Reforma zgjedhore, Report Tv zbardh draftin! PS-PD dakordësi për 2/3 e listës së hapur dhe votën e emigrantëve! Mblidhen 'Ligjet'

TIRANË- Në Komisionin e Ligjeve po diskutohet drafti i dakordësuar mes PS dhe PD për reformën zgjedhore. Report Tv dhe Shqiptarja.com ka siguruar draftin që është hartuar mes dy palëve, ndërsa kanë rënë dakord që 2/3 e listës së deputetëve të jetë e hapur dhe 1/3 të jetë ekskluzivitet i kryetarit të partisë. Palët po ashtu kanë arritur dakordësi për votën e emigrantëve.

Dy partitë politike kryesore të vendit, Partia Socialiste në qeveri dhe Partia Demokratike në opozitë, duket se kanë rënë dakord që të mbajnë me lista të mbyllura shumicën dërrmuese të mandateve të deputetëve edhe në zgjedhjet e ardhshme për parlament të parashikuara për vitin 2025, ndërsa votuesit e secilës parti do të mund të zgjedhin me votë pëlqyese më pak se një të tretën e kandidatëve.

Si do të bëhet shpërndarja e mandateve?
Referuar variantit të dakordësuar për herësin  1/3 e listës së kandidatëve do të jetë e fiksuar, pra do të përcaktohet nga kryetari i partisë, ndërsa 2/3 e listës do të jetë e hapur dhe kandidatët për deputetë në këtë listë do të garojnë mes njëri-tjetrit për të fituar mandatiet fituese ata me me votat më të larta parapëlqyese. 

Ndërsa referuar ndryshimeve që priten të miratohen dhe janë në draftin e përbashkët kandidati për deputet, i regjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Ky sistem që pritet të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Shembull: Qarku i Tiranës ka 36 madate, 1/3 e listës së çdo subjekti zgjedhor do të renditet në listën fituese, pra 12 deputetë. 12 kandidatët e renditur nga kryetari i partisë në listën fikse e kanë të sigurt mandatin e deputetit dhe vetëm nëse partia arrin të sigurojë më shumë se 12 mandate (shembull:+ 4 mandatate të tjera) , gara për këto mandate do të zhvillohet mes kandidatëve të renditur në listën e hapur, duke përcaktuar fitues këtë herë 4 më të votuarit. 

Nuk ka me "favore" per kryetaret, kandidohet vetëm në 1 qark
Po kështu në këtë draft nuk ka më 'favore' për kryetarët. Ndryshe nga zgjedhjet e 2021 kur kryeministri Edi Rama kandidoi në Vlorë e Durrës, apo Monika Kryemadhi kandidoi në qarkun Tiranë e Fier, tani me ndryshimet nuk do jetë më kjo. 

Në nenin 67 në pikat 4  e 5 thuhet

"Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish"  

Kandidati për deputet, i rregjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Një ndryshim tjetër është edhe heqja e pragut 1% në rang kombëtar për kandidatët e pavarur.

Vota e diaspores
Sipas draftit përfundimtar sa i takon votës së emigrantëve KQZ drejton mbikëqyr dhe është përgjegjëse për procesin për përgatitjen e zgjedhjeve gjithashtu organizon votimin. Çdo ent tjetër shtetëror ose privat që përfshihet në këtë proces janë të detyruar të zbatojnë rregullat e përcaktuara në këtë Kod dhe në aktet nënligjore që miraton KQZ-ja në zbatim të tij.

Edhe rregjistrimi elektronik i zgjedhësve jashtë do të realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 60 ditë para kësaj date. Zgjedhësi paraqet dokumentacion që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në momentin e regjistrimit automatikisht crregjistrohet në listën e zgjedhësve brenda vendit. Votimi do të bëhet përmes postës. KQZ dërgon fletën e votimit në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve dhe më pas votuesi e dërgon të plotësuar dhe e sekretuar në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit.

Fletët e votimit në momentin e mbërritjes në KQZ rregjistrohen ne një rregjistër të posaçëm dhe ndahen sipas zonës zgjedhore të vendbanimit më të fundit të zgjedhësit para largimit nga Shqipëria. Procesi i numërimit të tyre fillon në të njëtin moment që fillon numerimi i kutisë së parë me fletë votimi të zonës zgjedhore përkatëse dhe vlerësimi i tyre kryhet nga administrata e KQZ-së dhe tabelohen në tabelën e rezultateve të zonës zgjedhore përkatëse.

