Relacioni i agjentit 'Kalaja', shtator ‘84: Ditën e përvjetorit të Konferencës së Pezës, në Televizion ndodhi një ‘skandal i madh politik’...

Relacioni i agjentit 'Kalaja', shtator ‘84: Ditën e përvjetorit të Konferencës së Pezës, në Televizion ndodhi një ‘skandal i madh politik’...

Petrit Leka, që mbulonte parashikimin e motit në vitet 70-80' në TVSH (sot RTSH)

Nisur nga specifika e veçantë që kishte Radio-Televizioni Shqiptar, si një nga institucionet më të rëndësishme të informacionit dhe propagandës së regjimit komunist, deri në fundin e viteve ’80-të, ai ishte jo vetëm nën vartësinë dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, por edhe të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme e Sigurimit të Shtetit, të cilat si “ORV” (Objekt i Rëndësisë së Veçantë), e mbanin atë nën një kontroll të rreptë, jo vetëm nga ana e sigurisë fizike të atij institucioni, por deri te “pastërtia dhe figura morale e politike” e punonjësve të tij, biografia e të cilëve shikohej me hollësi në disa breza, duke i kaluar ata në  “sitë”  vit pas viti.

Jo vetëm kaq, por organet e Sigurimit të Shtetit, me anë të agjenturës që kishin rekrutuar brenda atij institucioni, e kishin dhe e mbanin Radio-Televizionin në një kontroll të vazhdueshëm e të rreptë, duke penetruar në të gjithë hallkat e tij, si; drejtoria, redaksitë përkatëse, pikat e montazhit, studiot e transmetimit, studio e regjistrimit të zërit, arkiva, grupet e realizimit të filmave, magazinat, prapavija, shoferët dhe automjetet e tyre, e deri te kontrolli fizik i punonjësve dhe të ftuarve, te dyert ky hynin e dilnin. Të gjitha këto, veç të tjerash, bëhen të ditura edhe nga një sërë dokumentesh arkivore, që janë pjesë e një dosje që i përket këtij institucioni tejet të rëndësishëm, që nga krijimi i tij në vitin 1961, e deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991.

Nga kjo dosje e nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (fondi i ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat tashmë janë pjesë Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), kemi përzgjedhur disa dokumente që i përkasin viteve ’70-‘80-të, duke filluar publikimin e tyre me tre dokumente të periudhës së viteve 1978, 1980 dhe 1981, ku drejtorët e Drejtorisë Punëve të Brendshme të Tiranës, përkatësisht Nustret Dauti dhe Zef Loka, informojnë Komitetin Qendror të PPSH-së, mbi të gjithë problematikën e këtij institucioni.

Për më shumë rreth kësaj, na njohin dokumentet në fjalë, ku krahas një numri të madh punonjësish të atij institucioni, që janë ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit ndër vite, rezultojnë gjithashtu edhe disa prej emrave shumë të njohur, që janë konsideruar si “ikona” të Radio-Televizionit Shqiptar, para dhe pas viteve ’90-të, si; Robert Shvarc, Gaspër Çurçia, Alfon Gurashi, Gjon Simoni, Qemal Xhomo, Viktori Xhaçka, Meropi Xhai, Shpresa Musliu, Gjergj Pekmezi, Alfred Papuçiu, Xhezair Abazi, Shpëtim Gina, Edmond Dilaveri, Mërkur Bozgo, Agron Aranitasi, Jochen dhe Irene Blanke, Muhamet Oseku, Arben Xoxe, Janka Selimi, Timo Luto, Xhuni Tejlor, Arjan Bakiri, Gazmor Halilaj, Mond Lako, e deri te Vera Grabocka, etj. Këto dokumente, publikohen për herë të parë në disa numra ekskluzivisht nga Memorie.al

Vijon nga numri i kaluar

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, MIKEL GJIKA, QË MBULONTE RADIO-TELEVIZIONIN SHQIPTAR, ME TË DHËNAT E REZIDENTIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “KALAJA”

Marrë nga P.Op. Mikel Gjika

Dhënë: Rezidenti “Kalaja”

Në natyrë

Raport i dt. 20.9.1984

Burimi njofton se ditën e diel më 16.9.1984, në Televizion ndodhi një defekt i cili u quajt “skandal i madh politik”. Në vend të emisionit kushtuar Brigadës së 22 Sulmuese, u vu në transmetim një emisionin fëmijësh, i karakterit shkencor. Ndërsa spikeri i TV fliste për Brigadën e 22, figura tregonte plane të tjera. Kjo zgjati rreth 2 minuta.

