Reforma territoriale, Rama i ofron
opozitës të drejtën e votës

TIRANË- Fjala e kryeministrit Rama në nënshkrimin e projektit “STAR”  për asistencë teknike në mbështetje të Reformës Administrative-Territoriale

Lejomëni, të gjithë që, të falënderoj kryekreje, me shumë mirënjohje, Agjencinë Suedeze për Zhvillim (SIDA), USAID-in, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim (SDC), PNUD-in, Kooperacionin italian [Cooperazione Italiana], OSBE-në, padyshim, që i janë përgjigjur pozitivisht, në kohë rekord madje, ftesës së vullnetit tonë të mirë si “Aleancë për Shqipërinë Evropiane” për t’u bërë pjesë e një reforme me rëndësi historike, siç është Reforma Administrative -Territoriale.

Kjo që duam të bëjmë bashkë me ju, të dashur miq dhe partnerë të vendit tonë, nën udhërrëfimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë, është historike sepse, më në fund, pas kaq shumë vitesh të humbur, mundëson marrjen në konsideratë nga ligjvënësit të ndryshimeve historike demografike, ekonomike dhe sociale, që në një thuajse çerek shekulli kanë ndodhur në territorin e vendit tonë.

 Krijon mundësinë për një rilexim të situatës së sotme të territorit, në kushtet kur pjesë të tëra të popullsisë kanë mbetur jashtë rrugëve të zhvillimit dhe pjesë të tëra të qeverisjes vendore kanë mbetur pa kushte, për të projektuar dhe siguruar zhvillim të qëndrueshëm urban, ekonomik dhe social për çdo komunitet. Vendos piketa dhe standarde të reja për trajtimin e potencialeve të çdo pjese të territorit të vendit dhe për menaxhimin e këtyre potencialeve në të mirë të çdo komuniteti. Hedh themelet e një platforme të re zhvillimi kombëtar dhe rajonal, duke garantuar një bazë të re për mirëqeverisjen dhe sigurimin e shërbimeve cilësore komunitare. Transformon shtetin dhe qasjen e tij në të dyja nivelet e qeverisjes, në përputhje me transformimet e ndodhura gjithë këto vite në territor dhe mundëson daljen e nga një prapambetjeje e thellë në funksionimin integral të strukturës sonë shtetërore.

Reforma Administrative-Territoriale është një reformë që si për asnjë tjetër, që të gjithë, bien dakord në parim. Jo sot, por prej shumë vitesh të gjithë thonë, siç kanë thënë gjithmonë: ‘Po, duhet!’. Madje duhet patjetër! Nuk është dëgjuar asnjëherë, që kur mbahet mend të jetë hapur kjo temë, një zë i vetëm që të thotë: ‘Jo, kjo reformë nuk duhet!’

Por, po ashtu, si për asnjë reformë të tjetër, që me hir a me pahir, me ngut, me copa a me defekte, po të doni edhe me cene të rënda nganjëherë, është bërë deri më sot, kjo reformë nuk është nisur kurrë si duhet dhe nuk është bitisur kurrë, qoftë edhe si një prej jo pak farsave, të cilat gabimisht janë pagëzuar si reforma gjithë këto vite tranzicioni. Sepse si në asnjë pikënisje tjetër për një reformë, politika shqiptare nuk ka qenë më e ndarë, më e pavendosur, më dështake sesa për këtë reformë madhore, pikërisht.

Nuk do ta teproja aspak po të thosha se në kushtet e sotme të Shqipërisë, kjo është kryereforma.

Unë besoj fort se këtë herë është ndryshe. Jo vetëm pse këtë herë kush vendos ta nisë më në fund këtë reformë të bekuar, ka edhe votat e shumicës së cilësuar që lipset për ta kaluar atë në Parlament. Madje, votat e nevojshme të shumicës që “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” i ka, janë arsyeja e fundit, jo e para, për të besuar se këtë herë politika shqiptare nuk mund të jetë pengesa e papërgjegjshme tradicionale, në rrugën e kësaj reforme jetike për zhvillimin normal të vendit.

Lejomëni të përfitoj nga rasti që të jem shumë i qartë në këtë pikë.

Ne duam që këtë reformë ta udhëheqë Kuvendi i Shqipërisë, me një Komision të Posaçëm Parlamentar. Jo vetëm e dëshirojmë pjesëmarrjen e plotë të opozitës në konceptimin dhe në hartimin e projektit të reformës, por kemi të gjithë gatishmërinë që mbi bazën e praktikës së mirë të Komisioneve Parlamentare Bipartisane t’i njohim opozitës të drejtën e bashkëkryesimit të komisionit, si dhe të gjithë të drejtat që garantojnë barazinë në Komision, përfshirë edhe veton, siç është përdorur në praktikën e komisioneve të Reformës Zgjedhore.

