TIRANË - Aplikimet për Policinë e Shtetit do të jenë deri në datën 20 Janar 2014 e jo deri më 28 shkurt siç ishte bërë e ditur gjatë muajit dhjetor. Policia e Shtetit ka bërë të ditur sot se, ky ndryshim është bërë për shkak të nevojave të menjëhershme që ka kjo strukturë që është në reformim.

“Procesi i Aplikimeve për Shkollën e Policisë do jetë i hapur deri më datë 20 Janar 2014. Për shkak të nevojave imediate, procesi i aplikimit të kandidatëve të interesuar për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”, do të jetë i hapur deri më datë 20 janar 2014. Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë pranë të gjithë Drejtorive të Policisë në Qarqe”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Sipas policisë, testimi me shkrim i aplikantëve, që plotësojnë kriteret për të ndjekur studimet në shkollën Bazë të Policisë, do të zhvillohet më datë 3 shkurt 2014.
 
KRITERET QË DUHEN PLOTËSUAR NGA KANDIDATËT:
Kriteret që duhet të përmbushë aplikanti për të ndjekur studimet në Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme” janë:
Të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Të ketë zotësi për të vepruar.
Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën.
Të ketë mbaruar shkollën e mesme.
Të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor.
Të mos jetë i dënuar penalisht me vendim të formës së prerë.
Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B.
Nuk ka të drejtë të aplikojë për t’u pranuar në polici personi ndaj të cilit është marrë masa disiplinore e përjashtimit nga Policia e Shtetit ose e largimit nga shërbimi civil.
 
DOKUMENTET QË DUHEN DORËZUAR NGA APLIKANTËT:
Aplikantët për punonjës policie duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm për aplikim në Polici:
Formularin e plotësuar të aplikimit, të përcaktuar nga struktura qendrore e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Fotokopje të pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi.
Kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme.
Dëshmi penaliteti.

Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B e cila, për gjininë më pak të përfaqësuar, mund të paraqitet në një afat kohor deri në 12 muaj pas fillimit të shkollës bazë të policisë. Nëse aplikantët nuk e paraqesin këtë dokument brenda 12 muajve, lirohen nga Policia e Shtetit.

Të gjithë personat që janë të interesuar për të marrë informacion, strukturat e vurimeve njerëzore pranë Drejtorive të policisë në qarqe do t’u japin të informacionin e nevojshëm për procesin e testimit si: shembuj pyetjesh, udhëzimet e testimit me shkrim, si dhe sqarime mbi mënyrën e plotësimit të fletës së skantronit.
 
Të gjithë aplikantët për çdo paqartësi që mund të kenë lidhur me këtë proces mund të drejtohen pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë e Policisë në Qarqe ose pranë Sektorit të Pranimit dhe Menaxhimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Po ashtu mund t’i parashtrojnë pyetjet apo shqetësimet e tyre dhe me e-mail në adresën policiaeshtetit@asp.gov.al, bën të ditur Policia e Shtetit.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)