TIRANE - Rreth 16.7% e shqiptarëve në moshë madhore figurojnë të jenë kreditorë në bankat tregtare që operojnë në vendin tonë, sipas të dhënave nga regjistri i kreditimit, që përmban informacion për kreditë aktive, ato të pashlyera.
Sipas Bankës Qendrore kjo shifër në vitet e fundit paraqitet në rënie.
Vlera më e lartë e kreditorëve është regjistruar në vitin 2012, kur arriti në 19.7%. Por gjithësesi këto statistika tregojnë se Shqipëria ka ende një depërtim të ulët të kreditimit në popullsi krahasuar me vendet e tjera.
Megjithë përmirësimin e kulturës financiare, Shqipëria ngelet ende një ekonomi e nënkredituar, qoftë në terma të numrit të kredimarrësve, qoftë në vlerën monetare të stokut të kredisë për sektorin privat ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas statistikave zyrtare, në Kosovë rreth 23% e popullsisë së rritur është pjesë e regjistrit të kredive, në Mal të Zi 26%, në Maqedoni mbi 36% dhe në Bosnje afro 40%. /ATSH/