Reforma, pezull puna për 7 ligjet 
seanca e Kuvendit pas 20 gushtit

Reforma, pezull puna për 7 ligjet <br />seanca e Kuvendit pas 20 gushtit
Seanca parlamentare e pritur për tu zhvilluar në 15 gusht nuk do ta kapë as këtë afat. Mbledhja e jashtëzakonshme e cila pritet të miratojë 7 ligjet prioritare pjesë e paketës kushtetuese për fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi, sipas burimeve nga Kuvendi i Shqipërisë do të jetë pas datës 20 gusht. Shkak për këtë është bërë ritmi i ulët me të cilin po punojnë ekspertët për të bërë 7 projektligjet prioritare, të cilët po përshtaten tashmë edhe më vërejtjet e opozitës, e cila nuk ka marrë pjesë në fazën fillestare të punimit të tyre. Deri dje, pranë Kuvendit ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT nuk kishin sjellë projektet e rifreskuara, dhe kanë kërkuar kohë për këtë deri në 15 gusht. Pas kësaj do të duhet të mblidhet Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për t’i miratuar ato e për t’i futur më pas në seancë plenare për miratim. Po cilat janë këto 7 projektligje prioritare dhe çfarë përmbajnë ato? Ndër më të rëndësishmit konsiderohet projektligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur ndryshe si vetingu. Ky ligj përcakton rrugën dhe kriteret mbi të cilat do të bëhet hetimi profesional, pasuror dhe ai i lidhjeve me krimin. Ky është ligji themelor i cili pritet të spastrojë të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë që rezultojnë me probleme. Nëse testimi profesional del jo në nivelet e kërkuara, penalizmi është më i ulët, duke dhënë mundësinë e ri shkollimit pranë Shkollës së Magjistraturës, apo me pezullim 1 vjeçar dhe rikualifikim. Evidentimi i problemeve për pasurinë e vendosur në mënyrë të paligjshme, dhe lidhjet me elementë kriminalë në të shkuarën apo favorizimi i tyre gjatë hetimit apo gjykimit, përbën një element të patolerueshëm dhe që i përjashton të gjithë prokurorët e gjyqtarët nga sistemi. I një rëndësie të lartë është dhe projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” i njohur si (SPAK). Ky ligj do të rregullojë punën e SPAK, e cila do të jetë një njësi e përbërë nga Gjykata Speciale Antikorrupsion dhe Prokuroria Speciale (që do të zëvendësojnë Gjykatën dhe Prokurorinë aktuale të Krimeve të Rënda), si dhe nga Byroja Kombëtare e Hetimit, një trupe e specializuar oficerësh policorë të trajnuar nga FBI. Kjo njësi do të jetë “ferri” i të gjithë zyrtarëve të lartë, e cila do të hetojë e gërmojë në të shkuarën dhe në të tashmen e tyre për çështje të korrupsionit. Projektligji tjetër është ai “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” që përcakton se si do të ngrihet dhe funksionojë: Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Projektligj “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në RSH” është ligji organik i prokurorisë, që përshtat punën e organit të akuzës pas ndryshimeve kushtetuese. Projektligji “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” përcakton të mirat që gëzojnë këta persona për shkak të detyrës, si mbrojtja, shpërblimi apo kualifikimi i vazhdueshëm. Projektligj “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ka në thelb trajtimin e funksionimit buxhetor, financiar dhe me infrastrukturë të sistemit të drejtësisë. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 8577, dt 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” është ligji organik i kësaj gjykate që rregullon mënyrën e funksionimit të saj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois