Reforma territoriale model zhvillimi kombëtar, jo nevojë elektorale!

Reforma territoriale model zhvillimi kombëtar, jo nevojë elektorale!

Foto ilustruese

Duhet të theksojmë se, për shkak të nevojave dhe sfidave të reja, edhe vendet me një eksperiencë të gjatë republikane e demokratike e kanë sfidë reformën territoriale. Kjo lidhet me faktin, se shumë prej tyre i kanë bërë kushtetutat e tyre menjëherë pas Luftës II Botërore, kur ishin realitete të tjera ekonomike, politike, sociale, zhvillimi urban dhe  infrastrukturor!

Një nga këto vende, që po përballet me sfidën e ndarjes territoriale është edhe Italia, e cila, sot, për shkak edhe të rrymave politike të kohës, është përballë problemeve e sfidave që kërkojnë zgjidhje adekuate.

Një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e problemeve dhe nevojave që lidhen me ndarjen territoriale, përtej sfidave  historike, ka luajtur edhe krijimi dhe evoluimi i BE, duke futur si kriter kryesor susidiaritetin, i cili ka për qëllim zgjerimin e autonomive lokale, rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, afrimin e shërbimeve dhe të pushtetit sa më pranë qytetarëve.

Nëse nisemi nga precedentët dhe modelet historike, Shqipëria, nuk ka! Madje, si në kohë dhe në hapësirë, modelet e zbatuara nga Shqipëria, janë modele hibride, të paqarta dhe nuk pasqyrojnë  realitetin ekonomik, politik, social, zhvillimin urban, sfidat e infrastrukturës. Gjithashtu, historia e republikës parlamentare të Shqipërisë, për shkak të madhësisë së territorit, përbërjes së popullsisë, nuk është e ngjashme me shumë vende europiane, që janë marr si model, ose që mund të merren përsëri.

Pra, Shqipëria, duhet të bëjë një reformë serioze territoriale, që të pasqyroi realitetin e saj!

Reforma territoriale, prek një pjesë të konsiderueshme të kushtetutës! Prandaj, dilema e parë, që duhet të kaloi kjo reformë është nëse reforma duhet të jetë me frymën e kushtetutës që kemi sot, ose, nëse kushtetuta aktuale nuk mjafton dhe reforma duhet të jetë një hap para saj! Mendoj, se kushtetuta aktuale nuk është model i duhur që garanton një reformë të mirë, por reforma e hartuar në mënyrë serioze duhet të diktoi ndryshime kushtetuese, pa prekur parimet bazë të shtetit të së drejtës, duke vendosur e ruajtur me rigorozitet parimin e susidiaritetit që, tashmë, është normativë europiane  që, në të ardhmen, do të jetë e obliguar edhe për Shqipërinë, në rrugën e drejt anëtarësimit në BE!

Reforma territoriale nuk prek vetëm anën formale ligjore dhe kushtetuese, por është e rëndësishme edhe për modelin e organizimit ekonomik, që duhet të ketë Shqipëria në vitet e ardhshme, që nga taksat vendore, organizimin vendor, zhvillimin lokal etj.! Ndarjet territoriale, që janë bërë në 30 vite, në Shqipëri, nuk kanë qenë të suksesshme, sepse nuk kanë prodhuar modele zhvillimi autonom, duke mbetur një barrë  zhvillimi dhe pagesash për investimet nga pushteti qendror. Pra, në këto vite, dhe aktualisht,  nuk kemi asnjë bashki që arrin të të zhvillohet me vetë administrim e madje shumë prej tyre kanë balance negative, si pasojë e keqmenazhimeve!

Italia, nëse merret si referim, problem dhe çështje më të diskutuar në këto 30 vite, ka pasur federalizmin fiskal, si pjesë të ndarjes territoriale. Kjo lidhet me faktin, se ka një disnivel të theksuar mes Veriut dhe Jugut e po ashtu edhe për faktin se janë dy realitet të ndryshme sociale, ekonomike, urbanistike e po ashtu infrastrukturore. Ndoshta, këto kritere duhet të merren parasysh edhe në rastin e rastin e Shqipërisë, sepse, për fat të keq, këto problematika ekzistojnë!

Pra, reforma elektorale duhet të jetë edhe një model zhvillimi afatgjatë. Po nuk duhet të neglizohet edhe fakti i terrenit kryesisht malor, mungesës së theksuar të infrastrukturës, si dhe  konceptet, thuajse, akoma primitive të zhvillimit urban, që e bëjnë Shqipërinë, një vend, ku ndarja e territoriale duhet të ketë si qëllim edhe afrimin e garantimin e shërbimeve në territorin më të afërt.

Në të kaluarën, reformat territoriale kanë qenë edhe një mollë sherri nga partitë politike, me qëllim vota dhe garancia elektorale. Këtë herë nuk duhet të ndodh kështu, sepse ndarja territorial duhet t'u shërbej qytetarëve, duhet të jetë pasqyre sa më e mirë e demokracisë funksionale. Prandaj, ndarja territoriale është mirë që të konsultohet edhe nga ekspertë ekonomist, kostitucionalistë, ekonomistë e sociolog, si dhe në fund, përderisa prek pjesë të rëndësishme të  ndryshimeve kushtetuese, duhet të aprovohet me anë të një referendumi gjithëpërfshirës!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Ergys Mërtiri: Çna tregoi Altin Dumani?

Ergys Mërtiri: Çna tregoi Altin Dumani?