë për rolin e intelektualëve, njëfarë tërheqjeje nga ana e tyre dhe për domosdonë që të ndihet më fort pesha që kanë ata në zhvillimet e sotme të vendit, pra edhe të shkrimtarëve, artistëve etj. Qahen e u bëjnë thirrje partitë politike, që të marrin pjesë e të aktivizohen në radhët e tyre. Dhe fajin për këtë mënjanim që vihet re, në të shumtat e rasteve, ua hedhin atyre. Kam mendimin se faji bie mbi vetë partitë politike, të cilat, në vend që t’i afrojnë, i largojnë me qëndrimet plot dyshime e të ftohta dhe kërkesat për t’u shërbyer, si duan ata që u bëjnë. Nuk po kuptohet thelbësorja: shumë u zhgënjyen keqas një herë nga PP-ja dhe u lënduan fort në ndërgjegjet, pra edhe nxorën mësime, kështu që tani mendohen për çdo hap që hedhin.

Edhe kjo: nuk durojnë me diktate nga kushdo. Tjetër: nuk pajtohen edhe me ekseset që vihen re, të shoqëruar shpesh me një gjuhë plot zhargone e fyerje, në faqet e gazetave. Akoma: nuk i ke dhe s’të vinë ata për manifestime e duartrokitje – për këtë kishte qarje ndaj tyre edhe në kohën e diktaturës. Flas për intelektualet e mirëfilltë, dinjitozë e të ndershëm, jo për të vetëquajturit, pseudot, tregtarët e flamujve e karrieristët, ku bien në sy edhe disa shkrimtarë. Me shumë kulturë, qartësi, dije, tolerancë e sinqeritet – ja çfarë kërkojnë e pritet në marrëdhëniet me ta. (Këtu nxitoi, sikur i kishte mbetur peng diçka, sikur po e priste, që menduar; t’ia lëshoj apo të mos ia lëshoj? Dhe nuk la t’i ikte rasti.)

AI: – Lidhur me sa shtjellove tani së fundi, ashtu qetë e shtruar pa mllefe e pasione, hakmarrëse, çka shumëve u bën përshtypje te ju të burgosurit politikë, (ka dhe përjashtime, sigurisht), kam patur rast të lexoj ndonjë nga ato zhargonet, siç i quajte, edhe në drejtimin tënd. Nuk të kuptoj, si ke heshtur?!

UNË: – (qesha)

Al: – Pse po qesh?

UNË – Se nuk je i pari që më pyet, qofsh i fundit! Nuk ia vlen – ja përse. Dhe kur nuk mërzitem unë, as ti s’ke pse. Durimin e vetëpërmbajtjen, i ngulitka thellë burgu. Megjithatë do t’i them dy fjalë: – Një tjetër ma bëri po këtë pyetje: ka që i vlerësojnë ato që ke shkruajtur, ndonjë edhe jo, ka që shkojnë dhe më tej, pse kështu. Për të parët, iu përgjigja shkurt: nuk më takon mua të flas, t’ua lëmë të tjerëve, le që më saktë e më qartë, flet vetë vepra, po s’foli ajo, të tjerat janë kot. Kaq për këtë.

– Pse kam heshtur për të dytën? Si të them? Po ja: edhe kam pritur të mos heshtin të tjerët. Veçmas, shumë më kanë folur, se janë indinjuar, edhe janë zemëruar, por kaq, deri këtu…! Nejse, punë e tre. Ka diçka të ngjashme me sa ndodh shpesh në rrugë: rrugaçë lloj-lloj, kryejnë krime e lëndojnë njerëz në sy të tjerëve dhe këta heshtin e bëjnë sikur si shohin.

Përse? Kush ia del me ta? Një mënyrë kjo për të shfajësuar e ruajtur veten. Por jo bindëse, aq më pak e pranueshme. Se mos në një rast, ose vetëm për disa persona e vepra letrare e artistike, ndodh kështu. Për fat të keq, thuhen aq shumë të paqena e shëmtira, sa të vjen neveri, por qoftë kalimtare e gjithë kjo, të fillojë të veprojë arsyeja, normat morale dhe ligji. Kam bindjen, se kjo do të ndodhë shpejt.

– Thashë: nuk ia vlen. Kam dëgjuar shumë, nga më të rëndat, në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qendror të PPSh-së, çfarë s’u trillua e ‘nuk u thane, deri në vulgaritete. Disa edhe janë botuar. Po ashtu gjatë hetuesisë, me duar e këmbë lidhur. Po ashtu edhe në gjyq. Edhe më pas, gjatë viteve të burgut. Shto këtu edhe, gjithë sa kanë vjellur për 18 vite me radhë, lider partiakë e tellallë të tyre në shtypin e kohës, që sikur viheshin në garë, kush e kush të shante më shumë, si s’mbahet mend ndonjëherë më parë! Që s’kish pse edhe sot, kjo po – s’kish. Pasione? Mllefe?

Kush duhet të shprehet nga këto në të vërtetë? Po unë s’i hyj kësaj pune, mjaftohem me: i përbuz dhe i mëshiroj. Janë po të njëjtët, edhe të njëjtat mekanizma: ato të vazhdimësisë dhe pseudot e njëqind flamurëve. – Sa për ndonjë nga rastet, si ai lidhur me diskutimin e romanit “Dasma”, që është përgojuar, nuk ngurroj të përsërit, se në vitet ’60-të, sa herë ishte fjala për Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin, e të tjerë nga të rinjtë, kam marrë kurdoherë e hapur anë në mbështetje të tyre, meqë isha për vlerat e asaj krijimtarie dhe atë të re që sillnin ata. E kam bërë këtë edhe para niveleve më të larta partiake, që më ka kushtuar jo pak.

Për më tepër se në atë rast, u fol e u shprehën mendime të përpunuara në “zyrën e legjendave”, atje në Ministrinë e Brendshme, me të cilat isha ndeshur prej kohësh, pra jashtë letrare, si dhe u sulmua dukshëm nga pozita të vjetra – se kish nxirë realitetin; edhe të majta ekstreme. Mehmet Shehu, kishte kohë që bërtiste me të madhe, se në atë roman autori nuk e lejonte fshatarin as të hapte gojën, e sa e sa si këto. Bëhej kjo lloj lufte në atë kohë. Për të tjerat, mjaftohem me: ç’ndodhi më pas me atë që u bë zëdhënësi i tyre, le të kërkohen gjetkë. Këtu edhe po e mbyll, por meqë deshe të dije. Mbase s’qe nevoja edhe për këto.

(Biseda vazhdoi me tej për çështje të tjera, nga ato letrare në ato politike, e sidomos këto të fundit. S’ke ç’i bën – sëmundje e kohës. Nuk u shmangemi, veç të mbisundojë arsyeja e argumenti, ndryshe dalim jashtë kohës e, kërkesave të saj për vlerësime të sakta e zgjidhjet më optimale. Biseda vajti gjatë, qe koha ta mbyllnim.)

AI: – Dhe e fundit, më fal, mos të lodha?

UNË: – Jo, vazhdo, meqë the e fundit.

AI: – E shoh, e teprova…! Pyetjen do ta bëj pa doreza, krejt hapur: në atë kohë kur të goditi Enver Hoxha, na erdhi disi papritur pse ngriti gjithë atë furtunë!

UNË: – Po e prisja të dilje këtu, sa the; “edhe e fundit”, më shkoj në mend. Eh, i jam përgjigjur disa herë kësaj pyetjeje, ashtu ka ndodhur. Diçka edhe është botuar. Hamendje mund të bëhen shumë, siç edhe janë bërë. Mendo se duhet lidhur me kohën kur ndodhi, asgjë nuk mund të merret e shkëputur, nga sa paraprinë e ato që pasuan”.

Por, dua të qëndroj pas tek një çështje që e quaj me rëndësi. Mendimi i shprehur se në ndodhitë e atyre viteve, ka patur një luftë klanesh, siç theksohet herë pas here kohëve të fundit, nuk është i saktë, por qëllimkeq. Diktaturat janë sisteme sundimi të përcaktuara, por luftërat që bëhen në mes tiranisë e kundërshtarëve të saj, janë politike, tjetër se u vishen ngjyra lloj-lloj, siç bëri edhe Enver Hoxha. Ligjin në parti e shtet, e bënte ai, kjo dihet. Kishte dhe luftë klanesh për pushtet, kur bëhet fjalë për Koci Xoxen, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Kadri Hazbiun e Ramiz Alinë, por jo në rastin dhe sa ndodhen në frontin ideologjik.

(Këtu u mbyll biseda jonë atë mbrëmje, meqë vajti edhe vonë dhe u ndamë. Sigurisht u takuam prapë pas disa ditëve, por po e lë me kaq.)

Një sqarim: Mirë ndodhi, ai erdhi e u bë kjo bisedë, por mund të mos i botoja këto shënime. Them të drejtën, u nxita nga disa shkrime të kohës, pra në përgjigje të tyre, në këtë kapitull të fundit, si pjesë mbyllëse, në plotësim të sa u fol më lart, për këtë edhe e quajta: “Epilog”!

NJË INTERVISTE QE U BOTUA

Kjo intervistë u botua në NR. 1 të gazetës “D.S.N.” (Dje, Sot, Nesër), në shkurt të ’93-së, nën titullin; “I pavarur nga partitë, jo nga politika”!

Pyetje: – Njihet nga brezi i sotëm i 20-25 vjeçarëve, një periudhë liberalizimi i jetës shqiptare, në fillim të viteve ’70-të, me emrin: ‘Koha e Festivalit të 11-të’. A është i saktë ky term dhe a ka ekzistuar një periudhë e tillë?

Përgjigje: – Drejt, fillimet e viteve ‘70-të, njihen, dhe ashtu kanë qenë vërtet një periudhë liberalizimi i jetës shqiptare. Festivali i 11-të, qe një nga shprehjet kulmore të saj. Drejt edhe termi; “jetës shqiptare”, se ajo frymë, që u quajt “liberalizëm”, vërtet u ndje dhe u shfaq me shumë në fushat e krijimtarisë e të kulturës, në shtresat intelektuale e në brezninë e re, por do të qe e mangët, të kufizohej e ngushtohej në ato korniza – siç u fol në atë kohë, mundohet ta lejë Ramiz Alia në shkrimet e tij edhe kohëve të fundit, bëhen përpjekje edhe nga të tjerët sot.

Ajo përfshiu të gjithë jetën e vendit, shtrihej në të gjitha sferat e veprimtarisë politike e shoqërore, sensibilizoi mendimin e forcat më progresiste, të ndrydhura e të shushatura prej vitesh, nga diktatura e egër enveriane, ndikoi ndjeshëm në masat më të gjera të shoqërisë shqiptare. Ishte një ringjallje mbarëkombëtare, me prirje anti diktatoriale e demokratike. Jemi, pra, në planin më të gjerë ideor, politik e shoqëror, në shkallë vendi dhe jo aspak në të ashtuquajturën; luftë klanesh, si është folur në ndonjë rast me qëllime dashakeqe, nënvleftësuese e mohuese.

Pyetja tjetër; a ka ekzistuar vërtet një periudhë e tillë? Rrjedh siç e kuptoj unë, nga ajo bllokadë heshtjeje e injorimi, që vihet re sot në rrethe të caktuara, pa të drejtë, e jashtë të dhënave historike, ndaj kësaj periudhe, të cilat, me britma spekulative, duan të fshijnë çdo gjë edhe nga hapat progresive në të shkuarën dhe dinë vetëm të rrahin gjokset, vend e pa vend!

Pyetje: – A mund të quhet si në; “Pranverë” e Tiranës?

Përgjigje: – Në qoftë se keni në mend dhe hiqni një vijë paralele me atë që njihet gjithandej, si; “Pranvera e Pragës”, përmasat e kësaj janë të tjera dhe analogjira, jo ngaherë mund të bëhen. Por si prirje e frymë, kanë përafërsi dhe ndikimet janë të padiskutueshme. Mjaft të sjellim në mend kohën: “Pranvera e Pragës”, (në vitin 1968) dhe periudha e liberalizimit tek ne (në prag e fillimet e viteve ‘70-të). Të kemi parasysh, se bëhet fjalë për prirje e ndodhie demokratizuese, në dy vende ish-socialiste, totalitare. Të kujtojmë edhe si veproi dhuna, u quajtën herezi dhe rrezik real, për shtetin monist në fuqi.

Sidoqoftë, nuk më takon mua të bëj vlerësimet për tek ne. Por më lejoni të shpreh mendimin, se: ashtu si “Fenomeni Gorbaçov” dhe gjithë kriza e Lindjes, nuk mund të ndahet nga “Pranvera e Pragës”, ngjarjet hungareze, ato të Solidarostit në Poloni, vitet ’50-të me Hrushovin, nuk është me vend të shpjegohen e të ndahen – edhe proceset demokratike të viteve ’90-të, tek ne nga Konferenca e Tiranës, e vitit ’56-të dhe gjithë sa pasuan, zien e fermentuan në brendësi, dekada me radhë, fillimet e viteve 70-të, e më pas.

Pikat e vlimit nuk arrihen menjëherë, edhe përmbysjet e mëdha nuk vijnë vetë – ato janë procese historike, që ndjekin e paraprijnë, shtyjnë e plotësojnë njëri-tjetrin, shfaqen në mënyra të ndryshme, derisa marrin formë e, përmasat e kuptueshme për të gjithë dhe sjellin kthesat, që shënojnë epokë. Nëse këtë e njohim për në ish-Bashkimin Sovjetik, në ish-Çekosllovakinë (Presidenti ynë i Republikës, vajti në Ambasadën Çeke e Sllovake javë më parë, me rastin e vdekjes së Dubçekut për ngushëllim në nderim të tij), në Hungari, Poloni, e vende të tjera të Lindjes, duhet edhe për tek ne, po njëlloj, me aq sa qe.

Pyetje: – Fryma liberale evropiane e viteve ’70-të, mendoni se lidhet me ngjarjet në Lindje e Perëndim, ishte një ndërgjegjësim i intelektualëve dhe të rinjve asokohe, apo thjesht ambiguitet i Enver Hoxhës?

Përgjigje: – Pa diskutim lidhet, është në frymën e vazhdën e tyre. Tjetër është si, e sa. Se edhe kushtet tek ne, kanë qenë të tjera: diktatura enveriane, qe një nga më të egrat, siç dihet, proceset e viteve ’50-të, që ndodhen në vendet e Lindjes, tek ne u ndërprenë që në vezë, mbyllja dhe izolimi qenë të tejskajshëm, dhuna dhe dinakëritë njihen si më të ashprat e të stërhollat. Por të gjitha këto patën edhe efektin e kundërt.

Intelektualët dhe të rinjtë i ndjenë më shumë ato, edhe u ndërgjegjësuan më shpejt. Dhe këtu do të veçoja krijuesit e letrave e të arteve, si dhe studentët: krijuesit, si më të ndjeshëm ndaj tiranisë, shtypjes, diktaturës e kufizimeve të censurës, që i ndalonin të shprehnin mendimet, emocionet e shijet e tyre estetike, më të prirur ndaj idealeve të lirisë, të drejtave të njeriut edhe të proceseve demokratike; studentët, të njohur tradicionalisht për pjesëmarrjet e tyre në lëvizjet revolucionare, nga hera në pararojë për progresin me guximin e përkushtimin që i dallon.

Për sa i përket mendimit, apo thjesht ambiguitetit të E. Hoxhës (!) me të cilin s’ndeshem për herë të parë kohëve të fundit – me sa duket, ka rrethe të interesuara për këtë, që e ushqejnë dhe e përhapin qëllimisht, për të hedhur farën e dyshimit si diçka joreale, por një sajesë të tij; më lejoni ta quaj një përpjekje e trillim sa dashakeqës, aq edhe të kotë. E vërteta është se E. Hoxha e nuhati shpejt dhe e kuptoi rrezikun që i kërcënohej nga fryma liberale me shfaqjet e saj në atë kohë, e vlerësoi në sensin negativ dhe e goditi fort në Plenumin e IV famëkeq, pra edhe veproi duke u dhënë një kahje të kundërt zhvillimeve në të gjitha fushat e jetës së vendit, forcoi diktaturën e partisë-shtet, shtoi dhunën dhe masat shtypëse, mbylli më tej portat e marrëdhënieve me jashtë e të izolimit, rriti frikën e kërkoi kudo nënshtrimin ndaj vullnetit e urdhrave të tij, duke bërë ligjin për do gjë, kudo e mbi të gjithë.

Pyetje – A do të ketë më Plenume të IV?

Përgjigje – Them se jo, nga forma e përmbajtja që pat. Ai qe produkt dhe pasqyrë e diktaturës, zbuloi egërsinë dhe fytyrën e saj të vërtetë antidemokratike, shprehja më e qartë e regresit dhe e mizorisë, njëheri edhe fillimi i fundit të atij socializmi dështak të tipit stalinist. Vitet që pasuan qenë ato të një terrori të pakufi, gjueti e shtrigave, amulli, izolimi e korrupsioni, që u kthye në një bumerang.

Tani kushtet janë të tjera – u shemb diktatura, edhe njerëzit s’janë më ata, u janë hapur sytë dhe nuk lejojnë kthim prapa. E shkuara ka marrë fund përgjithmonë. Por ju s’e bëni kot atë pyetje, rreziqet mbeten kërcënuese. Nostalgjikët dhe ata që me përmbysjen e diktaturës humbën privilegjet, vuajnë edhe nga kompleksi i fajit, kanë mall për atë kohë dhe çdo gjë mund të pritet prej tyre si edhe nga dyfytyrësi, karrieristët e demagogët e sotëm të cilët mund të bëjnë gjithashtu ç’tu vijë për dore për të kënaqur etjen e tyre për fuqi e privilegje. Prandaj “jo”-ja që thashë më lart s’është kategorike.

Pyetje – Cilat kanë qenë relatat me miqtë e kolegët gjatë periudhës suaj “të errët” dhe si janë ato sot?

Përgjigje – Në atë kohë: me heshtje – nga më të shumtët, me mohim, -nga disa, të pakët. Të parët i kuptoj dhe i kam shfajësuar, të dytët më kanë zhgënjyer dhe më vjen keq. Kur flas për miq e kolegë, kam parasysh kryesisht ata me të cilët më kanë lidhur mendimet dhe krijimtaria, të cilave u përmbahen edhe sot. Kështu që kam rivendosur relata – po përdor shprehjen tuaj -si më parë, dhe kjo është normale, e shumëpritur nga unë, edhe ata. Flas gjithmonë për miqtë e kolegët. Po ndonjë zhgënjim? Eh… janë kohë të vështira tranzicioni me dallgë, të përpjeta e tatëpjeta këto, sic dihet, edhe me të papritura. Jeta, periudhat me përmbysje e kthesa edhe më shumë, ka nga të gjitha.

Një nga këto do të quaja – mbase është rasti të them pak fjalë – edhe atë si njëfarë bllokade, heshtje të pakuptimtë, me të cilën po ndeshem, çka them të drejtën edhe më habit. Kaq i fortë traumatizimi(!), indoktrinimi(!) apo ka ndonjë arsye tjetër(?!) Për frikën, të paktën, s’duhet të ketë vend më. Nga indokrinimet është koha të çlirohemi të gjithë. Kurse diversitetit në mendimet, si dhe konceptet e shijet estetike nuk mund të bëhen aspak shkak eksesesh, në kushtet e pluralizmit ka vend për të gjithë. Mirëpo si ta quaj, bie fjala, atë qëndrim të ministrit të Kulturës të sotëm e të institucioneve në varësi të tij kur gjatë një emisioni televiziv “Transparencë” në korrikun e vitit të kaluar, një nga teleshikuesit i drejtoi pyetjen: kur do t’i shohin dramat e F. Pacramit në skenat tona përsëri, pse edhe televizioni hesht për ato të paktën deri tani, si mendoni dhe ç’shpjegime mund të na jepni për këtë? ai veç u përtyp, me zor nxori disa fjalë të turbullta dhe iu shmang pyetjes aq të drejtpërdrejtë. E rastit kjo?! Apo një qëndrim jashtë letrar, me paragjykime politike, siç më tha ato ditē një nga miqtë e kolegët, nuk fliste ministri i Kulturës? Punë e tij, mua aq më bën. Tjetër: Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve me përjashtoi, siç dihet, në ’73 pas Plenumit të IV famëkeq; ç’i pengoi më vonë, pas dhjetorit ’90-të e deri sot akoma, të mos e hidhte poshtë atë vendim të padrejtë? E, pra, Plenumi i Gjykatës së Lartë e hodhi poshtë që në gusht të ’91-së vendimin që më dënonte me heqje lirie e të të gjithë titujve, sepse nuk kishte baza ligjore, dhe e shpalli atë publikisht. Nuk e pati forcën, qartësinë e guximin ta bënte këtë Kongresi i X i PPSH-së për të hedhur poshtë Plenumin e IV famëkeq, s’bëri as PS më vonë, qoftë edhe thjesht mbështetur në dokumentacionin që ka në duar (kam parasysh arkivat) dhe në gjithë sa vërtetoi jeta. Si të ngatërruara këto punë! Prapë s’më bëhet vonë. Kush s’është çliruar dhe vuan nga paragjykimet, le t’i thërresë arsyes.

Këtë e them edhe për cilindo nga ata zëra të çjerrë që u ngjajnë gjithë atyre sa kam dëgjuar për dy dekada radhazi pas 73-së, pra edhe s’u jam përgjigjur, meqë s’meritojnë vëmendje. “Gjëra që ndodhin. Gëtja kur flet për thashethemet, thotë se ato fshehin shumë ligësi. Kurse kundërshtarët e tij – këta njerëz që nuk do të shuhen kurrë e nuk të lënë të qetë, i ndan në disa kategori: së pari – budallenjtë, që nuk e kuptojnë dhe e qortojnë pa e njohur; të dytët – ziliqarët; se treti – ata që vetë nuk bëjnë gjë me vlerë dhe u duket se të tjerët i pengojnë; së katërti – ata që mund të kenë ndonjë arsye se njëri jam edhe unë, si të gjithë, kam gabimet e dobësitë e mia; së pesti – për shkak të mendimeve e pikëpamjeve të ndryshme. Kështu ndodh, s’ke ç’i bën. Tri të parët fali zot, se s’dinë ka bëjnë; dy të fundit: me dinjitet, zotërinj!

Pyetje – Diçka për jetën tuaj sot.

Përgjigje – Me pak fjalë: i përmbahen mendimit të shprehur që kur dola nga burgu” … parapëlqej pozitën e pavarur…. sepse e quaj atë kusht për ruajtjen e lirisë së mendimit. Por, kuptohet, i pavarur nga partitë, jo nga politika, për fatet e vendit, pra edhe shkruaj herë pas here e flas përmes shtypit. Gjithë kohën e kaloj duke u marrë me punë krijuese: kam në duar riparjen e sistemimin e gjithë sa kam shkruar në burg dhe më parë, megjithëse nuk kam kushte pune, nxitoj, se i kalova tashmë shtatëdhjetë vjetet dhe dua t’i përfundoj./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?