Reforma në drejtësi, takimi i PD
Halimi:Do sjellim platformë të qartë

Reforma në drejtësi, takimi i PD<br />Halimi:Do sjellim platformë të qartë
TIRANË - Maxhoranca dhe opozita do të ulen për herë të parë bashkarish për të vendosur për një nga reformat më të rëndësishme në vend, atë të drejtësisë. Këtë të enjte pritet të mblidhet komisioni i posaçëm ndërsa deputetët demokratë të këtij komisioni, zhvilluan një mbledhje paraprake për të paralajmëruar strategjinë e tyre për këtë proces.

Eduart Halimi tha se, opozita do të hartojë platformën e saj,ndonëse drafti i maxhorancës do të shqyrtohet,sipas tij axhenda e pakicës nuk është e njëjtë me atë të kryeministrit. Për demokratët më shumë ka rëndësi reforma e plotë që siguron pavarësinë e sistemit të drejtësisë nga pushtetet e tjera se sa afatet kohore.

Prej muajit dhjetor maxhoranca kishte nisur punën me komisionin e reformës në drejtësi ndërsa demokratët nuk iu bashkuan asaj . Për demokratët roli i ndërkombëtareve është kyç në finalizimin e kësaj reforme.

Çfarë diskutuat sot?
Sot ishte takimi i parë i ekspertëve me anëtarët e komisionit duke u ndarë të gjitha detyrat dhe u ndanë të gjithë punët sipas fushës .U bë një analizë e parë e të gjithë dokumentave të përcjellë nga komisioni i reformës në drejtësi dhe duke filluar nga ditët në vijim do të vazhdohet me punë intensive në të gjithë muajin gusht për të hartuar një strategji të plotë dhe eficente.

Ajo punë që është bërë deri më tani në komisionin e reformës pa opozitën është e vlefshme sipas jush?

Sigurisht që kjo është një punë e cila është kryer nga komisioni i reformës në drejtësi. Është një dokument analitik i cili është dorëzuar dhe është bërë publik para disa javësh dhe një strategji e cila para pak ditësh i është vënë në dispozicion. Është një punë paraprake, ekspertët dhe anëtarë të komisionit do të shohin me hollësi për të parë nëse kjo analizë është e plotë, për të parë nëse kjo akt strategji dhe kjo zgjidhje janë të plota eficente dhe shkojnë drejt standardeve më të mira evropiane, drejt modeleve evropiane.

A ka një vullnet për të bashkëpunuar me palën tjetër meqenëse ekspertët po punojnë veç e veç?

Ekspertët aktualë të komisionit të reformës në drejtësi kanë paraqitur 3 dokumente, të cilat do të kenë trajtim edhe në mbledhjen e nesërme të komisionit të reformës në drejtësi por që ekspertëve të PD me vendimin e javës së kaluar të komisionit do t’i bashkëngjiten dhe emrave të grupit të ekspertëve të nivelit të lartë dhe puna do të vazhdojë në mënyrë të përbashkët me ekspertët e PD, me ekspertët e komisionit e reformës ligjore dhe PD do të japë impakt konkret në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë.

Pas kësaj analize paraprake do të presim një ndërhyrje të thellë në Kushtetutë për sa i përket institucioneve të drejtësisë?

Është një dokument që është bërë publik në dijeninë time dhe që parashikon disa ndërhyrje në Kushtetutë por që këto ndërhyrje akoma nuk janë bërë publike por që nuk janë zgjidhje konkrete dhe që do të njihemi në punën e komisionit. Nga ana tjetër, PD po përgatit edhe draftin e saj të ndryshimeve kushtetuese edhe draftin e saj të ndryshimeve ligjore pra një platformë të plotë në mënyrë që të jemi edhe më eficentë në përpjekjet e rrugës tonë.

Si e imagjinoni ndërhyrjet në Kushtetutë, në cilat pika duhet ndërhyrë?

Një vit më parë Kryetari i PD ka bërë një prezantim të një platforme edhe për ndryshimet kushtetuese, të cilat duhet të shkojnë në drejtimin e forcimit të institucioneve, në forcimin e pavarësisë dhe të luftës ndaj korrupsionit. Ndryshime kushtetuese, të cilët bazohen në rekomandimet e progres raporteve gjatë këtyre viteve dhe në rekomandimet e institucioneve të tjera ndërkombëtare. PD ka kërkuar prej kohësh që çdo ndryshim në Kushtetutë apo ligje të tjera duhet të vijnë nga ekspertiza ndërkombëtare, një kërkesë e PD e cila është formuluar në takime të nivelit të lartë me zotin Fyle një vit më parë dhe pastaj është përforcuar nga kryetari i PD, ndërhyrje të cilat duhet të vijnë vetëm për sa i përket standardeve europiane. Për sa i përket rishikimit të pozicionit të ministrit të Drejtësisë në lidhje me fillimin e procedimit disiplinor, në lidhje me reformimin e KLD , në lidhje me reformimin e Gjykatës së Lartë dhe të institucioneve të tjera por që duhet të vijnë sipas modeleve më të mira europiane. Ky është qëndrimi i PD. Ne nuk merremi me axhendën e kryeministrit. Ne merremi me axhendën e PD në mënyrë që në shtator ne të mos pengojmë punën në dërgimin e gjithë strategjisë dhe dokumenteve në Komisionin e Venecias . Për këtë jemi dakortësuar me PS dhe me mazhorancën që të mos pengohemi në këtë proces. Ne po ecim që të kemi një platform të qartë në javët e para të shtatorit. pastaj do të jetë Komisioni i Venecias që do të japë mendimin e vet, do të jetë ekspertiza ndërkombëtare që do të japë opnionin e vet lidhur me zgjidhjen për reformën në drejtësi dhe për procesin që do të vijojë në mënyrë normale në muajt në vijim.

Mendoni se do të kapni muajin nëntor?

Bëhet fjalë për një paketë të gjerë të ndryshimeve në kushtetutë e cila sigurisht ka sjellë ndryshime në ligje të veçanta. Ajo që është e rëndësishme mendoj unë është që reforma të bëhet sipas standardeve evropiane. Ajo që është e rëndësishme është që reforma të bëhet me transparencë, të bëhet me gjithëpërfshirje, duke u pyetur aktorët e interesit dhe mbi të gjitha sipas standardeve dhe opinionit të Komisionit të Venecias. Kjo është e rëndësishme. Një muaj më vonë apo një muaj më parë në miratimin e një ligji, kjo nuk është e rëndësishme, e rëndësishme është që mazhoranca duhet të ndalë  metodologjinë e ndjekur gjatë vitit të kaluar, metodologji e cila ishte vrastare për sistemin sepse i shkrepej në mendje një deputeti,i bëntë një ndryshim në ligj e çonte në Parlament dhe kryeministri thoshte jam në emergjence. Kjo metododologji i është dhënë fund. Ne pikërisht me rënien e konsensusit , edhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve patëm një komision paritar dhe në mbledhjen e komisionit të Venecias. Dhe sigurisht i është dhënë fund me këtë dhe qëllimit që kishte të bëntë me kapjen dhe ne synojmë që qëllimet e kryeministrit nuk kanë të bëjnë me kapjen e sistemit të drejtësisë, por me një luftë pa kompromis të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. 

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës

‘Forca që më ktheu në jetë ishte dashuria’, Jeta e dytë e Genci Fugës