Mosha nuk është pengesë kur pasioni, talenti dhe këmbëngulja ecin së bashku. Firdeus Kasaj, 20 vjeçari nga Tirana, ka hapur kompaninë e tij me fokus industrinë e lojërave. Me ekipin e tij sjell inovacion në zhvillimin e aplikacioneve.
"Unë personalisht kam provuar shumë teknologji të ndryshme, shumë profesione të ndryshme që kanë lidhje me programimin derisa kam arritur në një pikë që kam thënë:-“Kjo është gjëja ime, industria e lojëra". Kam më shumë se 5 vite që punoj në këtë lloj industrie. E kam parë që kjo është industri shumë e re në Shqipëri, është shumë e paprekur dhe do doja të fokusohesha këtu", tregon i riu për emisionin Një nga ne.
Që fëmijë, kompjuteri u bë loja e tij e preferuar.
"Kujtimi më i bukur nga fëmijëria ime, në lidhje me kompjuterat ka qenë periudha kur punoja me tim atë në të njëjtin profesion. Në moshën 14 vjeçare kam pasur iniciativën dhe kam marrë pagesën time të parë. Me kalimin e kohës arrita të kaloj në kompani të ndryshme duke mësuar sesi ngrihet një kompani. Në moshën 16 vjeçare ngrita startup-in e parë, normalisht dështova, por nga gabimet mësova sesi të ngre kompaninë time të parë", tregon Firdeus për fillimet e tij në këtë rrugëtim.
Mes të tjerash tregon për një platformë për të cilën ka një vit që punon, ku në thelb qendron përdorimi i Inteligjencës Artificiale.
"Quhet YUME, është një platformë për profesionistët, kompanitë që duan të lidhen me njeri-tjetrin dhe të gjejnë një vend punësimi, investitor apo të shesin një shërbim direkt nga aplikacioni. Përmes saj mund të shohin sesi dy AI komunikojnë me njeri-tjetrin dhe shesin produktin tënd ose të gjejnë një vend pune ty në një kompani tjetër. Është një mjet në ndihmë të burimeve njerëzore, jo formë për të zëvendësuar punonjësin. Me ardhjen e inteligjencës artificiale, shumë punë janë lehtësuar", tregon i riu.
Sipas Firdeus Kasajt, të rinjtë nuk duhet ta shohin inteligjencën artificiale si një kërcënim që do t'u marrë vendin e punës, por si një mundësi për të mësuar, për t'u zhvilluar dhe për të krijuar sipërmarrje të reja.
"Nëse marrim periudhën aktuale, me zhvillimin e inteligjencës artificiale, problemi kryesor që kanë të rinjtë është që dorëzohen. Ata mendojnë se inteligjenca artificiale do t'i zëvendësojë dhe kemi parë shumë universitete që kanë humbur studentë sepse mendojnë se inteligjenca artificiale mund ta bëjë këtë gjë dhe nuk duan t'i futen fare. Nuk duhet të dorëzohen kurrë, por të marrin hapin e parë dhe për të ndërtuar diçka me ndihmën e AI. Mos ta shikojnë si sfidë zëvendësimin, por si mundësi për t'u rritur më shumë", thotë Firdeus.
Është një nga ata të rinj që beson se suksesi mund të ndërtohet edhe në Shqipëri.
"Kam refuzuar shumë mundësi të ndryshme si për të vazhduar universitetin jashtë ose për të punuar jashtë Shqipërisë. Kam marrë shumë oferta të ndryshme, por kam menduar gjithmonë, në çdo çast, që dua të investoj këtu në Shqipëri dhe të mundohem që të sjell këtu inovacionin e huaj dhe të ndërtohet nga talentet shqiptare.
Arsyeja pse kam vendosur që të investoj në vendin tim është sepse rinia këtu është shumë motivuese dhe shumë këmbëngulëse për të arritur qëllimet e tyre dhe unë jam gati çdo ditë duke kontribuar që këtë talent, këtë motivim, ta nxjerrim dhe ta tregojmë jashtë Shqipërisë. Bota mundëson projekte, grante që e ndihmojnë rininë shqiptare që të rritet nga këtu, por për projektet jashtë", tregon për vendimin e tij.
Me një vizion afatgjatë, Firdeusi synon ta shndërrojë kompaninë e tij në një emër me ndikim global.
"Të ardhmen time nëse do marrim një plan 5-10 vjeçar, ne synojmë që të jemi kompania e parë shqiptare që do të vendoset krah Facebook, Linkedin, Instagram. Normalisht ka shumë sfida, është shumë e vështirë dhe kërkon përkushtim, mund, djersë për të arritur aty ku duam. Suksesi më i madh nuk janë çmimet, nuk është as leku, por fryma europiane që ne si kompani kemi sjellë këtu në Shqipëri. ", përfundon Firdeus Kasaj.
Emisionin Një nga ne mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv
Komente









