TIRANE- Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi konfirmon shkrirjen e Gjykatës së Lartë me Kushtetuesen për krijimin e Gjykatës Supreme, të bërë publik mbi një muaj më parë nga gazeta jonë. Ai deklaron fillimin e reformës në drejtësi.
 
Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi ka konfirmuar shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese me Gjykatën e Lartë dhe krijimin e Gjykatës Supreme. Duke konfirmuar në këtë mënyrë lajmin më 6 shtator nga gazeta jonë për këtë reformë rrënjësore në drejtësinë shqiptare, ku parashihej shkrirja e dy gjykatave të rëndësishme. Ministri Celibashi bën me dije se Qeveria ka ngritur grupin e punës për reformën në drejtësi, pjesë e të cilit janë Ministri i Drejtësisë, ai i Brendshëm, Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe deputetë të majtë. Një ndër çështjet në diskutim, është mundësia e krijimit të një Gjykate Supreme, e cila do të përfshinte në një, Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese për krjimin e një gjykate Supreme, që do eliminonte dhe hallkat e gjyqësorit.

Por akoma nuk ka qëndrim për shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë në një Gjykata Supreme. “Është një grup i ngritur për reformën në drejtësi. Pasi ta përgatisim këtë dokument, ne do ta bëjmë atë objekt të diskutimit të gjërë publik dhe politik për gjetjen e rrugës më të mirë. Pastaj do operojmë më tej”, deklaroi Celibashi. Ministri për marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi deklaroi se problemi më i madh i sistemit të drejtësisë, nuk ishte kapja nga qeverisja e kaluar. “Ka pasur mjaft raste që tregojnë se ai ishte një sistem i intimiduar politikisht nga mazhoranca e kaluar. Por në gjykimin tim, nuk është ky problemi më i madh, se sa vetë mënyra se si sistemi i drejtësisë performon. Unë mendoj se kemi një sistem drejtësie që është përgjithësisht i korruptuar, pra një sistem klientelist dhe i korruptuar që më pas shfrytëzohet nga politika”, tha Celibashi.

Gazeta jonë ka shkruar në fillim të shtatorit ku saktësohet se Gjykata Kushtetuese gjykon si shkallë e katërt dhe gjyqtarët e lartë dhe kushtetues s’kontrollohen nga askush. Në Shqipëri ka tre shkallë gjykimi, që kanë në fokus të shqyrtimit shkeljen e të drejtës e në rastin e shkrirjeje së Gjykatës së Lartë me atë Kushtetuese, Kodi i Procedurës Penale do pësonte ndryshime jo vetëm për dy gjykatat. Ajo do reflektohej dhe poshtë te nivelet e tjera të gjyqësorit, duke paralajmëruar një reformë tërësore në gjyqësor, shkrirjen e gjykatave të tjera siç është ajo e gjykatës së Krimeve të Rënda me atë të Apelit, bërjen nul të disa emërimeve në limitet e fundit të mazhorancës. Ndërsa lëviz çështja e juridiksionit fillestar të Gjykatës së Faktit, që me ligj pastaj merr fuqi, që do të sillte dhe gjykimin e politikanëve, deri tani nën juridiksionin e Gjykatës së Lartë.

Shkrimi u publikua sot (25.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)