Janë nisur drejt Shkollës së Trupës në Bunavi 370 të rinjtë fitues të testit fizik, intelektual dhe psikologjik për rekrutimet e reja për ushtarë/detarë aktivë në Forcat e Armatosura.

370 të rinjtë u përcollën nga zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Jeronim Bazo, në një ceremoni të zhvilluar në sheshin kryesor të garnizonit “Skënderbej”.

Duke i uruar për këtë sfidë të re, zëvendësministri Koçi e konsideroi si këtë si një moment shumë të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e çdo ushtaraku, por edhe për vetë FA.

Zëvendësministri Koçi vlerësoi procesin e përzgjedhjes së rekrutëve të rinj, për të cilin shprehu keqardhje sa i përket femrave pjesëmarrëse.

Ju jeni pjesë e një procesi ligjor të përcaktuar mirë. Jemi përpjekur në maksimum për të shmangur subjektivizmin dhe ndërhyrjet në procesin e konkurrimit të aplikantëve që kërkuan të ishin pjesë e FA. Më vjen mirë që disa prej jush janë me arsim të lartë. Do të doja që të kishim edhe më shumë vajza, jo vetëm 24, por jam i bindur që më shumë do të kemi në raundet e tjera të konkurrimit.” – tha Koçi, i cili i vlerësoi fituesit për zgjedhjen e tyre dhe i siguroi ata për një karrierë plot sfida në radhët e FA.

Të jesh ushtarak është një privilegj i madh, duhet ta duash flamurin dhe të japësh edhe jetën për të. Ju do të kontribuoni në struktura të rëndësishme të FA. Jam i bindur se shumë prej jush do të jenë nesër në misione ndërkombëtare në Afganistan apo diku tjetër, dhe ku do të duhet të sakrifikoni.”  tha ai.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA falënderoi në veçanti familjarët e aplikantëve të rinj, të cilët i premtoi për t’i vizituar në Bunavi gjatë kohës së qëndrimit të tyre atje.

370 fituesit do t’i nënshtrohen Stërvitjes Individuale Bazë, në Bunavi, e cila zgjat 9 javë.

Në fazën e parë të rekrutimeve të reja për ushtarë/detarë aktivë në Forcat e Armatosura u regjistruan 960 aplikantë, prej të cilëve u shpallën fitues 370.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)