Sipas njoftimeve të marra nga shokë të ndryshëm, defekti në fjalë ndodhi për arsye të ngatërrimit të kutisë së filmave dhe përgjegjës kanë qenë dy redaktorët e programacionit, Arian Bakiri dhe Zhani Gostivishti, si dhe teknikët Bashkim Lleshi dhe Njazi Bandi, si dhe montazhi i cili nuk ka bërë shënimin përkatës, në fillim dhe mbarim të emisionit.

Burimi ka mendimin se defekti nuk është vlerësuar siç duhet, nuk janë analizuar shkaqet dhe nuk është mbajtur qëndrim ndaj fajtorëve. Drejtoria, mbasi kolegjiumi nuk u mblodh fare, u mjaftua vetëm me një shënim në dokumenta Arian Bakirit, kurse të tjerëve, këshillime. Ka dyshime tek Njazi Bandi, tek i cili kanë ndodhur edhe herë të tjera defekte të ndryshme. Sidoqoftë, lëshime të tilla, lënë shteg për skandale edhe më të mëdha.

 “KALAJA”

Vlerësim: Raporti ka vlera operative, pasi na vë në dijeni, pasqyron shkaqet e defektit në TV, të datës 16.9.1984, që ka ardhur si neglizhencë dhe pakujdesi e punonjësve të sipërm, por që janë me pasoja politike.

Sqarim: Arjan Bakiri dhe Zhani Gostivishti, si dhe dy teknikët, njihen nga ana jonë si persona me përbërje e qëndrim të mirë politik. Në ngarkim të tyre, nuk kemi pasur ndonjë material.

Detyrë: B.p., u porosit që të bisedojë me punonjës të këtij sektori, si dhe me vetë autorët, për të mësuar hollësira të mëtejshme për origjinën dhe shkaqet reale të defektit, nëse ka pasur shkelje të rregullave të punës, cili person e mban konkretisht përgjegjësinë, për këtë pakujdesi, etj.

Masat Operative: Raporti të shtypet për dosjen ORV. Të bisedohet me shokët e Drejtorisë, për të vënë në dijeni drejtorinë e RTV, lidhur me këto dhe probleme të tjera, për të marrë masat dhe për të evituar defekti të tilla.

Punëtori Operativ

Mikel Gjika 

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, MIKEL GJIKA, QË MBULONTE RADIO-TELEVIZIONIN SHQIPTAR, ME TË DHËNAT E REZIDENTIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “KALAJA” 

Marrë nga P.Op. Mikel Gjika

Dhënë: Rezidenti “Kalaja”

Në natyrë

Raport i dt. 23.9.1984

Në vazhdim të informacionit të mëparshëm, burimi vë në dijeni se defekti i datës 16.9.1984, në Tv, siç është njoftuar, ndodhi për arsye “ngatërrese” të bobinave dhe “skandali i madh”, u mbyll me një vërejtje të redaktorit, Arjan Bakiri dhe me nga një këshillim, redaktorëve Zhani Gostivishti dhe teknikëve Bashkim Lleshi dhe Njazi Bandi.

Një analizë e tillë, një qëndrim kaq sentimental e liberal, vazhdon të indinjojë tërë punonjësit që ju dhimbset ekrani, aq më tepër që ai u cënua ditën historike të përvjetorit të Konferencës së Pezës. Burimi është i mendimit se edhe në këtë rast, janë shkelur në mënyrë flagrante rregullat elementare:

Fill pas përfundimit të montazhit, duke përfshirë dhe miksazhin, emisionit i vendosët një i ashtuquajtur “bisht”, i cili tregon fillimin dhe mbarimin e emisionit. Kush e kishte për detyrë këtë dhe përse nuk u bë? Ja një përgjigje, që mund të merret nga fletë-shoqëruesja e emisionit.

Redaktori i emisionit, pas kontrollit, ia dorëzon programacionit emisionin me kuti, kartoni, ose metalike. Në rast se po, kush e ka ngatërruar?! Cila ka qenë arsyeja? Edhe ky problem zgjidhet lehtë, nëpërmjet dokumenteve.

Pas marrjes në dorëzim nga programacioni, emisioni vendosët në një vend të sigurt, bile, e mira është të dylloset e të bëhet gati për transmetim. A është vepruar kështu? Edhe kësaj pyetje, nuk po i jepet përgjigje e saktë?

Para transmetimit, detyrimisht emisioni kontrollohet, të paktën në fillim nga redaktori dhe tekniku i turnit. A është bërë ky kontroll? Natyrisht që jo. Se po të ishte vepruar kështu, “ngatërresa”, do të ishte eliminuar që më përpara.

