Reforma, çfarë përmban pr/ligji
i ngërçit (KED) që po e zvarrit PD

Reforma, çfarë përmban pr/ligji<br />i ngërçit (KED) që po e zvarrit PD
Nëse paketa shoqëruese e 7 ligjeve prioritare për reformën në drejtësi do të ishte miratuar në një ditë ose menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese, ngërçi i pranuar dje nga Presidenti i Republikës, nuk do të ekzistonte. Zbatimi i Kushtetutës kërkon zbatimet e kritereve të përcaktuara në ligj, por ligji ende nuk ekziston. Por cili është roli i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi sipas Kushtetutës së re që pritet të hyjë në fuqi në 11 gusht?

Funksioni i KED
149/d i Kushtetutës përcakton kompetencat e tij. “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet sa herë është e nevojshme”,-thotë Kushtetuta. Sipas saj, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore. Ata ushtrojnë detyrën me mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e hedhjes së shortit si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është anëtari i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë krijon kushtet e punës për ushtrimin e veprimtarisë së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në pikën 5 të këtij neni, lind dhe ngërçi. “5. Kritere të tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve që marrin pjesë në short parashikohen me ligj. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi rregullohet me ligj”,-thotë Kushtetuta.

Përkohshmëria e KED
Ky këshill emërimesh që do të ngrihet në shtator ose më herët nëse ka kompromis juridik e politik, do të ushtrojë kompetenca deri në fund të këtij viti, pasi ai do të rifreskohet çdo fillim viti. Neni 179, pika 11 saktëson: “Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, sipas nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës. Nëse Presidenti i Republikës nuk i përzgjedh anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri në datën 31 dhjetor të vitit kur hyn në fuqi ky ligj. Avokati i Popullit merr pjesë si vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i nënshtrohen menjëherë procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë sipas nenit 179/b të këtij ligji”.

Kriteret e projektligjit
Kritere për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në periudhën trazitore përfshijnë 8 përcaktime: Të mos kenë pasur masë disiplinore; Të mos arrijnë moshën e pensionit gjatë vitit kalendarik vijues; Të jenë vlerësuar të paktën me vlerësimin shumë mirë në të gjitha vlerësimet e punës profesionale; Të mos jetë i deleguar dhe të mos synojë të aplikojë për një pozicion të deleguar vitin pasardhës; Të kenë deklaruar gjithmonë dhe në kohë të gjitha pasuritë; Të mos jenë anëtarë të organeve qeveritare; Të mos jenë në pozicion drejtues në grup interesi apo sindikate të gjyqtarëve apo prokurorëve; Të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës. Neni 193 përcakton se ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare

Krijimi i KED
Projektligji që përfshin dhe kriteret e kandidatëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) përfshihen brenda një prej 7 paketave prioritare, pikërisht në projektligjin “Për funksionimin e organeve qeverisëse të drejtësisë”. Ky projektligj është gati dhe rreth tij nuk ka ndonjë kontestim politik deri ditën e sotme. Kreu IV, neni 191 i këtij pr.ligji përcakton rrugën dhe hapat e punës për ngritjen e KED. Brenda një dite pas hyrjes në fuqi e ndryshimeve të Kushtetutës, Prokurori i Përgjithshëm harton një listë të të gjithë prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorive në nivel apeli dhe një relacion që tregon nëse një prokuror nuk përmbush kriteret e parashikuara në këtë ligj për të qenë anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Brenda një dite pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kushtetutës, edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të hartojë listën e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të gjitha gjykatave të apelit dhe gjykatës administrative dhe një relacion që tregon nëse një gjyqtar nuk përmbush kriteret për të qenë anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Po ashtu, brenda një ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese do të hartojë një listë të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës dhe një relacion, që tregon nëse një gjyqtar nuk përmbush kriteret për të qenë anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Listat dhe relacionet, projektligji parashikon se i paraqiten Avokatit të Popullit në të njëjtën ditë. Në rast se një institucion nuk paraqet listën, Avokati i Popullit e harton listën në bashkëpunim me Zyrën e Buxhetit Gjyqësor. Por sipas parashikimit politik, roli i sekretarisë në këtë rast pritet t’i kalojë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit. Brenda një dite pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kushtetutës, çdo gjyqtar apo prokuror që i plotëson kushtet mund të paraqesë një deklaratë të arsyetuar me shkrim ku tregohet mungesa e gatishmërisë për pozicionin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Një përfaqësues i Presidencës, Avokatit të Popullit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit eliminojnë kandidatët e pa përshtatshëm dhe organizojnë shortin për të gjithë kandidatët e përshtatshëm për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi brenda 4 ditëve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kushtetutës. Ata dokumentojnë çdo hap të ndërmarrë për të shmangur manipulimet në hedhjen e shortit dhe nënshkruajnë çdo dokument, përkatësisht.

Përtëritja e KED
Më 25 nëntor të çdo viti, organet e përmendura në paragrafët 1-3 të Nenit 191 dorëzojnë listën e përditësuar dhe relacionin e përditësuar. Në rast të krijimit të tyre, përgjegjës janë Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe jo Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dhe jo Prokurori i Përgjithshëm. Në rast se të paktën dy kandidatë nga kategoritë e kandidatëve të përshtatshëm kalojnë me sukses procedurën e rivlerësimit, lista e kandidatëve të përshtatshëm kufizohet vetëm me emrat e kandidatëve të rivlerësuar me sukses. Procedura e parashikuara nga ky ligj për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Emërimet në Drejtësisë dhe kriteret zbatohen për aq sa është e mundur.
 
Kritere për zgjedhjen e anëtarëve të KED:
• Të mos kenë pasur masë disiplinore
• Të mos arrijnë moshën e pensionit gjatë vitit kalendarik vijues
• Të jenë vlerësuar të paktën me vlerësimin shumë mirë në të gjitha vlerësimet e punës profesionale
• Të mos jetë i deleguar dhe të mos synojë të aplikojë për një pozicion të deleguar vitin pasardhës
• Të kenë deklaruar gjithmonë dhe në kohë të gjitha pasuritë
• Të mos jenë anëtarë të organeve qeveritare
• Të mos jenë në pozicion drejtues në grup interesi apo sindikate të gjyqtarëve apo prokurorëve
• Të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës
 
Përbërja e KED
 Këshilli i Emërimeve përbëhet nga:
a) Dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese;
b) Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
c) Një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme;
d) Dy gjyqtarë nga gjykatat e apelit;
e) Dy prokurorë nga zyrat e prokurorisë pranë gjykatave të apelit;
f) Një gjyqtar nga gjykatat administrative.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois