Prej tre ditësh vendi ynë vijon të shënojë shifra rekord me të infektuarit nga COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 643 testime , nga ku kanë rezultuar 154 persona të konfirmuar pozitive me Covid-19. Ky është numri i më i lartë i regjistruar që nga fillimi i pandemisë. Gjithashtu sot janë regjistruar edhe 5 humbje jete, të cilët nuk kanë mundur të fitojnë dot betejën me COVID-19.

Numrin më të lartë të rasteve i ka Tirana e ndjekur nga Durrësi dhe Elbasani.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 84 raste në Tiranë, nga 10 raste në Durrës, Elbasan, 8 në Shkodër, 7 në Kukës, nga 5 raste Korçë, Lushnje, nga 4 raste Mirditë, Përmet, nga 3 raste Pogradec, Divjakë, Kolonjë, Malësi e Madhe, 2 në Has, nga 1 rast Kavajë, Tropojë, Peqin.

Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 62 vjeçare nga Tirana, një 63 vjeçare nga Tirana, një 70 vjeçar nga Korça, një 74 vjeçare nga Shkodra, një 83 vjeçar nga Pogradeci.

Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 114 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 19 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 64 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3616, që nga fillimi i epidemisë.

Mjekët e familjes në të gjithë vendin po monitorojnë çdo ditë personat aktivë me Covid19, që janë të izoluar në banesë. Në rast se jeni i prekur dhe keni shenja të lehta të sëmundjes, kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun tuaj të familjes.

Në rast se simptomat përkeqësohen, kontaktoni Urgjencën Kombëtare 127, e vetmja strukturë që bën referimin dhe transportin drejt spitaleve COVID.

"Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyni në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën. Një thirrje veçanërisht për të rinjtë, të tregojnë kujdes sepse virusi nuk njeh moshë dhe nuk bën përzgjedhje. Bashkëpunimi juaj është vendimtar për ta fituar luftën me virusin e rrezikshëm dhe për të frenuar përhapjen e tij", thuhet në apelin e Ministrisë së Shëndetësisë.

COVID-19 – Statistika (13 Gusht 2020)

Testime totale              48319

Raste pozitive               6971

Raste të shëruara         3616

Raste Aktive                  3142

Humbje jete  213 (Qarku Tiranë 104, Shkodër 34, Durrës 30, Fier 10, Elbasan 8, Korçë 8, Lezhë 5, Kukës 5, Vlorë 5, Dibër 2, Berat 1, Gjirokastër 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë                  1717

Durrës                  377

Shkodër               273

Fier                       134

Lezhë                   122

Vlorë                    115

Korçë                    111

Kukës                   92

Elbasan                84

Berat                    48

Dibër                    38

Gjirokastër           31

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:55
Infektohet me COVID mjekja në Berat dhe drejtori në Bashkinë e Elbasanit

TIRANË- Një mjeke në Berat dhe një drejtor në Bashkinë e Elbasanit janë konfirmuar pozitiv me COVID-19. Burime për Report Tv bëjnë me dije se  është konfirmuar pozitiv mjekja e Repartit të Alergologjisë, e cila pas bërjes së tamponit është karantinuar në banesë dhe gjendja e saj shëndetësore është e mirë.

Burime nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Berat konfirmojnë se janë kryer tamponët e familjarëve të mjekes dhe personelit të Repartit, ndërkohë që po hetohen edhe rastet e kontakteve të tjera të saj.

Ndërkohë, mes të infektuarve është edhe drejtori i Bashkisë së Elbasanit, teksa pritet që familjarët e tij t'i bëhet testi.

Ora 09:59
Ishte në gjendje të rëndë te Infektivi/ Koronavirusi i merr jetën mësuesit në Mirditë

TIRANË- Viktimë e koronavirusit ka mbetur edhe një mësues, nga Mirdita, i cili prej ditësh ishte i shtruar në Spitalin Infektiv në Tiranë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se mësuesi, me inicialet Gj.K ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv në Tiranë, ku ishte i shtruar prej 10 ditësh.

Virusi kishte rënduar tepër gjendjen e tij shëndetësore deri sa fatkeqësisht i mori jetën.

Ngushëllimet për të kanë qenë të shumta si nga miqtë, të cilët e cilësonin si një njeri të përkushtuar dhe mikpritës ashtu edhe nga ministrja e Arsimi, Besa Shahini e cila vlerësoi kontributet e tij në fushën e dijes duke edukuar breza të tërë nxënësish.