Deputeti i Partisë Socialiste, Arbjan Mazniku dhe njëkohësisht bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, ishte i ftuar në Report Tv në ‘Sot Live në Shqipëri’ në një intervistë me gazetarin Nertil Agalliu. Mazniku sqaroi dhe njëherë për publikun rëndësinë e këtij komisioni dhe të kësaj reforme.

Nevojën për një ndryshimin e hartës territoriale, Mazniku thotë se është një domosdoshmëri referuar dhe reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian në kuadër të negociatave për anëtarësim. Deputeti i PS-së shton se aktualisht jo të gjitha bashkitë kanë kapacitetet e duhura për të plotësuar të gjitha shërbimet pas një sërë mungesash që kanë në disa sektorë.

“Reforma e 2015 ndryshoi numrin e bashkive dhe komunave, nga 373 në 61, që ishte një bashkim tej mase i domosdoshëm për kohën. I ka sjellë dobi sistemit, duke 2fishuar buxhetin e bashkive, duke 3fishuar volumin e investimeve, duke përgjysmuar sasinë e financimit nga buxheti i bashkive që shkon për paga, dhe duke përmirësuar dhënien e shërbimeve.

Sot u hap grup-kapitulli i fundit, një ndër ta që është Kohezioni social dhe fondet strukturore që lidhet me mbështetjen e zhvillimit territorial. Na duhen bashki të afta që të funksionojnë në një nivel të qenësishëm me BE. Në krye të pak viteve kur të jemi në BE, na duhen bashki që kanë kapacitete për të konceptuar, shkruar, aplikuar marrë përfituar nga BE, por dhe zbatuar në standarde të një sërë projektesh për territorin e tyre. Një pjesë jo e vogël e bashkive tona nuk kanë stafin që duhet të kenë. Si rrjedhojë e ndryshimeve territoriale dhe demografike”, tha Mazniku.

Referuar faktit se pavarësisht numrit më të ulët të bashkisë se në vitin 2015 dhe numrit më të lartë të punonjësve, Mazmiku hoë se kjo ka ardhur si rezultat i shtimit të shërbimeve për qytetarët. Ai thekson se pavarësisht kësaj, në vitin 2015 70% e buxhetit të bashkive shkonte për pagat, ndërsa sot vetëm 40%.

Ndërkohë kërkesës së opozitës për të pasur një numër më të lartë bashkish, Mazniku thotë se nëse kjo vjen si një arsye për të pasur më shumë mundësi për të fituar bashki, automatikisht num përbën sensin e një kërkese.

“Numri i njerëzve nuk është një qëllim nëse janë duke ofruar një shërbim. Qëllimi është të mos ketë njerëz që janë pjesë e strukturave politikbërëse. Numri i njerëzve të rritur nëpër bashki, ka të bëjë me rritjen e shërbimeve. Në vitin 2015, 70% e fondeve shkonin për paga, sot vetëm 40%. Duhet ta fillojmë ushtrimin nga kompetencat dhe të kuptojmë a ia dalin bashkitë t’i ushtrojnë kompetencat, a e kanë mjaftueshëm financa e njerëz, apo duhet të krijojnë një sistem të ri për cilësi më të mirë. Ushtrimi i territorit është nënprodukt që del si pjesë e kësaj analize. Nëse diskutimi është që të bëjmë më shumë bashki që të fitojmë ndonjë bashki më shumë, kjo nuk duhet të jetë një argument i opozitës”, tha deputeti i PS.

Reforma e re territoriale pritet të jetë gati në korrik të vitit 2026, një vit përpara mbajtjes së zgjedhjeve vendore.

“Në 2027 janë zgjedhjet e ardhshme vendore, synojmë ta mbyllim të paktën 1 vit përpara. Korriku i vitit 2016 ne duhet a kemi mbyllur pjesën territoriale që në vitin 2027 në zgjedhje të hyhet me sistemin e ri. Ne kemi treguar një seri elementësh të qartë dhe duam që këtë reformë të bëjmë me numrin më të madh të votave, përfshirë dhe opozitën. Unë jam takuar me bashkëkryetarin e opozitës dhe në momentin e parë të mundshëm të nisim dhe takimet formale”, tha Mazniku.

Komisioni i Posaçëm për Administrativo-territorialen bashkëqeveriset nga Arbjan Mazniku dhe demokrati Luçiano Boçi. Komisioni tashmë është konstituuar dhe se në vijim priten të organizohen mbledhjet e radhës me numra të barabartë, si nga opozita ashtu dhe nga mazhoranca.