Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se socialistët e kanë marrë miratimin e qytetarëve për reformën territoriale në zgjedhjet e 11 majit, pasi ishte pjesë e programit të tyre elektoral. Balla theksoi se drafti do të votohet sot, ndërsa ftoi opozitën të pranojë ngritjen e një komisioni të posaçëm për kompetencat që do t'u transferohen bashkive.

"Ne e kemi marrë dakordësinë më 11 maj, se kjo pikë ka qenë pika e parë e programit tonë, Shqipëria 2030. Shqiptarët na dhanë 83 mandate për ta çuar përpara këtë reformë. Ftesa ime nuk është të mos diskutojmë. Ne do ta diskutojmë dhe do ta votojmë sot këtë pikë të rendit të ditës. Ftesa ime është t'i përgjigjeni ofertës që ju bëra një javë më parë. Javën e ardhshme të ngremë Komisionin e Reformës Territoriale, jo për ndarjen, por për pjesën e kompetencave. Nëse qeshni, e sa herë ju kam parë të qeshni e të zgërdhiheni si sot, unë po ju them: keni një javë kohë që të mendoni, që të vini për pjesën e kompetencave.

Kjo sot do të votohet. Deri të enjten tjetër mendohuni, bëni gati propozimet. Jemi gati t'u transferojmë bashkive të reja kompetenca, pasi sot ato bashki që shkrihen nuk i kryejnë këto funksione. Votojmë kundër kërkesës", tha Balla. 


Lajmi kryesor:

LIVE TV- ‘Territorialja’ në Kuvend/ Sinaj ndryshon qëndrim, pritet të votojë pro! Opozita: Rama ‘ekzekuton’ 15 bashki! Rrëzohet kërkesa e PD për ta hequr nga rendi i ditës