Një ditë pas zyrtarizimit të rekomandimit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave të Shqipërisë më BE-në, vjen reagimi i parë i ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu. Diplomati amerikan ka uruar popullin shqiptar për këtë vendim historik të Brukselit, ndërsa politikanëve iu ka kujtuar edhe njëherë detyrat që ata duhet të përmbushin. 

“Përgëzime popullit shqiptar për këtë hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit. Është koha për të festuar, por edhe koha për të punuar edhe më shumë”.

Donald Lu, ambasador i SHBA në Tiranë

Donald Lu thotë në një reagim për Top-Channel se nuk është ambasador i një vendi të Bashkimit Europian, por përpara vendimit të qershorit Tirana duhet të japë rezultate konkrete.

“Unë nuk jam ambasador i një vendi të BE-së, por shpresoj se Shqipëria do t’ua vërë veshin shteteve anëtare që kanë kërkuar rezultate konkrete kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe në reformën në drejtësi përpara vendimit për të hapur negociatat për anëtarësim. Përpara vendimit të qershorit, Shqipëria ka ende një mundësi për të bërë përparim në këto çështje me rëndësi kritike”.