TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger ka deklaruar në një konferencë të përbashkët me Ministrin e Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj, se OSBE mund të lehtësojë dialogun mes palëve për Reformën Zgjedhore, por nuk mund të marrë një vendim politik. Këtë deklaratë Greminger e bëri pas takimit me kryedemokratin Luzlim Basha, në fund të të cilit ky i fundit tha se OSBE duhet të ndihmojë në zgjidhjen e krizës politike në vend.
Greminger parashtroi tre hapat që OSBE mund të ndërmarrë, ku përmendi "të sjellim ekspertizë teknike, së dyti t’u kujtojmë shteteve anëtare të OSBE angazhimet që kanë shtetet pjesëmarrëse dhe së treti të lehtësojmë dialogun".
"OSBE mund të lehtësojë dialogun mes palëve, por nuk mund të marrë vendime politike. U kam thënë të gjitha bashkëbiseduesve të mi se çfarë OSBE mund dhe nuk mund të bëjë. OSBE në thelb mund të bëjë tre gjëra. Ne mund të sjellim ekspertizë teknike, së dyti t’u kujtojmë shteteve anëtare të OSBE angazhimet që kanë shtetet pjesëmarrëse dhe së treti të lehtësojmë dialogun. Këtë mund të bëjmë. Ajo që nuk mund të bëjmë është të marrim vendime politike. Shpresojmë që rekomandimet e ODIHR po merren seriozisht. Ajo që nuk mund të bëjmë është të zgjedhim sistemin që ky vend dëshiron, por mund të sjellim ekspertizë e të lehtësojmë dialogun. Po sigurisht jam i vetëdijshëm që ka dy aspekte. Ajo që konsiderohet si reformë elektorale, ka kundërshti sa i përket rekomandimeve se si duhen implementuar ka diskutime mbi sistemin elektoral, nuk është në dorën tonë, kjo është në dorën e aktorëve politikë të këtij vendi për të mbështetur procese të tilla", tha Greminger.
Gjatë fjalës së tij Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me vendet e Mesdheut dhe OSBE-së.
"Kemi zhvilluar takime me vendet anëtare të OSBE-së duke u fokusuar në çështje, si dialogu ndërfetar, bashkëpunimi në zhvillimin ekonomik, si dhe lufta ndaj terrorizmit. U nënvizua se siguria e Europës dhe Mesdheut janë të pandashme. Brenda këtij konteksti, nënvizojmë rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët tanëtë Meshedheut dhe OSBE-së. Por, bashkëpunimi nuk mjafton të zhvillohet vetëm në rrafshin e diskutimit të temave. Kemi diskutuar për krijimin e një hapësire të madhe bashkëpunimi. Grupi i kontaktit të mesdheut do të kryesohet nga një prej vendeve të Mesdheut’’, u shpreh Cakaj.