Në tremujorin e parë i këtij viti emigrantët kanë dërguar pranë familjeve të tyre 274 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë remitancat janë rritur me 23 milionë euro Gjatë muajve janar-mars të 2025-ës emigrantët dërguan 251 milionë euro. 

Italia, Greqia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar mbeten ndër vendet kryesore nga ku vijnë remitancat.

Gjatë viteve të fundit është vërejtur një rritje e vazhdueshme e dërgesave financiare nga diaspora, duke reflektuar numrin e lartë të emigrantëve.

Remitancat konsiderohen jo vetëm një mbështetje financiare për familjet, por edhe një faktor i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe social në Shqipëri.

Një studim i fundit i Bankës se Shqipërisë tregonte se 59% e familjeve shqiptare nuk përballojnë dot shpenzimet e papritura, dhe se remitancat janë një faktor me rëndësi madhore për reduktimin e varfërisë.

Por nga ana tjetër kursi i këmbimit po i dëmton familjet që mbahen nga remitancat, pasi për të njëjtën shumë eurosh apo dollarë po marrin më pak para nga  konvertimi në lekë.

Në vitin e kaluar është regjistruar një tjetër rekord, pasi emigrantët sollën në Shqipëri përmes kanaleve formale (transferta) mbi 1.1 miliardë euro shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Në krahasim me vitin 2024, rritja ishte rreth 74 milionë euro.