Ambasadorja e Holandës Dewi Van de Weerd ishte e pranishme sot në Gjykatën e Korçës për të ndarë eksperiencën e suksesshme të vendit të saj në këtë fushë.
 
"Do të jetë një vit i mundësive të mëdha sa i përket risive që reforma në drejtësi pritet të sjellë", është shprehur ambasadorja ndërsa ka theksuar se askush nuk është i paprekshëm.
 
"Qytetarët e politikanët kanë pasur vullnet për miratimin e reformës. Në 2017 do të filloje zbatimi i saj, kjo është tepër e nevojshme për gjithë popullatën. Dje dëgjova një proverb: Asnjeri mos pastë pune me gjykatën e spitalin. Kjo tregon se qytetarët nuk i besojnë gjykatës. Këtu ka një të vërtete dhe duhet të ndryshojë perceptimi, askush nuk është i paprekshëm”, u shpreh Dewi Van de Weerd. 

Ambasadorja ka theksuar se reforma është një sfidë e rëndësishme për anëtarësimin në Bashkimin Europian ndaj dhe me fillimin  zbatimit të saj këtë vit gjykatës i duhet të fitojë besimin e humbur te drejtësia për luftën ndaj korrupsionit.
 
“Këtë vit gjykata duhet të fitojë kredibilitet. Reforma është një shtysë edhe për anëtarësimin ne BE për shkak të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pasi askush nuk është i paprekshëm”, tha Dewi Van de Weerd.

Ambasadorja u shpreh se Holanda e ka asistuar që në hapat e parë këtë reformë duke mbështetur disa ligje si dhe duke ofruar eksperiencën e saj në këtë fushë.
 
“Si ambasadë jemi përfshirë që në fillim në reformën në drejtësi duke dhënë ekspertizën tonë. Kemi mbështetur ligjin për bilbilfryrësat si edhe një revistë shkencore. Magjistrati i shtypit është tashme pjesë e organikës së gjykatës në ndihmë të transparencës.

Ky funksion do përmirësojë marrëdhëniet e qytetareve me gjykatën. Kur media raporton për çështje sensitive mund të ketë raportime jo të sakta. Ndërkohë referimet nga gjyqtari për shtypin do të jenë më të specializuara duke dhënë edhe informacione më të sakta.

Jam e kënaqur që vijmë sot në Gjykatën e Korçës për të ndarë eksperiencën e suksesshme të Gjykatës së Holandës në këtë drejtim. Shpresojmë që në fund të 2017 të dalin edhe rezultatet e para të zbatimit të reformës në drejtësi”,
tha ambasadorja holandeze.
 
De Weerd u shpreh se shpreson që gjatë këtij viti të jenë të dukshme rezultatet e zbatimit të Reformës në Drejtësi.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com