Dëshmitarë dhe provokatorë
Një tjetër nismë parashikon ndërhyje në Kodin e Procedurës Penale, duke parashikuar se, dëshmia e një dëshmitari të vetëm është e mjaftueshme për të provuar akuzën për korrupsion, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky ndryshim do të lehtësojë punën e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ndërsa do të ngushtojë hapësirat ligjore të gjykatës për të shpëtuar të akuzuarit. Po ashtu, një tjetër nismë, parashikon përdorimin e agjentëve provokatorë për të futur në kurth të dyshuarit si të përfshirë në akte korruptive. Një tjetër nismë parashikon kriminalizimin e veprimeve dhe mosveprimeve që synojnë të influencojnë apo ushtrojnë presione të natyrës politike ose të çdo forme tjetër mbi vendimmarrjen e gjyqtarëve ose prokurorëve.
Kthimi i ryshfetit
Gjyqtarët dhe prokurorët do t’u kthejnë gjithashtu paratë denoncuesve, të cilëve u kanë marrë ryshfet në këmbim të vendimeve në favor të tyre. Në nenin 50 të draftit për Vetingun parashikohet që personi që ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e rivlerësimit, ka të drejtë t‟i drejtohet zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit, sipas legjislacionit penal. Gjyqtari dhe prokurori që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin. Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës. Kthimi i shumës mund t’u kërkohet drejtpërdrejt edhe çdo personi të lidhur me subjektin rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100.000 ALL pa shkak të ligjshëm, që nga 01.01.2006. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur kanë të drejtë të paraqesin në gjykatë padi regresi ndaj personave të tretë që mund të kenë përfituar shumën përkatëse.
Provat
Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit. Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, përbën një provë thelbësore për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore.
Dëshmitarë anonimë
Kodi i ri i Procedurës Penale, i hartuar dhe propozuar nga misioni EURALIUS, parashikon që Prokuroria do të paraqesë dëshmitarë anonimë, me pseudonime dhe zarfe sekrete në gjykatë, për të provuar akuzat ndaj personave të akuzuar për vepra të rënda penale. Në nenin 165/a të Kodit të ri të Procedurës Penale parashikohet që, nëse dhënia e dëshmisë mund të vendosë dëshmitarin ose të afërmin e tij në një rrezik serioz për jetën, dhe nëse i pandehuri akuzohet për vepra të rënda, për të cilat parashikohet burgim pesë vjet në minimum, gjykata, me kërkesën e prokurorit, vendos zbatimin e teknikave të veçanta të marrjes në pyetje dhe të pjesëmarrjes së dëshmitarit në procedim.
Nismat antikorrupsion që po hartohen nga ekspertët
Parashikimi i përgjegjësisë civile të zyrtarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të dënuar penalisht me vendim të formës së prerë për vepra penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Shoqërimin e dënimeve penale me dënime plotësuese të ndalimit të ushtrimit të profesionit si dhe masa të tjera si sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë.
Qartësimin e fuqisë provuese të disa lloje provash të caktuara për të cilat deri tani janë ndjekur praktika të ndryshme gjatë gjykimit
Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale duke parashikuar se, dëshmia e një dëshmitari të vetëm është e mjaftueshme për të provuar akuzën për korrupsion, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kriminalizimin e veprimeve dhe mosveprimeve që synojnë të influencojnë apo ushtrojnë presione të natyrës politike ose të çdo forme tjetër mbi vendimmarrjen e gjyqtarëve ose prokurorëve.
Hartimi i një ligji të ri për parashikimin e masave antikorrupsion dhe krijimit të mekanizmave të specializuar për hetimin e veprave penale korruptive;
Ndryshimi i Kodit së Procedurës Penale dhe legjislacionit për komunikimet elektronike duke parashikuar dispozita që lehtësojnë hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, të tilla si afate të posaçme, aksesi i papenguar i hetuesve në të dhënat telefonike dhe elektronike, zgjerimin e rrethit të provave tej parashikimeve klasike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke lejuar përdorimin agjent provokator, regjistrimeve dhe filmimeve të marra nga individët dhe media, dëshmive të dhëna nga dëshmitarët anonimë, etj.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com