Vitin e kaluar emigrantët dërguan 616 milionë euro në Shqipëri. Dërgesat u rritën edhe në tremujorin e tretë të 2017-ës. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato kishin vlerën e 166 milionë eurove, rreth gjashtë milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Remitancat po rezistojnë në rritje edhe në vitet e fundit, megjithëse përmasat e rritjes tashmë janë modeste. Por për shkak të kostove të larta të transfertave nga kanalet zyrtare, shumica e këtyre parave dërgohet cash. “Studimet më të fundit tregojnë se dominuese janë kanalet formale të dërgimit, kryesisht përmes institucioneve financiare që mundësojnë transferta parash, e më pak përmes atyre bankare. Ndërkohë, në nivele ende mjaft të larta është dërgimi i tyre në formën e parasë cash”, tha Sejko. Duke shtuar se arsyet për përdorimin e ulët të kanaleve bankare janë kostot e larta të transferimit të parave dhe procedurat e transferimit, që vlerësohen si të koklavitura.
Pas vitit 2015, remitancat kanë nisur një përtëritje të lehtë, pas rënies së ndjeshme në vitet e para të krizës ekonomike të Eurozonës. Megjithë këto përmirësime, shifrat janë larg rekordit prej 950 milionë eurosh në vit, që regjistrohej një dekadë më parë. Besohet se tendenca rënëse e remitancave është një fenomen i natyrshëm, që lidhet me shkëputjen graduale të lidhjeve të emigrantëve që e kanë ndërtuar jetën e tyre jashtë. Në këtë kontekst, guvernatori bëri thirrje që bankat e nivelit të dytë të ulin tarifimin për këtë shërbim, duke premtuar edhe marrjen e masave administrative nga BSH për të lehtësuar një gjë të tillë.
Përdorimi
Studimet e kryera nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore tregojnë që të ardhurat e përftuara nga remitancat alokohen kryesisht për konsum, mjekim dhe arsimim, por edhe për kursim e investime, këto të fundit kryesisht në banim.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com











