Ka pranuar akuzën e falsifikimit të dokumenteve njëri nga ish-inxhinierët e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore pranë ministrisë së Energjitikës, që ka bërë një relacion teknik të falsifikuar lidhur me punimet e bëra nga kompania e Beçhettit në hidrocentralin e Kalivaçit. Bëhet fjalë për inxhinierin Sokol Koçi,i cili rezulton të jetë dënuar një javë më parë me 1 vit burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, vendimi përfundimtar kundër tij është dhënë me 8 muaj burgim. Koçi është një nga dy inxhinierët e marrë të pandehur nga prokuroria e Tiranës, për çështjen e mashtrimeve ekonomike të bëra nga biznesmeni italian Francesko Bechetti me kompanie “Energji” dhe “Kalivaç Green Energy”.Bechetti, që njihet dhe si pronari i televizionit “Agon set” i mbyllur me një vendim sekuestroje të lëshuar nga gjykata e Tiranës, aktualisht ndodhet në Angli, ku është në procedura gjyqësore për ekstradimin ose jo të tij në Shqipëri. Bechetti është liruar nga gjykata angleze, kundrejt një garancie pasurore.Aktualisht ndaj biznesmenit italian Francesko Bechettit dhe të pandehurve të tjerë si Mauro De Renzis, e ëma Liliana Condomitti, administrators Erjona Toplini, Stavri Peçi dhe inxhinierit Fetah Dervishi, procesi gjyqësor vijon, pasi këta të fundit nuk kanë pranuar akuzat, duke kërkuar gjykim të zakonshëm.
Dosja e prokurorisë
 
Nga ana e përfaqësuesve të akuzës, prokurorëve Antoneta Sevdari dhe Julian Zonja, ju kërkua gjykatës që inxhinieri të dënohej me 18 muaj burgim. Akuza argumentoi në pretencën e saj se,ndër vite shoqëria “Energji” ka lëshuar disa situacione me të dhëna të pavërteta, si dhe fatura fiktive me përshkrimin “Punime në Hec Kalivaç”, mbështetur në këto situacione me te dhëna te rreme.Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si institucioni mbikëqyrës i zbatimit te kontratës koncesionare, ka kryer disa akte kontrolle në kantierit e Hidrocentralit të Kalivaçit për të parë ecurinë e zhvillimit të punuimeve. Kështu më datë 24.05.2010 një grup pune i përbërë nga inxhinjerët Nikolin PRIFTI, Florian XHAKO dhe Saimir SKURA ka shkuar për monitorin në HEC “Kalivaç”. Në akt monitorinimin e mbajtur  nga ky grup pune shënohet se në kantier ka pasur mungesa të theksuar dokumentacioni dhe grupi i punës nuk ka mundur të sigurojë një sërë dokumentesh të rëndësishëm të cilat janë të nevojshëm për të kryer kontrollin si ditarin e punimeve, aktin e piketimit, raportin e mbikëqyrësit të punimeve, projektin e miratuar dhe materiale të tjera të kërkuara, fakte këto të pasqyruara në raportin e mbajtur i cili i është dërguar me shkresë shoqërisë “Konçesionare” më datë 27 korrik 2010. Të pyetur gjatë hetimeve paraprake, në lidhje me këtë akt monitorimi, punonjësit e AKBN që kanë kryer kontrollin, mes tyre dhe inxhnieri Sokol Koçi kanë deklaruar se ky akt monitorimi është mbajtur në kushtet e një mungesë totale dokumentacioni (projektin, situacionet, preventivin, relacioni i mbikëqyrësit, ditari i punimeve, etj). Monitorimi ka zgjatur vetëm dy ose tre ore, në kantier nuk janë kryer matje dhe referimet në akt monitorim janë bërë vetëm mbi bazën e thënieve të përfaqësuesit të shoqërisë ( sepse dokumentacion nuk ka pasur në kantier dhe nuk  u është vënë në dispozicion nga shoqëria Konçensionare). Sipas prokurorisë e njëjta situatë ka vazhduar edhe në vitin 2011, ku në aktin e monitorimit të mbajtur është shënuar mungesa totale e dokumentacionit sidomos e situacioneve dhe raporteve të mbikqyrësit të punimeve, i cili konfirmon saktësinë e punës së paraqitur në situacione, por në kantierin e “Kalivaçit” nuk ka pasur mbikqyrës punimesh, të paktën deri në vitin 2011. Edhe në vitin 2012 është kryer akt monitorimi, më konkretisht në datë 13.03.2012. Pas monitorimit të kryer në terren AKBN i ka kërkuar shoqërisë Koncensionare të paraqesë dokumentacionin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për kryerjen e monitorimit.
 
Firmosja e inxhinierëve
Konçensionari në këtë rast, i ka dërguar në AKBN disa dokumente fotokopje, ndër të cilat edhe situacionet e punimeve të cilat janë të firmosura edhe nga shtetasi Engjëll Cici me cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve, por, që ky i fundit ka deklaruar se nuk ka qenë mbikëqyrës i punimeve dhe gjate hetimit të çështjes penale në shoqërinë Konçesionare nuk janë gjetur situacione origjinale të firmosura nga ky shtetas. Në përbërje të këtij grupi monitorimi në vitin 2012 kanë qenë edhe dy përfaqësues të Drejtorisë së Minierave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, të pandehurit Fetah Dervishi dhe Sokol Koçi. Për monitorimin e kryer, grupi i monitorimit ka përgatitur një relacion përmbledhës, ku bashkëlidhur gjendet dhe një relacion teknik për sa i takon vetëm, pjesës topografike të firmosur nga dy topografët e këtij grupi Fetah Derishi dhe Sokol Koçi. Në relacionin përmbledhës pasqyrohen punimet e kryera referuar situacioneve të paraqitura nga shoqëria konçensionare. Nga përmbajtja e relacionit rezulton se punimet e kryera janë matur dhe verifikuar nga inxhinieri dhe specilalisti topograf të cilët kanë përgatitur dhe relacionin teknik. Nga përmbajtja e relacionit teknik rezulton se grupi i topografëve ka kryer matjet në terren dhe ka bërë krahasimet ndërmjet punimeve të raportuara në situacione dhe matjeve të kryera faktikisht. Nga aktet e hetimeve paraprake rezulton e provuar se, grupi i topografëve nuk ka kryer fare matje dhe nuk ka verifikuar se çfarë pune është kryer faktikisht, duke pasqyruar në relacionin teknik të dhënën e pavërtetë se matjet janë kryer, kur ndërkohë matje  nuk ka pasur.
 
Të pandehur
Erjona Troplini
 
Fetah Dervishi
 
Francesco Beçhetti
 
Liliana Condomitti
 
Mauro De Renzis
 
Stavri Peci
 
Asnjë matje në terren
Nga aktet e hetimeve paraprake rezulton e provuar se, grupi i topografëve nuk ka kryer fare matje dhe nuk ka verifikuar se çfarë pune është kryer faktikisht, duke pasqyruar në relacionin teknik të dhënën e pavërtetë se matjet janë kryer, kur ndërkohë matje nuk ka pasur.
 
Dy-tre orë
Monitorimi ka zgjatur vetëm dy ose tre ore, në kantier nuk janë kryer matje dhe referimet në akt monitorim janë bërë vetëm mbi bazën e thënieve të përfaqësuesit të shoqërisë.

Redaksia Online
Shqiptarja.com