Në një kërkesë drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe për dijeni Ambasadorëve të Quint-it dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, 43 deputetët e grupimit Bardhi-Berisha, 3 deputetët e Partisë së Lirisë dhe deputeti i PD Agron Shehaj, i kanë kërkuar Kryetares së Kuvendit të procedojë me ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
47 deputetët e opozitës, të cilët së bashku me 7 deputetët e Grupit Parlamentar për Demokraci dhe Integrim që kanë caktuar Shpëtim Idrizin si anëtarë të tyre, përbëjnë shumicën absolute të deputetëve të opozitës, kanë theksuar se përveç faktit që Shqipëria ka detyrimin ndërkombëtar për reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, nga ana tjetër Kuvendi ka detyrimin për të reflektuar edhe 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese, që lidhen kryesisht me formulën ligjore të përllogaritjes së mandateve për deputet, si dhe votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
Në një letër të gjatë deputetët e opozitës kanë shpjeguar në detaje sesi puna e Komisionit të Posacëm të Reformës Zgjedhore u bllokua për rreth 2 vite nga bashkëkryetarët aktual.
“Për shkak se në 18 muaj Komisioni i Posaçëm zhvilloi vetëm dy mbledhje inaguruese dhe nuk përmbushi përgjegjësinë e ngarkuar nga Kuvendi dhe as afatet e kalendarit të punës që kishte miratuar vetë, në 14 Maj 2023, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje pa asnjë ndryshim ligjor dhe pa adresuar asnjë nga Rekomandimet e OSBE-ODIHR të vitit 2021”- thuhet në shkresë.
Deputetët nënshkrues shprehen se kanë analizuar situatën që në muajin Shtator 2023 dhe kanë konstatuar se asnjë përfaqësues i mazhorancës dhe opozitës, roli udhëheqës i përket bashkëkryetarëve, nuk kishin kërkuar asnjëherë zyrtarisht mbledhjen e Komisionit, nuk kishin patur asnjë reagim apo nuk kishin nxitur asnjë debat publik mbi këtë çështje, nuk kishin informuar asnjëherë Grupin Parlamentar apo vetë Kuvendin për ekzistencën e ndonjë arsyeje objektive për bllokimin e punës në Komision, si dhe drejtuesi i opozitës në Komision nuk kishte zhvilluar asnjë takim, konsultim apo mbledhje me anëtarët e tjerë të opozitës.
“Nga kjo analizë rezultoi e provuar që qartësisht Reforma Zgjedhore po lihej në heshtje, po mbahej qëllimisht e bllokuar, edhe pse koha po kalonte dhe zgjedhjet e ardhshme ishin afër”-shkruajnë deputetët.
“Është e drejtë e trupës që ka mandatuar përfaqësuesit që të rishoh rolin e tyre, si dhe t’i mbajë përgjegjës kur cënohen interesat politike apo kur shpërdorohet besimi i dhënë. Në këtë kuptim, koha e mjaftueshme prej 22 muajsh për të ushtruar përgjegjësinë e ngarkuar dhe mungesa e progresit në këtë çështje, e bën të domosdoshëm ndryshimin e përbërjes së Komisionit” – thuhet më tej në shkresën drejtuar Kryetares së Kuvendit.
Më tej deputetët shprehen se nëse deputetët e PD-së së kryesuar nga Basha shprehin vullnetin të përfaqësohen me një anëtar në komisionin e Reformës Zgjedhore, atëherë do të tërheqin një anëtar nga propozimi i tyre për të mundësuar caktimin e përfaqësuesit të kolegëve të tyre.
Ndërsa nënkryetari i PD, Kreshnik Çollaku në një deklaratë për mediat pasi doli nga seanca plenare i bëri thirrje deputetëve të Rithemelimit që të dalin me një draft të përbashkët sa i takon komisionit të Reformës Zgjedhore.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)