Zakonisht, probleme të tilla, bile edhe për probleme të vogla, mblidhet kolegjiumi, njoftohet kolektivi. Në këtë rast, nuk është bërë kështu. Pse? Ka vend për të dyshuar për simpatira personale, për të zbuluar dobësitë, për të rrumbullakosur gjërat, për të shpërndarë përgjegjësitë. Jo pa arsye, ka punonjës që thonë se; ky ishte një gabim i rëndë dhe nuk mund të gëlltiste vetëm një njeri.

Tendenca për të shpërndarë përgjegjësitë, vihet re edhe në këtë rast: Qysh në muajin mars të këtij viti, regjisorja Vera Grabocka, ka prishur bobinën e grupit të Krujës në Festivalin kombëtar të Gjirokastrës. Asnjë masë zhdëmtimi nuk po merret për këtë. Vetë Vera, flet poshtë e lart, duke u tallur dhe thënë se; “Nuk kanë ç’të më bëjnë”!

 “KALAJA”

Vlerësimi: Nga raporti del se ka shkelje të rregulloreve dhe neglizhenca e liberalizëm në analizimin e defekteve dhe problemeve të ndryshme në RTV.

Detyrë: B.p. iu hoq vërejtja që të mos bëjë sugjestionime, por me fakte dhe të dhëna konkrete. U porosit që të bisedojë me punonjës të tjerë nëse, a ka raste të tjera të shkeljes së rregullave në vende të tjera pune, a ka neglizhenca apo liberalizëm, sidomos gjatë transmetimit dhe në studiot përkatëse.

Masat Operative: Raporti të shtypet për dosjen e ORV-së. Të verifikohet në vend, procedura e punës në montazh, e të përcaktohen përgjegjësitë konkrete dhe natyrat e vërteta të defektit në fjalë. Të bisedohet me drejtorin e Përgjithshëm të RTV-së, për të analizuar këto probleme dhe të tjera, e marrë masat për parandalimin e defekteve të kësaj natyre.

PUNËTORI OPERATIV

MIKEL GJIKA

Shënim: Verifikuam në vend, duke biseduar me shokun Milto Baka, sekretar i organizatës bazë të partisë të Televizionit, dhe shokun Ylli Pepo, zv/drejtor dhe Zhani Gistivishtin, redaktor, lidhur me këtë ngjarje. Rezultoi se problemi ishte analizuar thellë atje, janë diskutuar shkaqet e vërteta, që lidhen me pakujdesinë dhe nënvlerësim të detyrave nga redaktori Arjan Bakiri. Këtë emër e njoh nga afër, vjen nga familje me përbërje e qëndrim të mirë politik dhe vetë njihet si djalë i mirë dhe për të nuk disponohet ndonjë material negativ. Nuk ka pasur ndonjë rast tjetër defektesh, në punë. Mendimi im, sikundër me shokët e sipërpërmendur, ishte se defekti nuk ka ndodhur me ndonjë qëllim të caktuar, por kjo ishte për arsyet e mësipërme, për të cilat, Arjan Bakirin, muarrmë masat përkatëse.

30.9.1984                      Punëtori Operativ

Mikel Gjika

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, MIKEL GJIKA, QË MBULONTE RADIO-TELEVIZIONIN SHQIPTAR, ME TË DHËNAT E AGJENTIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “PENA” NGA BAZA “ROZAFAT”      

Marrë: Mikel Gjika

Dhënë: “Pena”

Baza: “Rozafati”

Raport i dt. 2.10.1984

Burimi informon se nga vëzhgimet e bëra dhe nga bisedat me punonjës të Radios së Jashtme, dalin disa probleme që pengojnë punën në këtë sektor:

Ka rënie të numrit të letrave nga dëgjues të huaj, çka shpjegohet me disa arsye:

a) Nuk bëhet një punë sistematike e organizuar me letra, duke filluar që nga përkthim i i tyre, e deri tek përgjigjet dërguar dëgjuesve drejt për drejti, ose nëpërmjet emisioneve të përgatitura apostafat për ta.

b) Jo gjithmonë emisionet janë të ndërtuara mirë dhe me përmbajtje dhe nuk përmbajnë materiale të përpunuara mirë dhe me cilësi.

c) Në disa gjuhë përkthimi bëhet me të meta, kjo për shkak të kualifikimit jo të duhur të përkthyesit, si dhe për mungesë fjalorësh dhe materialesh të tjera të domosdoshme. Kjo ndodh veçanërisht në sektorin e çekishtes, për të cilat burimi ka informuar edhe më parë.

 “PENA”

Vlerësim: Raporti është me vlerë operative, na njeh me disa të meta dhe dobësi në Radion e Jashtme, që pengojnë punën e saj në propagandimin e vijës së Partisë dhe politikës së shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.

Detyrë: B.p. u porosit që të rrisë vigjilencën, sidomos tani në rastin e 40 vjetorit të çlirimit të atdheut, të vëzhgojë shkeljeve të rregullave dhe të normave të punës, nëpër redaksitë e ndryshme, por edhe në sektorin teknik, nëse zbatohen rigorozisht rregullat për futjen nëpër studio e transmetimit, etj.

Masat Operative: Raporti të shtypet për dosjen operative ORV, të nxirren probleme për të përgatitur një informacion për RTV, e të bisedohet me eprorët për mënyrën e konsumimit të tij.

Punëtori Operativ

Mikel Gjika

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, MIKEL GJIKA, QË MBULONTE RADIO-TELEVIZIONIN SHQIPTAR, ME TË DHËNAT E AGJENTIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “PENA” NGA BAZA “ROZAFAT”

Marrë: Mikel Gjika

Dhënë: “Pena”

Baza: “Rozafati”

Raport i dt.1.11.1984

Burimi njofton se ka zhvilluar një bisedë me një teknik të Radios të quajtur….! Gjatë bisedës……i tha burimit se në Radio është dëmtuar koka e gjilpërës së një disku, me vlerë 670 dollarë. ….u shpreh se fajtor për këtë është inxhinieri i këtij institucioni, Dhimitër Kekezi. Ky i fundit, së bashku me kryeinxhinierin e këtij institucioni, Flutra Myftiu, përpilojnë një proces-verbal, ku thuhej se disku ishte dëmtuar gjatë punës. Këta të dy, i kërkojnë teknikut që të firmosin proces-verbalin, por ai nuk pranon, duke thënë se nuk ka qenë prezent, kur ka ndodhur një gjë e tillë dhe nuk ka qenë i pranishëm, kur është përpiluar proces-verbali. Shkaktar i prishjes së kokës së gjilpërës së diskut, që sipas teknikut….është Dhimitër Kekezi, kishte tentuar ta saldonte kokën e këputur të gjilpërës, por e dëmtoi atë më keq. Në një mbledhje të sektorit të teknikës, në rend të ditës ishte ky problem, por gjatë mbledhjes u zhvendos fare rendi i ditës dhe nuk u gjet autori i kësaj prishjeje. Tekniku….kërkoi me këmbëngulje që të gjendej fajtori, duke thënë më në fund se do të thërriste organet e hetuesisë, për këtë problem.

 “PENA”

Vlerësim: Raporti është me vlerë operative, pasi na njeh me dëmtime të aparaturave që kanë vlera të mëdha nga inxhinieri Dhimitër Kekezi, dhe me përpjekje të krye inxhinieres Flutura Myftiu, për të mbuluar dëmtimin e kaluar me lehtësi.

Detyrë: U porosit që të bisedojë përsëri me teknikun…….. dhe për probleme të tjera të kësaj natyre, nëse ka pasur raste të tjera të mbulimit të gjërave, të bisedojë dhe me teknikë të tjerë të Radios e, të futet mirë në këto probleme, nëse ka shkelje të rregullave të transmetimit, etj.

Masa Operative: Të shtypet raporti për dosjen e ORV, të verifikohet në vend kjo ngjarje, të sqarohet se çfarë përfaqëson inxhinieri Dhimitër Kekezi, dhe nëse ka pasur raste të tjera të kësaj natyre.

Punëtori Operativ

Mikel Gjika

Raporti u pa nga shoku Ropi Postoli dhe Pelivan Luçi që shënojnë përkatësisht

Shoku Ropi: “Të verifikohet ngjarja e ndodhur me anë të agjenturës dhe të vijës së masave, duke përfshirë edhe……nga kush është këputur koka e gjilpërës, sa është dëmi, dhe çfarë pasojash ekonomike e politike ka sjellë. Të verifikohet gjithashtu dhe qëndrimi i Dhimitër Kekezit dhe Flutura Myftiut deri në datën 20.11.1984”.

Shoku Pelivan shënon se është dakord me të gjithë detyrat dhe vlerësimet e marra. Memorie.al

Nxori

Punëtori Operativ

Mikel Gjika

Vijon numrin e ardhshëm/ Memorie.al

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori