Reforma Zgjedhore/ Rithemelimi kërkon rikthimin e koalicioneve, lista të hapura të partive! Të kthehet marrëveshja e 5 qershorit, mbështesim votën e diasporës

Rithemelimi prezantoi këtë të enjte zyrtarisht draftin me propozimet për Reformën Zgjedhore, që do të çohet në tryezën e Grupit të Dialogut.  Shtyllat kryesore që PD e Rithemelimit kërkon, janë rikthimi I koalicioneve parazgjedhore të përbëra, lista të hapura e kthimin e KQZ në një trupë të vetme, me risinë e votës së detyruar.

Një nga kërkesat është rikthimi i koalicioneve me listën e hapur të partive të koalicionit, siç kanë qenë para marrëveshjes së 5 qershorit 2020 

 Ne kërkojmë rikthimin e koalicioneve siç kanë qenë deri në vitin 2020. Koalicionet e partive politike ku të gjitha partitë e koalicionit shfaqen në fletën e votimit me emrin e vet dhe kanë kutinë e vet ku zgjedhësi voton partinë që do. Pra, po kërkojmë listën e hapur të partive të koalicionit. Partitë duhet të kenë të drejtën të garojnë në mënyrë autonome në kuadër të një organizimi të përbashkët" deklaruan përfaqësuesit e opozitës në grupin e dialogut i ngritur mes Rithemelimit dhe mazhorancës   

Pika e panegociueshme, për Rithemelimin është pranimi i kthimit të koalicioneve si para ndryshimeve kushtetuese të korrik 2020. Ata kujtojnë se marrëveshja e qershorit pati ka konsensusin e palëve politike dhe nuk u përshëndet vetëm nga ambasadorët, por edhe nga kancelaritë diplomatike në Uashington, në Bruksel, Berlin e me radhë. Por një ditë më parë kreu i qeverisë mohoi që mazhoranca të lëshojë këtë pikë.

"Aktualisht me ndryshimet kushtetuese të korrikut dhe tetorit 2020, duke hequr koalicionin u bë e mundur të hiqej edhe një mekanizëm tjetër i rëndësishëm siç është formula zgjedhore, e favorshme për partitë politike të mesme apo të vogla. Pse flas për pabarazi vote? Kemi rastin e LSI që mori 108 mijë vota dhe vetëm 4 mandate dhe PSD e Tom Doshit me 30 mijë vota mori 3 mandate. Kjo është një padrejtësi ulëritëse, e papranueshme që fyen çdo standard kushtetues dhe ndërkombëtar. Ajo që kërkojmë ne që kjo të zgjidhet dhe mekanizmi për këtë të përfshihet në mekanizmin e koalicionit që duhet të kthehet në kod zgjedhor" thane perfaqesuesit e Rithemelimit.

Kolona e dytë është angazhimi në kuadër të përmirësimit të kuadrit ligjor, në mënyrë të veçantë forcimit të kornizës penale ligjore, trajtimi i rekomandimeve përfundimtare dhe ato prioritare të OSBE/ODIHR të vitit 2021 dhe 2023.

Ndëshkimi të jetë më i fortë ose të detajojmë më mirë shkeljet me figura të reja specifike penale në mënyrë që prokuroria ose SPAK të mos vijnë rrotull dhe t’i hedhin hi në sy shqiptarëve duke bërë sikur hetojnë.  Pikërisht mosveprimi i këtyre prokurorive ka prodhuar perceptimin, ndjenjën e pandëshkueshmërisë te këta zyrtarë të administratës, që me urdhër nga Edi Rama dhe ministrave, vendosin të blejë vota.

Vota e diaspores

PD angazhohet të kontribuojë që në një kohë sa më të shkurtër të bëjë realitet votën e diasporës dhe votimin elektronik

Ne e dimë se censusi ka prodhuar të dhëna dramatike dhe PS i fsheh, boll të mos tregojnë se Shqipëria është shpopulluar dhe për rrjedhojë shumica e zgjedhjeve janë jashtë Shqipërisë. PD angazhohet të analizojë me seriozitet problematikat e votimit elektronik të shfaqura në zgjedhjet e fundit. Një sistem i cili mund të sjellë avancime shumë të mëdha në standardin zgjedhor, duhet të jetë i sigurt dhe i besueshëm.

Votimi i detyrueshem

Një tjetër propozimi i yni është që votimi të jetë i detyrueshëm në përputhje me shtetet të tjera që e përdorin këtë mekanizëm.

Duket sikur detyrohet zgjedhësi, por në fakt është mbrojtje e zgjedhësit. Pra mbron të drejtën e tij për të votuar i lirë.

Këto qëndrime dukshëm larg njëra tjetrës, ngrenë pikëpyetjen a do të arrijnë të prodhojnë një produkt konsensual palët në Grupin e Dialogut, të ngritur mbi të gjitha për të çuar përpara Reformën zgjedhore, apo nëse do të dështojnë për të shkuar në 2025 me rregulla të reja loje.

E PLOTE
QËNDRIMI I PARTISË DEMOKRATIKE LIDHUR ME REFORMËN ZGJEDHORE DHE NEVOJËN PËR PËRMIRËSIM TË KUADRIT LIGJOR PËR ZGJEDHJET

Duke konsideruar se:

1.      Problemet e zgjedhjeve në Shqipëri, sikurse evidentuar nga raportet e opozitës por mbi të gjitha nënvizuar me forcë nga Raportet përfundimtare të zgjedhjeve të ODIHR për zgjedhjet për Kuvendin 2021 dhe zgjedhjet për organet e Qeverisjes Vendore 2023, janë të një natyre tejet të rëndë dhe kërkojnë adresim të menjëhershëm nëpërmjet forcimit të mekanizmave ligjorë dhe rikthimit të garantimit të zgjedhjeve në krye të prioriteteve të agjencive ligjzbatuese.

Këto problematika të rënda, rikthejnë pas më shumë se 2 dekadash kryefjalën te fshehtësia dhe liria e votës, hartimi i listave korrekte të zgjedhjeve, keqpërdorimi i skajshëm i burimeve shtetërore dhe administratës publike nga partia në pushtet, etj.

2.      Një reformë e vërtetë konsensuale zgjedhore mes mazhorancës dhe opozitës është thelbësore dhe parësore për stabilitetin demokratik. Është e favorshme për normalizimin e krizës politike që ka përfshirë parlamentin dhe politikën në Shqipëri.

Një reformë zgjedhore konsensuale në dekadën që përfshin 2002-2012, e kryer përmes komiteteve parlamentare dypartiake-opozitë, ka ofruar një kuadër ligjor të shëndoshë siç thuhet nga OSBE/ODIHR dhe ka përmirësuar vazhdimisht zgjedhjet. Një reformë e tillë konsensuale ishte në thelb të dy rotacioneve paqësore të pushtetit, në 2005 kur koalicioni i qendrës së djathtë i udhëhequr nga PD erdhi në pushtet dhe në 2013 kur një aleancë e udhëhequr nga socialistët mori detyrën.

Një komision dhe një proces reformash i besuar reciprokisht kanë ndihmuar shpesh në shterimin e konfliktit politik, në rritjen e legjitimitetit të zgjedhjeve dhe si rezultat, në vitin 2013, zgjedhjet u hoqën nga lista e problemeve në lidhje me integrimin në BE.

3.      Në kushtet e mësipërme Partia Demokratike angazhohet të kontribuojë aktivisht për adresimin e menjëhershëm të problematikave të rënda që ka procesi zgjedhor në Shqipëri nëpërmjet dhënies së kontributit dhe konsensusit në tryezën e Reformës Zgjedhore sapo të garantohen parakushtet minimale të një funksionimi normal të mekanizmit për të adresuar këtë reformë.

a)      Procedurialisht nëpërmjet:

-          Garantimit të gjithëpërfshirjes dhe përfaqësimit të drejtë të opozitës parlamentare në të;

-          Garancive që vetëm produkti i dakordësuar i komisionit bipartisan të reformës zgjedhore do të diskutohet dhe eventualisht votohet në Kuvendin e Shqipërisë.

b)      Substancialisht

- PD kërkon rikthimin te dakordësia e fundit e arritur nëpërmjet pozitës dhe opozitës (5 qershor 2020), për të cilin ka dhe një marrëveshje të firmosur nëpërmjet palëve dhe të mbështetur nga partnerët strategjikë dhe organizatat ndërkombëtare, e për pasojë zhbërjen e pasojave dhe ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor (korrik dhe shtator 2020), posaçërisht për:

- Rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë ku secila parti anëtare e një koalicioni ka të drejtë të garojë me emrin e saj në fletën e votimit duke i dhënë zgjedhësit të drejtën të votojë për partinë që preferon, brenda koalicionit. Kjo formë koalicioni ka funksionuar me sukses dhe pa asnjë problem nga 2003-2020 dhe ka siguruar dy rotacione politike (2005 dhe 2013).

- Eleminimin e pabarazisë së votës dhe padrejtësisë së rezultatit që prodhuan ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor (korrik dhe shtator 2020) në sistemin zgjedhor.

- Partia Demokratike qëndron plotësisht për listat e hapura në përputhje me standartin e aplikuar nga shumica dërrmuese e mbi 90% të vendeve që përdorin listat e hapura.

- PD angazhohet të adresojë nëpërmjet përmirësimit të kuadrit ligjor ekzistues dhe veçanërisht të forcimit të kornizës ligjore penale rekomandimet përfundimtare të ODIHR të përmbajtura në raportet 2021 dhe 2023, me fokus tek:

- Përfshirja e shtetit në zgjedhje, përdorimi i burimeve shtetërore dhe pushtetit normativ në favor të partisë në pushtet;

- Shitblerja e votës dhe posaçerisht blerja e të drejtës së votës së zgjedhësit për të votuar duke i penguar të dalin në votim. Votimi i detyrueshëm siguron ushtrimin e plotë të së drejtës së votës (sipas shembujve të Greqisë, Belgjikës, Australisë).

- Cënimi i sekretit dhe lirisë së votës, veçanërisht nëpërmjet sistemit të patronazhimit, përdorimi i të dhënave personale të mbledhura nëpërmjet institucioneve shtetërore, ushtrim i presionit para dhe gjatë ditës së votimit.

- PD angazhohet të kontribuojë që në një kohë sa më të shkurtër, të bëjë realitet votën e të gjithë shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit, aty ku ata banojnë, sipas detyrimeve aktuale që burojnë nga Kodi Zgjedhor, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 9 dhjetor 2022, me të njëjtat standarte dhe garanci si shtetasit që votojnë brenda vendit. Sistemi i votimit të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit duhet të thjeshtohet nga procedurat e rënduara të regjistrimit me qëllim shmangien e kontrollit dhe filtrave qeveritare. Sistemi i votimit për këtë kategori zgjedhësish, duhet të jetë efikas dhe i paanshëm dhe nuk duhet të shërbejë për të ndikuar njëanshmërisht në rezultat.

-  PD angazhohet që të analizojë me seriozitet problematikat serioze të shfaqura në zgjedhjet e fundit përsa i përket procesit të votmit dhe numërimit elektronik, me qëllim arritjen e një vendimmarrje përfundimtare e cila do t’i japë fund fazës hibride të pilotimit të tij në disa zona, nëpërmjet shtrirjes së tij në të gjithë vendin, ose heqjes dorë përfundimisht prej këtij sistemi. KQZ ka dështuar të zbatojë garancitë që ligji parashikon për zgjedhësin që të konfirmojë dhe hedhë votën në liri të plotë. Votimi nga persona të tretë dhe/ose operatorë teknikë të KQZ përbën vepër penale dhe është antikushtetues sipas jurisprudencës kushtetuese të vitit 2002. Mungesa e një auditimi të pavarur të çertifikuar, pas tre pilotimesh nga viti 2021, cënon besimin në menaxhimin e votimit elektronik.

- PD angazhohet të rikthejë balancimin dhe besueshmërinë e KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor. Zgjedhjet e fundit kanë demonstruar kontroll politik të njëanshëm organeve kryesore të administrimit dhe drejtësisë zgjedhore, me pasojë refuzimin e ankesave të mbështetura në fakte dhe ligjërim të praktikave të paligjshme në favor të partisë në pushtet, me pasoja të rënda mbi zgjedhjet.

-  PD angazhohet që të kontribuojë për të forcuar sanksionet penale për financimin e paligjshëm elektoral veçanërisht të atij me orgjinë të huaj me qëllim evitimin e infiltrimit të këtij lloj financimi në procesin zgjedhor dhe mbajtjes përgjegjës penalisht në mënyrë të drejtpërdrejtë, personave/ subjekteve që përfitojnë prej tij.

-  PD angazhohet që, në përputhje me rekomandimin e parë prioritar të Raportit Final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 14 majit 2023, të kontribuojë për të bërë vërtet efektive ndalimet dhe sanksionet e përmbajtura në kornizën ligjore aktuale për keqpërdorimin e burimeve dhe resurseve shtetërore, shitblerjes së votës dhe keqpërdorimit të të dhënave personale, nëpërmjet adoptimit të një mekanizmi të përhershëm mbikqyrës, por të pajisur me fuqi ekzekutive, me përbërje përfaqësues të prokurorisë së posaçme, prokurorisë së përgjithshme, përfaqësues të KQZ dhe  të agjencive të tjera ligjzbatuese, të drejtuar nga prokuroria e posaçme.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës

Deputeti i LDK: Veprimet e qeverisë Kurti, e kanë kthyer presionin e Perëndimit ndaj Kosovës