Gjykata e Posaçme filloi procedim ndaj shtatë grave të akuzuara për pjesëmarrje në konflikte të armatosura në Siri. Mes të pandehurve janë edhe 7 gra që kanë qenë në kampet e Sirisë dhe që u riatdhesuan ndër vite.

Në gjykatë, ato mohuan akuzën duke deklaruar se kanë udhëtuar familjarisht në Siri, pasi janë marrë prej afërmve apo bashkëshortëve të tyre.

Krahas shtatë grave, të akuzuar janë edhe 16 persona të tjerë për të cilët gjykata pezulloi gjykimin për 1 vit, për shkak se ata janë shpallur në kërkim pasi nuk janë gjetur nga policia.

Nga viti 2015 prokuroria e krimeve të rënda e më pas SPAK, kanë ngritur akuza ndaj një grupi personash të drejtuar nga Almir Daci, për dërgimin në Siri me qëllim pjesëmarrjen në luftime të mbi 90 shtetasve shqiptarë, përfshirë edhe gra e fëmijë.