Rritja e pandalshme e turistëve që po e zgjedhin Shqipërinë si destinacion, tashmë konfirmohet edhe nga të dhënat e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
Numri i pasagjerëve që udhëtuan përmes këtij aeroporti arriti në muajin gusht në 885.359, duke vendosur kështu shifrën rekord për numrin më të madh të pasagjerëve përmes TIA-s, ndonjëherë gjatë një muaji.
Duke e krahasuar me muajin gusht të vitit 2022, numri i pasagjerëve shënoi rritje me 33 %.
Shqipëria u vizitua vetëm përgjatë muajit gusht nga më shumë se 2 milionë të huaj. Në gusht të vitit 2022, vendi ynë u vizitua nga 1.710.041 të huaj.
Nga 5.667.121 të huaj që vizituan vendin përgjatë 8-mujorit të vitit 2022, gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti vendi u vizitua nga 7.190.410 vizitorë të huaj, duke shënuar kështu një rritje prej 27%.
Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, plazhe këto që frekuentohen nga maji deri në tetor.