Zbatimi i Reformës në Drejtësi, për pos të tjerave, parashikon identifikimin dhe çmontimin e lidhjeve të gjyqësorit me krimin. Krahas kontrollit për ligjshmërinë e pasurive dhe testimin e aftësive profesionale, armata e gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’i nënshtrohet skanerit për lidhjet e papërshtatshme me grupet kriminale dhe me persona me rekorde kriminale.


Rezultatet e kësaj radiografie do t’i japin përgjigje edhe misterit dhe paradoksit të lirimit nga burgu, në kohë të ndryshme, të personave me rekorde kriminale, të cilët në mjaft raste kanë kryes krime edhe më të rënda pasi janë liruar nga qelitë.

Grupi i kontrollit 
Po kush do t’i kalojë në sitë prokurorët dhe gjyqtarët për lidhjet me grupet kriminale? Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar pranë Kryeministrisë, Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë të ngarkuar me ligj që të ngrenë një grup pune, për kontrollin e figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. 

Ndërkaq, sipas projektligjit për vlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar do të jetë autoriteti përgjegjës për kontrollin e figurës së njerëzve të drejtësisë. 

Kjo drejtori ka të drejtë të caktojë një personel shtesë, ndërsa personat që kryejnë kontrollin e figurës duhet të karakterizohen nga sjellje shembullore etike dhe profesionale, si dhe përmbushin standardet e zbatueshme për mbrojtjen e privatësisë dhe të konfidencialitetit në detyrë. 

Po ashtu, DSIK me kërkesë të grupit të punës ose të institucioneve të rivlerësimit, ka të drejtë të komunikojë me shtetet e tjera për të marrë informacionin e nevojshëm për personat e përfshirë në krimin e organizuar ose për personat e dyshuar të krimit të organizuar, të cilët kanë lidhje me segmente të drejtësisë.

Kush përjashtohet 
Nëse një gjyqtar apo prokuror provohet se ka komunikuar në telefon me një anëtar të bandave kriminale, kur është fotografuar apo kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar, prokuroi apo gjyqtari do të largohet nga sistemi për lidhje të papërshtatshme me krimin si dhe për përfshirje në krim të organizuar. 

Subjekti i rivlerësimit do të ndëshkohet edhe nëse ka lidhje të ngushta, ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri, me një person të përfshirë në krimin e organizuar. 

Një gjyqtar apo prokuror do të largohet gjithashtu nga sistemi nëse ka marrë pjesë ose ka qenë i pranishëm në disa takime, aktivitete, vakte ose raste të tjera, me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar. Sipas ligjit, anëtarësia e dyshuar e personit në krimin e organizuar duhet të jetë e njohur, e publikuar ose të jetë një çështje e skeduar në regjistrat përkatës.

Kontrolli 
Grupi i punës kryen verifikimin e saktë të identitetit, gjeneraliteteve dhe statusit të shtetësisë, në të shkuarën dhe të tashmen, për çdo individ. Po ashtu mundëson kontrollin e rekordeve në nivel lokal e kombëtar, në funksion të aktivitetit dhe tendencave Kriminale si dhe vlerësimin e përgjithshëm, nëse individi mund të vihet nën presion nga struktura kriminale.

​ Grupi i punës bën gjithashtu kontrollin nëse ka qenë, është ose tenton të angazhohet fshehurazi, vetëm, në bashkëpunim, ose në përbërje të një organizate kriminale si verifikon nëse subjekti rezulton i dënuar për një ose më shumë vepra penale, ka sjellje të keqe dhe tendenca kriminale e përfshirje në krimin e organizuar.
 

Kushtet kur ndëshkohen dhe amnistohen prokurorët dhe gjyqtarët
 
1. Rrethanat që merren parasysh në konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar, janë kur:
 
a) Subjekti i rivlerësimit është fotografuar, ose kur një dëshmitar përshkruan një takim me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
 
b) Subjekti i rivlerësimit ose personi i lidhur me të ka pasur një komunikim, një telefonatë me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
 
c) Subjekti i rivlerësimit ose një person i lidhur me të ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri, me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
 
ç) Subjekti i rivlerësimit ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar.
 
d) Subjekti i rivlerësimit merr pjesë ose është i pranishëm në disa takime, aktivitete, vakte ose raste të tjera, me një ose më shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar.

 
2. Rrethanat lehtësuese që merren parasysh ne konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar janë kur:
 
a) Subjekti i rivlerësimit në mënyrë të besueshme parashtron se nuk është në dijeni të faktit se personi është i përfshirë në krimin e organizuar. Kjo rrethanë mund të vlerësohet në raport me rrethanat e parashikuara sipas paragrafit 3 gërma “a”.
 
b) Marrëdhënia familjare e subjekti të rivlerësimit me personin e përfshirë në krimin e organizuar është e largët, ose ka kontakte familjare të rralla.
 
c) Subjekti i rivlerësimit ka qenë i hapur, i besueshëm dhe i plotë në lidhje me kontaktet dhe është distancuar prej tyre. Kjo rrethanë mund të vlerësohet në raport me kohëzgjatjen e kontakteve ose me perceptimin e arsyeve të veprimeve të ndërmarra nga subjekti i rivlerësimit.
 
ç) Subjekti i rivlerësimit i ka qenë në dijeni që personi është i përfshirë në krimin e organizuar, por nuk ka qenë në dijeni të faktit se, ai do të ishte i pranishëm në një takim, vakt apo është mashtruar për një takim të tillë. Kjo rrethanë mund të vlerësohet në raport me rrethanat e parashikuara nënparagrafi 3, shkronja “a”.
 
d) Kontaktet e subjektit të rivlerësimit kanë qenë pesë vjet më parë dhe nuk ka ndonjë tregues që ato vazhdojnë ende. Kjo rrethanë mund të vlerësohet në raport me shkallën e seriozitetit të kontakteve.

tabelat prokuroret

tabelat prokuroret


Redaksai online
a.n shqiptarja.com