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Drafti

Ndryshimet në kodin zgjedhor/ Varianti i PS-së, varianti i PD -së dhe varianti i dakordësuar

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:30
Reforma zgjedhore, ja propozimet që diskutohen në Komisionin e Ligjeve

Në Komisionin e Ligjeve po diskutohet drafti i dakordësuar mes PS dhe PD për reformën zgjedhore. Po shqyrtohen edhe propozime të partive parlamentare dhe jo parlamentare për kodin elektoral. Draftet që do marrin miratimin e Komisionit të Ligjeve pritet t’i kalojnë seancës plenare për votim.

Çfarë do të diskutohet tek Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut

 1. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë“, i ndryshuar. (22.699 zgjedhës Kristaq Kume 07.11.2022) 

2. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar. (Deputet Fatmir Mediu 8.11.2022) 

3. Projektligj "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 019, datë 29. 12.2018 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar", (Deputet Enkelejd Alibeaj 15.11.2023) 

4. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10019, datë 29.12.2018 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” (Grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike 11.12.2023) 

5. Projektligj” Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”. (Deputet Agron Duka 24.4.2024) 

6. Vendimi Nr. 62, dt. 20.06.2024 Për Regjistrimin e Nismës Ligjvënëse te zgjedhësve "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 10019, dt. 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë". (Adriatik Lapaj 01.07.2024) 

7. Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10019, datë 29.12.2018 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” (Grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste 8.7.2024) 

8. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë“, i ndryshuar. (Deputet Oerd Bylykbashi 18.07.2024)

Ora 14:59
'Pak orë na ndajnë nga puçi kushtetues', Basha reagon për Zgjedhoren: Shqiptarët duan ndryshim, Rama dhe Berisha jo

Lulzim Basha Kreu i Demokratëve Euroatlantikë ka reaguar ditën e sotme përmes një postimi në FB në lidhje me marrëveshjen për Refomën Zgjedhore.

Basha shprehet se dhe pak orë na ndajnë nga formalizimi me votë i pazarit të rradhës mes Edi Ramës dhe Sali Berishës për mbylljen e listave.

Në reagimin e tij në Facebook, Basha shkruan se ky është një puç Kushtetues kundër interesave të qytetarëve dhe për të mbajtur gjallë tranzicionin korruptiv, që pastaj ta kenë më të lehtë luftën e tyre kundër SPAK.

Postimi i plotë i Bashës

Pak orë na ndajnë nga formalizimi me votë i një pazari të mbyllur qysh prej 2008-ës mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, të rinovuar nga kryeministri më i korruptuar i Europës pas 9 shtatorit 2021, kur për shkak të halleve të tij me drejtësinë, i erdhi në ndihmë të sanksionuarit si non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u bërë bashkë në luftën e tyre kundër SPAK, që kërcënon pandëshkueshmërinë, ekosistemin në të cilin gëlojnë interesat e tyre ekonomike dhe politike, që ju ka dhënë atyre çdo gjë dhe u ka marrë shqiptarëve gjithçka.

Keni parë në këto orë të flitet për gjasmë negociata për Reformën Zgjedhore.

Në fakt janë fasada e një pazari të mbyllur muaj më parë, ku Rama dhe Berisha janë bërë bashkë kundër interesit të qytetarëve.

Ata sabotuan Komisionin e Reformës Zgjedhore bashkarisht, sepse nuk duan t’i fuqizojnë qytetarët duke i dhënë forcë votës së tyre, por duan t’i trajtojnë si dele.

Shqipëtarët duan një Reformë të vërtetë Zgjedhore, Rama dhe Berisha jo. Shqiptarët duan që të ketë një votë të vërtetë të diasporës, Rama dhe Berisha jo. Shqiptarët duan të kenë lista të hapura, Rama dhe Berisha jo.

Shqiptarët duan që vota e tyre të jetë e barabartë anembanë vendit, Rama dhe Berisha jo. Shqiptarët duan votim dhe numërim elektronik, Rama dhe Berisha jo. Shqiptarët duan ndryshim, Rama dhe Berisha jo.
Ata duan riciklim të Katovicës nga e cila dolën e përmes të cilës mbetjet e fundit të komunizmit kërkojnë të mbajnë gjallë tranzicionin korruptiv, që ka varfëruar familjet shqiptare, kanë larguar rininë, kanë ngritur në sistem pandëshkueshmërinë, mbi piedestalin e të cilës lartësohen kullat e tyre, që janë monumentet e hajnisë 34 vjeçare.

Dhe fuqizimi i qytetarëve përmes një Reforme të vërtetë Zgjedhore, që do të thante kënetën e korrupsionint dhe klientelës së tyre, është arsyeja pse ata po bëjnë një puç kushtetues kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ora 14:44
Reforma Zgjedhore, Bardhi: Po eksplorojmë mundësinë për të hapur në maksimum listat e kandidatëve për deputetët

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike Gazment Bardhi shprehet se propozimi i PD-së vijon të jetë që të ketë listat të hapur. Sipas Bardhi përfaqësuesit e PD-së po eksplorojnë mundësinë për të hapur në maksimum listat e kandidatëve për deputetët.

'Ne kemi ndarë në dy faza ndryshimet në Kodin Zgjedhor, faza e parë reforma e mirëfilltë zgjedhore, gjë për të cilën Edi Rama ka vënë bllok. Duhet zbatim i përpiktë i rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Faza e dytë është faza e zbatimeve të detyrueshme të vendimeve të GJK-së. Ka tre vendime të GJK-së që ka krijuar boshllëk. Kemi shprehur gatishmërinë e plotë të ndërmarrim iniciativën për të krijuar boshllëkun e vendimeve të GJK-së. Sot përfaqësuesit tanë kanë kërkuar informacion se deri në çfarë fazë është. Do të ketë edhe një mbledhje sot. Urojmë të ketë konsensus për të trija çështjet.

Propozimi dhe qëndrimi i kolegeve ka qenë që listat duhet të jenë të hapura. Propozimi vijon të mbajë të njëjtën situatë... që listat janë të mbyllura, vetëm në rastet kur thyhet herësi mund të ketë votë parapëlqyese. Ajo që kanë bërë përfaqësuesit tanë ka qenë të eksplorojmë mundësinë për të hapur në maksimum listat e kandidatëve për deputetët. Kërkohet një shumicë e cilësuar në Kuvend. Kemi disa propozime, të hapjes së listave 100%.. Nëse pala tjetër nuk jep konsensusin është arritje edhe ruajtje e propozimit në raport me propozimin e PS-së për mbylljen e listave.’- tha Bardhi.

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste Bledi Çuçi deklaroi se ka një konsensus për votën e emigrantëv,  ndërsa vijojnë negociatat për herësin e votave për shpërndarjen e mandateve të deputetëve.për të gjetur një variant konsensual maxhorancë opozitë

Kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi u shpreh gjatë komunikimit me gazetarët se 5 qershori është kapitull i mbyllur dhe vendimi i 2020-ës, që hoqi koalicionet parazgjedhore, nuk do të preket.

Ora 11:51
Reforma zgjedhore, Çuçi: Për votën e emigrantëve kemi arritur konsensus, negociata me PD-në për herësin 

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste Bledi Çuçi deklaroi sot se ka një konsensus për votën e emigrantëve ndërsa vijojnë negociatat për herësin e votave për shpërndarjen e mandateve të deputetëve.për të gjetur një variant konsensual maxhorancë opozitë

"Për votën e emigrantëve kemi pasur konsensus me opozitën dhe do të arrijmë në një variant të përbashkët. Vazhdojnë diskutimet për herësin. Për listën ka pasur diskutime lidhur me herësin, ka pasur diskutime për të gjetur konsensus për të adersuar vendimin e Gjykatës Kushetuese. Të gjitha do të shkojnë drejt një formule që garanton qartë formulën që ka Kushtetuta. Vijojnë negociatat edhe në këtë orë. Ka mbledhje komisioni i ligjeve ku grupi i dialogut politik do të adresojë përfundimet që kanë pasur nga këto diskutime me shpresën e një varianti kosnensual dhe komisioni do i marrë në diskutim dhe do të ezaurohen të gjitha. Nëse i ezurojmë e fusim në seancë e së premtes" tha Çuçi.

Koalicione parazgjedhore?

PS nuk lëviz asnjë milimetër.

“Ne nuk i kthehemi më asaj çështjeje. Nuk ka e nuk do të ketë ndonjë variant tjetër vec atij që kemi përcaktuar në 2020 në ndryshimet që bëmë" tha Çuçi.

S.G/E.B/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Magjia e Krishtlindjeve, qindra njerëz shijojnë koncertin festiv në sheshin 'Skënderbej'

Magjia e Krishtlindjeve, qindra njerëz shijojnë koncertin festiv në sheshin 'Skënderbej'