SPANJË - Në një moshë kur shumë futbollistë veteranë mund të preferojnë të argëtojnë nipërit e mbesat, miqtë dhe bashkëshortet e tyre me rrëfime paksa 'të qëndisura' të aftësive të tyre të mëparshme sportive, 70-vjeçari Ángel Mateos González po rikthehet në fushë.
Spanjolli, i cili u tërhoq nga futbolli aktiv 27 vite më parë, pritet të luajë në portë për ekipin asturian CD Colunga në një ndeshje të nivelit të pestë këtë të diel. Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe ai vesh dorezat, thuhet se do të bëhet lojtari më i vjetër që merr pjesë në një ndeshje zyrtare në Spanjë.
Ángel Mateos González, i cili ka ndihmuar portierët e CD Colunga gjatë fushatës së grupit të dytë të Tercera Federación këtë sezon, tha se nuk e dinte nëse do të luante të gjithë ndeshjen.
“Do të stërvitem me ekipin këtë javë, por ende nuk e di nëse do të luaj të gjitha 90 minutat apo vetëm pjesën e parë”, i tha ai gazetës lokale El Comercio.
Në një postim në Facebook, skuadra e veriut të Spanjës tha se kishte vendosur ta aktivizonte Mateosin në ndeshjen e tyre kundër rivalëve rajonalë CD Praviano për të festuar përkushtimin e tij të përjetshëm ndaj punës dhe futbollit.
Klubi mohoi se ky veprim ishte një marifet, duke shtuar se vendimi kishte të bënte me njohjen e një njeriu të punës që përfaqësonte vlerat e saj.
“Mateos mishëron në mënyrë të përkryer atë që ne përfaqësojmë te CD Colunga, pasionin, qëndrueshmërinë, respektin për futbollin dhe një është mënyrë për ta përjetuar sportin që tejkalon moshën”, thuhej në deklaratë.
"Mosha është dytësore. Ajo që ka rëndësi është qëndrimi, përkushtimi dhe angazhimi ndaj sportit. Po flasim për një njeri që ishte minator, i cili ia ka kushtuar jetën e tij punës dhe futbollit dhe i cili i ka ndihmuar portierët tanë gjatë gjithë sezonit."
Klubi shtoi: “Mateos nuk po luan sepse është 70 vjeç. Ai po luan sepse e ka merituar.”

Ángel Mateos González
Ish-minatori i tha El Comercio se, ndërsa ai gjithmonë e kishte mbajtur veten aktiv, futbolli kishte ndryshuar pak me kalimin e viteve.
"Kur fillova, ishte pothuajse një sport tjetër", tha Mateos. "Topat, fushat… Mbaj mend që mbaja një kovë pranë shtyllës së portës që të mund të nxirrja ujë kur fusha bëhej me baltë, gjë që ishte pothuajse një dukuri e përditshme në atë kohë".
Mateos i tha radios Cope se kishte luajtur futboll që kur ishte 10 vjeç dhe ishte ende në të njëjtën peshë, 68 ose 69 kilogramë që në moshën 18 vjeçare. Ai tha gjithashtu se ishte shumë konkurrues, urrente humbjen e çdo lloj ndeshjeje dhe gjithmonë i kishte dashur sportet e ndryshme.
"Shumë nga djemtë me të cilët punoja në miniera nuk u pëlqenin sportet dhe donin vetëm të shkonin në bar", tha ai të mërkurën . "Unë nuk e kuptova kurrë këtë. Duhet të qëndrosh aktiv dhe të bësh sport ose të dalësh për një shëtitje".
CD Colunga tha se ndeshja e të dielës kishte të bënte me shumë më tepër sesa thjesht me aktivizimin në fushë të një njeriu.
“Nëse dikush përqendrohet vetëm te mosha e tij, atëherë po humbet atë që është e rëndësishme. Kjo ka të bëjë me kthimin te thelbi i futbollit, duke njohur njerëzit që e bëjnë atë të shkëlqyer dhe duke treguar se ekziston një mënyrë tjetër për të bërë gjërat”, thuhej në deklaratë.
Komente







