Ministri i Financave Petrit tha se 14 milionë euro do t’u kthehen prindërve me fëmijë minorenë si kompensim nga tatimet e paguara vjet pas plotësimit të DIVA. Në dalje për mediat Malaj njoftoi se nga 1 korriku do të nisë edhe rimbursimi i faturave të fermerëve me 10% si dhe paralajmëroi rishikim të buxhetit të shtetit për të vënë në zbatim programin “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde”.
***
Afro 77 mijë individë do të marrin kompensim për fëmijët nën 18 vjeç. Ministri i Financave Petrit Malaj tha se drejtoria e tatimeve ka nisur përllogaritjet për paratë që do t’u kthehen pas qytetarëve që kanë dalë me tatim të mbipaguar nga dorëzimi i Deklaratës Individuale të të Ardhurave.
“Nga 164,263 DIVA të dorëzuara, rezultojnë 77 mijë janë përfitues nga skema për fëmijët nën 18 vjeç. Sipas përllogaritjeve janë 1.4 miliardë lekë që do të shkojnë për rimbursim për individët, por deri më tani janë kërkuar 670 milionë lekë të kërkuara nga individët për të kaluar në llogaritë bankare”, tha Malaj.
Malaj njoftoi edhe datën se kur do të nisë kompensimi me 10% i fermerëve për faturat që ata marrin kur shesin produktet e tyre tek grumbulluesit, agroturizmat apo agropërpunuesit.
“Kompensimi i TVSH për bujqësinë do të fillojë nga data 1 korrik 2026. Vërehet se kemi një rritje të transaksioneve të fermerëve me NIPT dhe grumbulluesve/përpunuesve me rreth 20%. Sipas përllogaritjeve shuma potenciale vetëm për 3 mujorin e parë është 400 milionë lekë për të kaluar në llogari të fermerëve”, tha Malaj.
Qeveria po bëhet gati për të rishikuar edhe buxhetin e shtetit, për të caktuar një garanci sovrane për programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde” që do të jetë i orientuar drejt kredive të buta. Pjesë e këtij akti normativ mund të jetë edhe paketë ndihme për shtesat më në nevojë si pasojë e rritjes së çmimeve.
“Me aktin normativ që do të ketë një garanci sovrane pikërisht për skemën “dyfisho ndërmarrjen tënde”, do të jetë i ngjashëm me atë të sektorit të bujqësinë. Në momentin që do të ulemi dhe do përgatitim aktin normativ do të mbajmë në konsideratë edhe zhvillimet ekonomike dhe efekteve të krizës tek grupet vulnerabël apo shtresat në nevojë”, tha ministri.
Sa i takon ekonomisë Malaj u shpreh se tremujori i parë ka qenë pozitiv të ardhurat e mbledhura arritën 2 miliardë euro, të ndikuara nga ecuria pozitive e aktivitetit të bizneseve, shtimi i konsumit, rritja e pagave dhe e punësimit si dhe miradministrimi fiskal.
Komente