Qeveria, falë mbështetjes bujare, qoftë teknike, qoftë financiare të miqve dhe të partnerëve të Shqipërisë, do të luajë rolin e domosdoshëm, të pazëvendësueshëm, mbështetës, për të siguruar që të gjitha aspektet e këtij procesi, të lidhur pazgjidhshmërisht me dialogun dhe me konsultimin e komuniteteve, të mbulohen tërësisht.

Synimi ynë është që përmes një ndërveprimi gjithëpërfshirës të garantojmë mbylljen e reformës me sukses dhe me një mbështetje të plotë të të gjitha forcave politike. Për këtë jemi plotësisht të hapur ndaj të gjithëve dhe do të mirëpresim çdo ide, sugjerim, kontribut nga të gjithë, në çdo nivel, parlamentar apo komunitar.

Prandaj dëshirojmë dhe urojmë që opozita ta nxjerrë jashtë axhendës së aksionit të vetë legjitim antiqeveritar, këtë temë të madhe të politikës kombëtare dhe të mos mungojë në rrugën e një reforme me interes të madh kombëtar, me interes të madh publik, me interes të madh komunitar.

Vizioni ynë i kësaj reforme nuk lidhet me asnjë interes partiak, në favor të një pale dhe kundër një pale. Për ne, kjo reformë është instrument modernizmi për vendin dhe shtysë e fortë për zhvillimin e integruar të tij, gjë për të cilën ne jemi të gjithë dëshmitarë, ky vend ka nevojë të dëshpëruar.

Është një reformë për ngritjen e një cilësie të re të projektit tonë kombëtar të Shqipërisë europiane. Për racionalizmin e burimeve njerëzore dhe financiare të shtetit shqiptar, në funksion të rritjes së cilësisë të qeverisjes kombëtare dhe të qeverisjes vendore dhe të uljes së shpërdorimit, pa asnjë arsye dhe pa asnjë kuptim të këtyre burime njerëzore dhe financiare, që një vend si i yni nuk e ka luksin t’i shpërdorojë. Për shfrytëzimin racional të burimeve natyrore të vendit, për mbrojtjen e tokës, të ujërave të pijshëm, të pyjeve, të lumenjve, të plazheve, si dhe patjetër për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Për modernizmin e sistemeve të furnizimit të familjeve me ujë për konsum njerëzor dhe për vaditje, në të gjithë hapësirën rurale. Për modernizmin e shërbimeve të transportit dhe të pastrimit dhe sigurisht për rritjen cilësore të shërbimeve në shëndetësi, në arsim, në bujqësi. Për modernizmin e shërbimeve të përditshme për qytetarët, në zonat urbane dhe rurale dhe për garantimin e një shërbimi të besueshëm dhe të qëndrueshëm të punësimit dhe të ndihmës ekonomike.  Për lehtësimin e investimeve private, pa dyshim vendase apo të huaja. Në fund të fundit për vetë lehtësimin e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE.

 Një proces modernizmi që e bën Shqipërinë më të gatshme që të ketë akses në fondet strukturore dhe e bën ndërveprimin në BE më të lehtë, në një proces integrimi që do të zgjasë pak a shumë një dekadë. Për këtë dekadë Shqipëria duhet të mobilizojë të gjithë forcat e veta. Shqipëria nuk ka asnjë luks që të shpërdorojë fuqitë e veta njerëzore apo financiare.

 Dua ta falënderoj në fund ministrin Çuçi për punën e shkëlqyer plot pasion dhe këmbëngulje, e cila ka bërë që në shumë pak muaj të krijohet një bazë solide, falë pjesëmarrjes së donatorëve për fillimin e një përpjekjeje të përbashkët drejt realizimit me sukses të reformës administrative territoriale. Madje ka provuar që edhe donatorët mund të punojnë më shpejt, mund të punojnë më mirë dhe mund të punojnë në harmoni me njeri-tjetrin për një qëllim të përbashkët. Kjo nuk është pak. Kjo është një eksperiencë pozitive për t’u përsëritur edhe në fusha të tjera.

 
Faleminderit të gjithëve dhe njëherë! Më lejoni t’u garantoj se ndihma dhe mbështetja direkte e të gjithëve ju në këtë rast, është absolutisht e paçmueshme dhe kjo reformë jetike, falë kësaj ndihme dhe kësaj mbështetje është absolutisht e arritshme, në një kohë të shpejtë dhe jo vetëm shpejt, por me të gjithë cilësinë që ne kërkojmë dhe që ju me plot të drejtë kërkoni prej nesh.  

Shumë faleminderit!

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale