Partia Socialiste duket se ka arritur në përfundimin se ndarja aktuale territoriale e Shqipërisë është e duhura. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fund të mbledhjes së grupit tha sot se kanë arritur në përfundimin se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.

 “Ka pasur propozime edhe për zvogëlim edhe për zmadhim të numrit. Nisur nga fakti që kanë kaluar vetëm 7 vite nga reforma e fundit. Të gjitha reformat janë përmirësuar. Ne kemi përmirësuar edhe shërbimin online. Kemi konkluduar që pozicioni ynë në komisionin e posaçëm është t’i qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.”- tha Balla nga Kryesia e Kuvendit.

Partia Demokratike e quan këtë lëvizje të socialistëve si një tallje me qytetarët. Bashkëkryetarja e Reformës Territoriale-Administrative, deputetja e PD-së Dhurata Çupi, në një postim në rrjetet sociale, thotë se Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vërtetë elektorale dhe kërkon rezultat në tavolinë.

Kujtojmë se grupimi Alibeaj në draftin e tyre të reformës territoriale, propozuan hartë të re me 92 bashki dhe 6 rajone. Nga 12 qarqe Grupi Parlamentar i PD propozon rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:08
‘Territorialja’, Alibeaj për deklaratën e Ballës: Provokim, s’mund të flasësh pa përfunduar punën komisioni! PS do të fitojë zgjedhjet në tavolinë

 

Kryetari i Grupi Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, e ka cilësuar si provokim deklaratën e Taulant Ballës, i cili tha se PS do t’i qëndrojë hartës aktuale territoriale. Për Alibeajn, PS kërkon sërish që të fitojë zgjedhjet në tavolinë, ndërsa shton se nuk mund të flasin pa përfunduar komisioni. Alibeaj i bëri thirrje edhe deputetëve të Rithemelimit të bëhen bashkë për të çuar deri në fund propozimet që kanë për Reformën Territoriale.

'Kjo çështje meriton trajtim. Deklarata e Ballës politkisht e papërgjegjshme dhe provokim. Nuk mund të flasësh pa përfunduar komisioni. Jemi nisur të bëjmë një Reformë Territoriale që të adresojë të gjitha problematikat e reformës aktuale. Prej kaq kohësh është një kërkesë jo vetëm e jona, por e të gjithë qytetarëve. Pasi kanë kërkuar një ridimensionim të Reformës Territoriale. Pushteti vendor u kthye në depozitë për militantët. Kërkon që edhe zgjedhjet e 2023 që t’i fitojë sërish në tavolinë. Kjo na vendos ne deputetëve të PD-së për ta çuar deri në fund. U bëj thirrje të gjithë deputetëve të PD-së, pas asnjë lloj dallimi, pasi na është kërkuar ne. E përsëris thirrjen për të shkuar dhe mbështetur nevojën dhe interesin e shqiptarëve.’- tha Alibeaj.

Ora 12:12
Reforma territoriale-administrative, propozimi i PD-së: 6 rajone dhe 92 bashki

1654159734_1639756587PartiaDemokratike11140x600.jpeg

Në draftin e propozuar nga PD, kërkohet që të behën 92 bashki dhe 6 rajone. Sipas diskutimeve mësohet se disa nga bashkitë që shtohen janë si më poshtë: Bashkia Sukth; Bashkia Fushë-Krujë; Bashkia Farkë; Bashkia Ndroq, ndërkohë Paskuqani i bashkohet Bashkisë Tiranë dhe Zallherri i bashkohet Bashkisë Kamëz; Bashkia Maqellar, Kastriot dhe Lurë në qarkun Dibër; Bashkia Shpirag në qarkun Berat; Bashkia Dukagjin dhe Velipojë në Qarkun Shkodër; Bashkia Shpat dhe Bashkia Bardashesh në qarkun Elbasan; Bashkitë Milot, Orosh, Zadrimë dhe Bregu i Matës në qarkun Lezhë; Bashkitë Levan, Dushk, Ardenicë dhe Fratër në qarkun Fier; Bashkitë Shishtavec dhe Bicaj në qarkun Kukës; Bashkitë Leskovik, Voskopoj, Drenovë, Pojani dhe Stravë në qarkun Korçë; Bashkitë Orikum, Ksamil, Novosel dhe Kote në qarkun Vlorë.

Mësohet se deputetët kanë bërë disa propozime shtesë dhe sugjerime për ndryshime të cilat pasi të rishikohen nga ekspertët, secili prej deputetëve deri javën e ardhshme do të finalizojnë draftin që do ti propozojë zyrtarisht Grupi Parlamemtar i Partisë Demokratike.

Ndërkohë që nga 12 qarqe Grupi Parlamentar i PD propozon rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë.

Deputetët do të vijojnë diskutimet edhe gjatë kësaj jave dhe pritet që drafti final të miratohet nga Grupi Parlamentar të martën e javës së ardhshme, për të kaluar më pas në diskutimet publike dhe politike deri në 30 Shtator.

Ora 12:03
Balla tha se PS do t’i qëndrojë ndarjes aktuale për hartën territoriale, reagon Çupi: Po tallen me qytetarët, kanë frikë nga vota

1662553961_cupi.JPG

Bashkëkryetarja e Partisë e Komisionit për Reformën Territoriale, deputetja e PD-së Dhurata Çupi ka reaguar pas deklaratës së Taulant Ballës, i cili tha se PS do ti’i qëndrojë hartës aktuale. Çupi tha se PS po tallet me qytetarët dhe se socialistët kanë frikë nga vota.

‘Vendimi i PS, për të mos ndryshuar hartën territoriale, është tallje me qytetarët që duan ndryshim tê hartës.  Është tallje me partnerët që u angazhuan nê proçes. Ështe tallje me parlamentin. Ështe shpërdorim i taksave të qytetarëve, për njê proçes të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës. Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vertete elektorale dhe kërkon rezultat ne tavoline. Kështu ka bêre në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgedhor.  Edi Rama ka frikë nga vota.  Përgjigja e qytetarêve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale. Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve.’- tha Çupi.