Reforma,Topi: Presidenti me votë 
popullore,  të mos hiqet nga KLD

Reforma,Topi: Presidenti me votë <br />popullore,  të mos hiqet nga KLD
TIRANE - Ish-Presidenti Bamir Topi i qëndron idesë se kreu i shtetit duhet të zgjidhet me votë nga populli, por ama sipas tij duhet të vazhdojë të qëndrojë në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Përmes një interviste në televizionin A1Report Topi komenton draftin e Ministrisë së Drejtësisë mbi propozimet për reformën në gjyqësor duke u shprehur se heqja e presidentit nga KLD siç propozon Ministria e Drejtësisë është një lëvizje e gabuar.

“Presidenti i Shqipërisë duhet të jetë i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli. Përplasjet e presidentit me mazhorancën kanë qenë gjithmonë. Janë interesa jo në mënyrën e sjelljes, në mënyrë formale, janë interesa të zotërimit të pushteteve. Në rast se ne themi që presidenti duhet të zgjidhet nga Populli, ku më shumë se në atë pozicion, në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të projektohet pushteti që i është deleguar presidentit nga populli. Po për çfarë ka nevojë populli?! Ka nevojë për drejtësi! Kështu që unë mendoj se do ishte një gabim fatal”, -shprehet Topi.
 
Topi mbështet poashtu idenë se kryeprokurori duhet të zgjidhet me shumicë të cilësuar, por roli i Këshillit të Prokurorisë të mbetët vetëm këshillimor dhe jo vendimmarrës siç propozon Ministria e Drejtësisë.

“Duhet gradualisht të kalohet dhe të tejkalohet ajo situatë kur këto institucione të rëndësishme zgjidhen me vullnete të një shumice. Këshilli këshillon, unë jam i asaj që këshilli ta ketë këtë funksion dhe t’i ofrojë zgjidhje prokurorit, por në mënyrë absolute në këndvështrimin tim kjo duhet të jetë kompetencë finale e Prokurorit të Përgjithshëm”, -thotë Topi.

Për ish-kreun e shtetit është e një rëndësie të veçantë konsultimi me të gjitha palët, por është e pafalshme që pjesë e kësaj reforme nuk janë bërë ish-presidentët.

“Janë katër ish-president gjallë, absolutisht nuk më vjen mirë që janë përjashtuar nga ky proces kaq i rëndësishëm, të gjithë ish-presidentët. Askush nuk i thërret për të marrë vendime. Pra duket sikur është zotërimi i pushtetit të çastit”, u shpreh Topi.

Sipas kreut të Frymës së Re Demokratike, nuk ka reformë në drejtësi nëse Kodi Zgjedhor nuk bëhet pjesë e ndryshimeve . 

“Në rast se kemi një Kod Zgjedhor ku shprehet vullneti i popullit për të quar njerëzit e duhur në parlament dhe nuk i defermohet vota rrugës, atëherë ne do kemi garanci që në parlament do jenë njerëzit e duhur që do arrijnë të bëjnë reformën e duhur për drejtësinë”, u shpreh ish-kreu i shtetit.

Ish-kreu i shtetit Bamir Topi shprehet se në diskutimet për reformën në drejtësi po trajtohen nga pseudoanalistë dhe jo nga vetë eksponentë të parlamentit.

 Topi e ka një koment edhe për opozitën.

“Në rast se opozita qanë pushtetin që sapo e la, është mjerimi i opozitës. Është shumë kollaj të dalësh çdo ditë në televizor dhe të dalësh në Facebook të japësh pozicione, por nuk është kjo opozita institucionale dhe kjo është një opozitë e cila nuk di se ku të shkojë”, tha Topi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Erdogan të enjten në Tiranë! inaugurohet xhamia e Namazgjasë, drejtuesi imam turk! Presidenti takime dhe me Ramën e Begajn

Erdogan të enjten në Tiranë! inaugurohet xhamia e Namazgjasë, drejtuesi imam turk! Presidenti takime dhe me Ramën e Begajn