Refleksionet e Klosit në ‘92:
Ndalni dëshirën për pushtet|

Refleksionet e Klosit në ‘92:<br />Ndalni dëshirën për pushtet|
Disa herë kemi shprehur mendimet tona politike në publik, qoftë në takimet me studentë, me intelektualë ose në biseda apo shkrime për shtypin e huaj.

Megjithatë këta 9 muaj, qyshkurse në Shqipëri u përvijua një lëvizje masive antikomuniste, shumë gjëra u kthjelluan më tej dhe këtu na jepet rasti të shprehim thjesht dhe drejtpërdrejt mendimet tona për opozitën shqiptare.

Jemi lidhur natyrshëm me lëvizjen e studentëve, demonstratat, refleksionet, më vonë me kërkesat e sindikatave të pavarura. Gjatë këtyre muajve nuk u bashkuam me ndonjë nga partitë e reja politike, për arsyen e thjeshtë që nuk arritëm të identifikoheshim me to. Nuk e gjetëm dot veten as te Partia Demokratike, as te Partia Republikane, as te Partia Ekologjike. Mendojmë se deri këtu nuk ka asgjë të pazakontë, meqë diçka e ngjashme u ka ndodhur edhe të tjerëve, shumë njerëzve me mentalitet antikomunist, që nuk janë pajtuar me pika të ndryshme të veprimtarive ose programeve të partive që përmendëm apo të ndonjë partie tjetër kësodore. Nga ana tjetër është ndoshta edhe natyra e krijuesit që e bën të vështirë disiplinimin në një parti të caktuar.

Dhe rezervat ose kritikat tona i kemi shprehur hapur, në publik, kur kemi mundur, në kushtet e një censure të pashpallur që ekziston- në forma të reja- sot e gjithë ditën. Kemi menduar se kështu pasurohet dhe jo dëmtohet një lëvizje e gjerë opozite kundërkomuniste, ashtu si çdo lidhje demokratike ka kudo në botën e zhvilluar edhe fraksionet e saj.

Ka vlerë pra të theksohet sot, në muajin gusht, ajo që duhej thënë qysh në dhjetor të vitit të kaluar. Skuadra e opozitës zyrtare (në të vërtetë është e çuditshme që një... ...forcë e cila merr pjesë në koalicionin qeveritar dhe në pushtet lokale të vazhdojë të quhet gjithë ditën opozitë) dhe trajnerët e saj e ndërlikojnë shumë në rrjetën e paragjykimeve komuniste atë që ishte e thjeshtë që në fillim:
-Opozita demokratike jo-komuniste ka lindur shumë më herët sesa dhjetori i 1990-ës. Ajo ka lindur bashkë me lindjen dhe përhapjen e komunizmit në Shqipëri. Kemi parasysh këtu të gjithë ata nacionalistë, intelektualë, klerikë njerëz të thjeshtë që e parandien qysh me Konferencën e Pezës, ashtu si dhe të tjerë që pranuan aleancën në frontin Nacional-çlirimtar, rrezikun që i kanosej Shqipërisë po të vendosej pas lufte një regjim komunist.
Ndërmjet atyre që morën pjesë në Luftën Civile si front antikomunist dhe u vranë, u arratisën ose u burgosën më pas, dallohen plot demokratë, ashtu siç dallohen të tillë edhe në frontin partizan-komunist. Pajtimi Kombëtar, për të cilin po flitet kaq shumë, pikërisht aty duhet të fillojë, të Lufta Civile. Kjo është një ide fisnike që e kanë hedhur vetë ish-pjesëmarrës në luftën çlirimtare dhe në atë vëllavrasëse. Kushdo që do t’ u shpëtojë hijeve të së kaluarës duhet ta mbështesë pa asnjë ngurrim këtë ide. Duhet pranuar më në fund hapur që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile, njëkohësisht duhet shuar çdo ndjenjë revanshi prej ngadhënjimtari ose të munduri. Prandaj nuk sjell ndonjë fryt të madh pajtimi midis Partisë Demokratike me atë socialiste ose Ekologjike, por në radhë të parë pajtimi midis ish-palëve në Luftën Civile (dhe trashëgimia e tyre), shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë.
Histeria e luftës për pushtet që kishte projektuar gjenerali Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë që ka qenë thelbi i çdo lëvizjeje komuniste, është shkaku i vetëm që ajo luftë kundër okupatorit degjeneroi në luftë civile. Pra çështja e pushtetit është argumenti që zbulon edhe shkakun e tradhtisë që komunistët i bënë demokracisë dhe kombit shqiptar. Prandaj dhe nuk kanë asnjë kuptim thirrjet për harresë dhe për mbyllje dosjesh, kur nuk janë zgjidhur problemet kardinale si Lufta Civile, terrori ndaj inteligjencies e ndaj klerit menjëherë pas luftës dhe në faza të mëvonshme, terrori ndaj rezistencës së organizuar antikomuniste deri në periudhën 1952-1953, qëndrimi ndaj emigracionit politik. Rishikimi i dokumentacionit për këto nyje të rëndësishme të historisë sonë do t’ i kthente Shqipërisë figurat e demokratëve, do t’ i kthente në jetën normale njerëzit e ndershëm dhe do t’ u tregonte vendin inkuizitorëve, që na e bënë atdheun të pabanueshëm dhe që sot bashkojnë zërin e tyre hipokrit me koret e përbotshme për demokraci.
Shifrat e terrorit komunist janë jashtëzakonisht të mëdha në krahasim me popullatën e Shqipërisë dhe në krahasim me vende të tjera ish-komuniste të Europës, prandaj edhe më e pamundur është harresa tek ne. Është pikërisht ndrydhja e kujtesës kombëtare, siç e takojmë çdo ditë në shtypin zyrtar, ajo që na bën të mos ndahemi dot nga e kaluara. E kaluara do të na mbajë të gozhduar në rrethin e saj vicioz për sa kohë nuk kemi bërë katarsisin e vërtetë historik.
Për këto arsye nuk mund të ishim dakord që në fillim me faktin që në opozitën e ligjëruar nuk përfaqësohej as opozita e hershme shqiptare, as opozita e mëvonshme e kalbur nëpër burgje dhe kampe pune, as përfaqësues të emigracionit politik. Mendojmë se shkak për këtë ishte organizimi i mbyllur i tipit partiak-komunist që i drejtohej vizionit të ngushtë për demokracinë të intelektualëve të establishmentit, shumica disidentë të dhjetorit ’90. Ky vizion i ngushtë për partinë e drejtuar nga ish-komunistët është me sa duket i pashmangshëm, sepse është fryma kolektiviste ajo që ka infiltruar tashmë dhe ka zënë vend në inkoshientin e gjithë komunistëve. (Do të mjaftonte si provë e vetme për këtë sektarizëm jo-demokratik, edhe vetëm fakti që organet opozitare të shtypit deri më tani kanë botuar deri në lodhje dhe ekskluzivisht kujtimet e figurave të njohura komuniste. Vetëm komunistë ka pasur Shqipëria? Humanizmi ndaj bashkëpunëtorëve të pafat të Enver Hoxhës e nderon demokracinë shqiptare, por kurrsesi nuk mund ta përfaqësojë atë.)
Gjithë ata që diktatura komuniste i detyroi të braktisnin atdheun që në orët e para të vendosjes së saj, ata që i detyroi të kapnin pushkën e të rezistonin nëpër male, ata që i ndryu në burgje e internime- që nga figurat e ndritura të kombit e deri te anonimët- si dhe më të rinjtë që shpresonin një kthesë rrënjësore, prisnin një akt të madh patriotik nga liderët e rinj: hapjen e dyerve të partisë së tyre për të gjithë opozitarët brenda dhe jashtë vendit dhe jo ngutjen për të dalë në krye e për të kultivuar unitetin partiak- këtë çelës të ndryshkur fitoresh.
Pranimi i zgjedhjeve të pabarabarta, jodemokratike, shuarja e lëvizjes punëtore në shkurt, braktisja që shqiptarët i bënë në masë atdheut, premtimet për fitore në zgjedhje dhe zhgënjimi që shkaktoi humbja, e mbi të gjitha ndalimi i krijimit të partive të reja (PD në bashkëpunim me PPSh) në maj janë rrjedhimet logjike të dobësive të opozitës zyrtare.
Le të ndalemi pak te pranimi i zgjedhjeve të pabarabarta, pa dashur të luajmë pjesën e atij që jep gjykimin pasi njihet rezultati, por për hir të një analize që mund të na ndihmojë në vlerësimin e së ardhmes:
Ç’ përfaqësonin Partia e Punës, presidenti i saj Ramiz Alia dhe Sigurimi i Shtetit përpara zgjedhjeve? Nga ato që njiheshin pak a shumë prej të gjithëve, dilte se kishim të bënim me trinitetin e krimit ndaj kombit dhe- në kohën kur lëvizja komuniste nga poshtë kërkonte shtetin ligjor- duhej të luftohej me të gjitha mjetet demokratike për nxjerrjen e dy të parëve jashtë ligjit dhe për pezullimin e menjëhershëm të Sigurimit të Shtetit, për të cilin nuk ka pasur kurrë asnjë dekret apo ligj. Ky trinitet organizoi më 21 shkurt një grusht shteti që i dha fund shpërthimit demokratik të një dite më parë dhe vendosi në fuqi Këshillin Presidencial, ose më saktë Këshillin e Regjencës. Megjithëse regjentët nxorën tanket në rrugët e Tiranës (u dhanë ndoshta frymëzimin edhe puçistëve mediokër të Kremlinit), ata përsëri morën miratimin e opozitës zyrtare që vetiu e njohu “ligjshmërinë” e tyre. Tani që pamë se ç’ ndodhi në rrugët e Moskës pyesim: A nuk do të kishte qenë burrëria e vërtetë e liderëve të opozitës që të hipnin në tanke ashtu siç kërkonte populli dhe jo t’ i dërgonin njerëzit e zhgënjyer nëpër shtëpi? Në tribunat që u takonin qytetarëve hipën, hipën për pasojë vullnetarët e Milloshit. Edhe një herë fitoi psikoza e frikës nga një gjoja luftë civile, psikozë që e ushqeu muaj me radhë Partia e Punës me papagallin e vet “Zërin e Popullit”.
Demokracia nuk lufton komunistët, por komunizmin; duke hyrë në zgjedhje (pavarësisht nga fitorja apo jo në to), opozita demokratike zyrtare i dha legalitet komunizmit në Shqipëri, legalizoi një president, prania e të cilit është nënqeshja cinike e Enver Hoxhës mbi demokracinë, dhe njohu organizatën ilegale të Sigurimit të Shtetit- Çetën Plakë të Koçi Xoxes.
Ngjarjet e shkurt-marsit duhet të na japin shumë mësime për gjendjen aktuale, sepse përsëri “opozita” gjendet përpara disa udhëkryqeve parimore. Përsëri në Shqipëri drejton një forcë antidemokratike që nuk lejon të hyjë ligjshmëria në jetën tonë të përditshme.
Ngjarjet e Shkodrës nuk kanë gjetur asnjë lloj zgjidhjeje dhe as nuk kanë për të gjetur në klimën e procedurave antidemokratike që po ndiqen. Farsa juridike hyri në të gjitha ekranet tona për t’ u këmbyer me rubrikën “Sot në Kuvendin Popullor”.
Amnisti apo pafajësi? (është fjala për debatin parlamentar i vitit 1991 për amnistinë apo pafajësinë e ish-të persekutuarve politikë-red.)- Parlamenti mbeti i mbërthyer në këtë gozhdë që e ngul gjithmonë ajo forcë që kërkon t’ i japë ligjshmëri një të kaluare anti-ligjore. Duhet të pranosh që ka pasur procese juridike për të kërkuar amnisti ose pafajësi- kur dihet se ka pasur vetëm despotizëm dhe mafia shtetërore.
Eksodi- provoi edhe një herë që qeveria e koalicionit nuk e ka gjendjen në dorë dhe se turbullirat në Shqipëri i krijojnë forca jashtëligjore. Partia Demokratike, Republikane etj., edhe njëherë bënë zhurmën e rastit dhe gjithçka u kthye atje ku ishte, gati për shpërthimin tjetër.
Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën që atdheun e mbetur në duart e rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës apo të kriminelëve ordinerë t’ ua kthejë miliona njerëzve të ndershëm që kanë humbur besimin. Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’ mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme.
Edhe fakti që Socialistë dhe Demokratë bashkërisht po i kthehen me një rreptësi të paparë kujtimit të monarkisë dhe disa zgjatimeve të saj sot, po e shtrijnë periudhën e diktaturës në Shqipëri nga 47 në 65 vjet, tregon se mungon dëshira për të folur hapur mbi të gjitha çështjet e historisë dhe të sotshmes sonë. Tregon njëkohësisht njohje të përciptë të historisë dhe inkoshientin e birërisë komuniste. Kemi mendimin se për këtë problem po ndodhemi sërish te një dëshirë e pakontrolluar për pushtet; pikërisht tek ajo që siç thamë më lart i shtyu komunistët në 1942-43 të nxisnin luftën civile. Nisur nga kjo, me të drejtë çdo demokrati i mbetet të denoncojë rrezikun e njohur të degjenerimit të demokracisë në demagogji.
Në qoftë se deklarohemi për demokracinë pa kufij, atëherë sigurisht kemi parasysh respektimin e pakufishëm të së drejtës. Për ata që mund ta kenë harruar historinë e Shqipërisë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës është vendosur që çështja e formës së shtetit shqiptar do të zgjidhet me një referendum pas lufte. Kurse Kongresi i Përmetit me fitimin e Luftës Civile nga komunistët, ia mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike.
Në regjimin despotik të Enver Hoxhës nuk njohëm se ç’ ishte as monarkia kushtetuese as republika. Prandaj kjo çështje na lë të ftohtë. Por për arsyet që përmendëm, nuk lejohet t’ i heqësh askujt të drejtën, që pas një regjimi të dhunshëm të vendosë në mënyrë demokratike për formën e shtetit të tij. Një referendum i tillë është mbajtur edhe në shtetet fqinje më të vjetra në demokraci sesa ne, si në Itali e në Greqi. Mendojmë se referendumi nuk e kërcënon spektrin e demokracisë, por përkundrazi prezumon në vetvete rritjen e spektrit të demokracisë; sepse demokraci do të thotë që secila shtresë sociale, çdo grup individësh, bile edhe çdo individ i veçantë duhet të ketë të drejtë për të gjetur te fryma demokratike mendësinë e tij.
Si intelektualë të pavarur, të prirur vetvetiu të përkrahim forcat më përparimtare, këmbëngulim në idenë e debatit të hapur demokratik dhe e përsërisim me keqardhje që në Shqipëri ende nuk është krijuar mundësia për një debat të tillë.
Për këtë qëllim mendojmë të hedhim në këtë artikull idenë e krijimit të një Forumi të gjerë demokratik në të cilin duhet të marrin pjesë të gjitha forcat antikomuniste, përkatësisht antikolektiviste, duke përfshirë këtu partitë ekzistuese politike dhe ato që do të krijohen, shoqata, grupe dhe individë të veçantë që kanë këtë tendencë; sepse vetëm kështu bëhet e mundur që lufta kundër komunizmit, e cila s’ është e thjeshtë, të organizohet në mënyrë radikale. Asnjeri s’ duhet të harrojë se ende janë të gjitha mundësitë që PPSh të marrë sërish pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Ose edhe më keq, që Çeta Plakë të provojë një grusht tjetër shteti. Prandaj kjo e bën detyrë imperative krijimin e Forumit të gjerë antikomunist, i cili do të zgjeronte kufijtë gjithnjë e më të ngushtë të opozitës zyrtare.

(Edi Rama dhe Ardian Klosi, nga Libri Ardian Klosi “Refleksione me Edi Ramën” , Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992.
(Shkrimi u botua ne te perjavshmen Rillindasi, 29 prill 2012)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Media: Armëpushimi në  Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00

Media: Armëpushimi në Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00