Nga tryezat per reformen ne drejtesi
TIRANË, 21 Gusht/ATSH-Anila Struga/.- Reforma në sistemin e drejtësisë konsiderohet sfida më e vështirë e sesionit të ri kuvendor që nis në shtator.
Shtatë muaj pas fillimit nga puna të komisionit të posaçëm, aktualisht ekspertët po punojnë për fazën e tretë të këtij procesi, që është hartimi i amendamenteve kushtetuese e ligjore, të cilat do të shënonin dhe finalizimin e saj.
Amendamentet që do të propozohen parashikojnë ndërhyrje në mbi 45 ligje, që do të përbënin dhe bazamentin e reformimit të sistemit të drejtësisë shqiptare. Hartimi i paketës së projektligjeve të nevojshme do të jetë një proces gjithëpërfshirës, i mbështetur nga institucionet e sistemit të drejtësisë, ekspertë vendas, partnerë ndërkombëtarë, etj.
Kjo fazë e III-të e reformës parashikon:
I. Paketën e ndryshimeve kushtetuese, që përfshin:
- amendamente kushtetuese për sistemin e drejtësisë
- për çështjet e tjera (BE,NATO, Dekrimininalizimi etj)
- ligjin "për Gjykatën Kushtetuese
- ligj organik për Presidentin
- ligj për Referendumet
II. Paketa ligjore për reformën në gjyqësor përfshin:
- ligji 'për Organizimin Gjyqësor'
- ligji 'për Administratën gjyqësore'
- ligji 'për Statusin e Gjyqtarëve'
- ligji 'per Keshillin e Larte te Drejtesise'
- ligj 'për organin e Inspektimit dhe procedimit disiplinor'
- ligji "Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare"
- ligji 'Për Gjykatat Administrative'
- ligji "Për Ministrinë e Drejtësisë'
- ligji "Për Kodin e Procedurës civile".
III. Paketa ligjore për drejtësinë penale përfshin:
- ligji 'për Prokurorinë & Këshillin e Lartë të Prokurorisë'
- ligji "Për Policinë gjyqësore"
- Kodi i Procedurës Penale
- Kodi Penal
- ligji "Për Policinë e burgjeve"
- ligji "Për Ekzekutimin e vendimeve penale"
- ligji "Për të Drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar dhe mbajtja në paraburgim"
IV. Paketa e masave ligjore Antikorrupsion përfshin:
- ligji "për Prokurorinë Kombëtare Antikorrupsion
- ligji "Për Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe Antikorrupsion"
- ligji "Për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike"
- ligji "Për Deklarimin dhe kontrollin e pasurive dhe detyrimeve financiare të personave të zgjedhur dhe disa zyrtarëve publikë"
- ligji "Për disa ndryshime ne ligjin Antimafia"
V. Paketa ligjore për edukimin ligjor dhe arsimin juridik përfshin:
- ligji "Për Arsimin e lartë" (Propozime për ndryshime të mundshme)
- ligj për provimin e shtetit
- ligji "Për Shkollën e Magjistraturës"
- ligji "Për Edukimin ligjor të shtetasve"
VI. Paketa ligjore për profesionet e lira dhe shërbimet ligjore
- ligji "Për Profesionin e avokatit"
- ligji "Për Përmbaruesin gjyqësor privat"
- ligji "Për Noterinë"
- ligji "Për Ndërmjetësimin e mosmarrëveshjeve"
- ligji "Për Ndihmën ligjore"
- ligji "Për Avokaturën e Shtetit"
VII. Paketa ligjore për financimin
- ligji "Për menaxhimin e Buxhetit të shtetit"
- ligji "Për Buxhetin e Gjyqësorit"
- ligji për ZABGJ
- ligji "Për tarifat e Gjyqësorit"
- ligji "Per parandalimin e pastrimit te parave dhe financimit te terrorizmit"
- ligji "Per bankat apo rregulloreve ne lidhje me bankat"
Reforma në drejtësi ka përmbyllur tashmë dy fazat e para të saj. Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, që përbën dhe fazën e parë, është një dokument me rreth 450 faqe, i pari i këtij lloji në 25 vjet, i cili pasqyron në mënyrë të plotë një analizë të hollësishme mbi sistemin e drejtësisë në vendin tonë.
Ndërsa faza e dytë lidhet me Strategjinë për Reformimin e Drejtësisë dhe Planin e Veprimit për zhvillimin e saj. Ky dokument synon t'u japë zgjidhje gjetjeve, problematikave dhe përfundimeve të identifikuara në dokumentin e analizës së sistemit të drejtësisë, përmes ndërhyrjeve kushtetuese e ligjore që duhen kryer në këtë drejtim.
Reforma në drejtësi, e konsideruar një kusht kyç për integrimin në Bashkimin Europian, ka vëmendjen maksimale të maxhorancës së majtë për realizimin e plotë të saj.
"Ky proces synon të seleksionojë në radhët e gjyqtarëve e prokurorëve ata që përmbushin standardet europiane, duke u ndarë nga të paaftit, të korruptuarit dhe të inkriminuarit", u shpreh pak ditë më parë kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar, Fatmir Xhafaj.
/f.n/